Ju mbuloftë turpi ju që flisni kundër mërgimtarëve

Shkruan Bardhyl Mahmuti

Propaganda e porositur

Mërgimtarët shqiptar mbajtën mbi supet e veta tri luftërat çlirimtare kundër pushtuesve serbë dhe maqedonas. Është plotësisht e logjikshme që pushteti në Serbi dhe Maqedoni të mobilizojë njerëzit që kanë qenë të lidhur më strukturat e shërbimeve të tyre sekrete për të vjellë vrerë kundër mërgimtarëve shqiptarë. Shihni portalet dhe do të bindeni se nuk janë të rastësishme shkrimet që kërkojnë nga “kosovarët” të mos shkojnë për pushime në Shqipëri, ndërsa mërgimtarët nga Kosova dhe Maqedonia të sillen sipas dëshirave të përpiluara në Beograd dhe Shkup. Argatët e politikave antishqiptre bëjnë punën e komanduar nga eprorët e tyre dhe është mirë që identifikohen haptazi. Mjerë ata që nuk kanë lidhje me shërbimet sekrete të këtyre shteteve dhe bëhen përçues të propagandës kundër mërgimtarëve dhe përçajnë shqiptarët. Turpi i mbuloftë ata që veprimet e pahishme të disa mërgimtarëve ua veshin qindra mijëra shqiptarëve që vijnë për të parë familjarët e tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.