Jerusalemi dhe Shqiptarët

Shkruan MA Gazmend Hoti

Ushtria marshoi përmes qytetit përmes jeruzalemasve ‘të lumtur dhe të kënaqur’, duke festuar plot drita, kërcim dhe muzikë në rrugë. Për pesë ditë, myslimanët, grekët, françeskanët, armenët e, madje, edhe hebrenjtë qenë në qejf”. Zotriu i ri i Jeruzalemit ishte shqiptari Mehmet Aliu, që krijoi dinastinë sunduese të Egjiptit. Ai mbizotëroi diplomacinë ndërkombëtare të Lindjes së Afërme për pesëmbëdhjetë vjet dhe pothuajse zaptoi krejt Perandorinë Osmane. Shqiptari mjekërbardhë, tashmë në të gjashtëdhjetat, vishej gjithnjë thjesht, me çallmë të bardhë, pantofla të verdha dhe xhybe e gjelbërt. Pati mbërritur në kohë të komandonte trupat e tij shqiptare në emër të osmanëve, kundër Napoleonit. Në fund të vitit 1831, Mehmet Aliu pushtoi Izraelin e sotshëm Sirinë dhe shumicën e Turqisë së sotme.[1]Mbi 4000 shqiptarë kishin rënë theror në truallin e Palestinës.

Fotografia: Mehmet Ali duke hyrë në Jerusalem

Ibrahim Pasha, djali i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, njësoj si i ati kishte vetëm një ëndërr: të shkëpuste arabët nga pushteti i sulltanit. Në 1831, ai hyri triumfalisht në Jerusalem. Për Palestinën kishte nisur një epokë e re. Deri pak kohë më parë Palestina ishte e mbërthyer nga anarkia, aq sa njerëzit nuk dilnin dot në rrugë. Ibrahim Pasha riktheu rendin. Në historiografinë arabe, ai është i njohur si njeriu që vuri në themel të pushtetit barazinë mes feve të ndryshme, aq prezent në Jerusalem. Muhamed Mufaku, historiani i njohur kosovar, citon një letër të tij dërguar një kleriku mysliman: “…Sikurse e dini, Jerusalemi i shenjtë ka faltore e manastire, te të cilat shkojnë të krishterë e hebrenjtë prej kombeve dhe vendeve të ndryshme. Meqë këta vuanin shumë për shkak të taksave që u duhej të paguanin gjatë rrugës, ne urdhëruam, për hir të bashkëjetesës, heqjen e taksave nga të gjitha rrugët…”.[2]

Qyteti i Shenjtë ka qenë zotërim i shqiptarëve nga viti 1831 deri në vitin 1840. Shqiptarët e vjetër që nga koha e Sulltanatit Osman kanë shkuar të jetojnë në Palestinë me shumicë gjatë kohës së sundimit të ushtarakut të madh shqiptar Mehmed Ali Pasha, i cili njihet si themeluesi i shtetit modern egjiptian. Shumë shqiptarë në atë kohë nga Egjipti, në kohën e mbretit Faruk kanë luftuar përkrah popullit palestinez ndaj sundimit të dhunshëm izraelit.[3]

“Më kujtohet mirë sesi në dhjetor të vitit 1903 unë u ndodha rastësisht në pallatin e Vezirit të madh të atëhershëm, Ferit Pashë Vlorës. Ai na tregoi se pasdite do të priste Baron Rotçildin (Rothschild) nga Parisi. Më vonë mësuam se ai kishte kërkuar marrjen në koncesion, për 99 vjet, të 20.000 hektarëve tokë (duna rëre) në Tel-Aviv, për të cilën ai ishte gati të paguante Qeverisë një qira mjaft të lartë”, kujton në librin e tij Eqrem bej Vlora, duke shtuar se Veziri i madh nuk pranoi në asnjë mënyrë të ndihmonte në këtë marrëveshje. Në plotësimet që Eqrem bej Vlora i bën këtij problemi, ai e sheh këtë situatë të krijuar si shumë të favorshme për lindjen e konflikteve dhe akteve të dhunës. Ai nuk fajëson çifutët për këtë, por atyre që ua treguan rrugën dhe ua sheshuan sionistëve rrugën për në Palestinë, pra anglezëve.

Sipas Eqrem bej Vlorës, kur ky mision filloi t’i kapërcejë caqet e parashikuara jo vetëm nuk i shërbeu, përkundër i dëmtoi interesat britanike. E, si pasojë e kësaj, politika angleze filloi të punojë vërtet në mënyrë aktive kundër ngulitjes masive të çifutëve në Palestinë, po ishte shumë vonë: Lumi i imigrimit çifut nuk mund të përmbahej dot. Palestina ka qenë dikur çifute, por që nga koha e Solomonit të madh e Davidit të vogël kanë kaluar mijëra vjet. Me të drejtë apo pa të drejtë, sot ajo është 100 për qind arabe dhe Perandoria Osmanë nuk ka arsye, qoftë politike qoftë sentimentale, ta ndryshojë këtë gjendje”, ka thënë Veziri shqiptar që nuk kishte mundësi të frenonte dhënien e tokave me koncesion, apo fluksin e çifutëve që nisën të zinin vend rreth Izraelit.[4]

Arkitekt Sinani, njëri prej shqiptarëve më të shquar të shekullit XVI, qëndroi për do kohë në Jerusalem. Një xhami, një medrese dhe një imaret janë “dhurata” që shqiptari i ka lënë kryeqytetit të Zotit. Shqiptarët përmenden edhe në historinë moderne të Palestinës.

Mehdi Frashëri (1874-1963) ishte për do kohë guvernator i përgjithshëm i Palestinës. Përgjatë Luftës së Parë Botërore, në vjeshtën e 1917 një komandant shqiptar, Esat beu, i bëri rezistencën më heroike gjeneralit anglez, Alenby. Pastaj, pas 1920-s, historia flet për fitimtarët dhe arnautët mbeten vetëm mbiemër në tokën e lakmuar prej të gjithëve..[5]

 

[1]Simon Sebag Montefiore, Jerusalemi-Jetëshkrim , f. 463-464. Shpia botuse ‘’55’’, 2011.

[2]http://www.trepca.net/2003/1003/031021-fb-ne.shqip.ne.palestine.htm, (me datë, 15.10.2016)

[3]http://parstoday.com/sq/news/middle_east-i21232-r%C3%ABnd%C3%ABsia_e_palestin%C3%ABs_n%C3%AB_bot%C3%AB_dhe_ndikimi_i_saj_tek_shqiptar%C3%ABt, (me datë, 15.10.2016)

[4]http://www.bota.al/2016/08/historia-e-gjakmarrjes-se-madhe-ne-token-e-shenjte-shqiptari-qe-tentoi-te-ndalte-rothschildet-dhe-sulltani-qe-lejoi-krijimin-e-izraelit/, (me datë, 17.10.2016)

[5]http://perqasje.com/2016/08/ne-arnautet-e-palestines/, (me datë, 17.10.2016)