Java e Albanologjisë nga 15 deri më 19 qershor

Java e Albanologjisë do t’i zhvillojë punimet në Prishtinë nga data 15 qershor deri me 19 qershor 2015.
Si aktiviteti tradicional shkencor i Institutit Albanologjik, ka për qëllim prezantimin e rezultateve shkencor të albanologëve nga vendi dhe bota.
Sivjet mbahet për të gjashtën herë dhe është konceptuar në kuadër të pesë sesioneve të veçanta të disiplinave albanologjike: gjuhësi, letërsi, histori, folklor dhe etnologji.
Gjatë pesë ditëve, në kuadër të pesë sesioneve, do të shpalosen rezultatet e punonjësve shkencorë të Institutit Albanologjik dhe të albano­logëve nga institucione të tjera të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë etj. Temat e sesioneve ofrojnë mundësi të qasjeve të shumta disiplinare dhe do të jenë një shtysë për debate të mëtejshme shkencore e për rezultate që çojnë përpara kërkimet albanologjike
Hapja solemne e Javës së Albanologjisë, mbahet më 15 qershor 2015, në orën 10:oo.
Më poshtë mund t’i gjeni ditët se cilit sesion do t’i kushtohet:
SESIONI I GJUHËSISË, 15 qershor 2015
Tema e boshtPRURJE LEKSIKORE DHE LEKSIKOGRAFIKE NË FUSHË TË SHQIPES”
SESIONI I LETËRSISË, 16 qershor 2015
Tema e bosht: “ROMANI SHQIPTAR (1990-2010)”
Ndryshimet e hartës gjeopolitike e ideologjike të fillimviteve ‘90 të shekullit XX do të përbëjnë një moment ri për ndërgjegjen krijuese të shkrimtarëve shqiptarë. Shkatërrimi i rendit të marrëdhënies monolite ndërmjet agjentëve politikë, socialë, ekonomikë, an­tro­pologjikë, estetikë etj., – i vendosur në kontekstin e botës gjeopolitike bipolare – në kontekstin e botës postbipolare, për pasojë, do të prodhojë fenomenin e “çarjes episte­mo­lo­gjike” të skemës kognitive të ndërgjegjes artistike të shkrimtarëve shqiptarë. Ndër­gjegjja artistike do të vihet në një kontekst ambivalent perceptimor: ajo do të jetë subjekt dhe objekt i perceptimit. Në qoftë se para viteve ‘90 ndërgjegjja artistike letrare do të jetë e fiksuar pas një mënyre trajtimi të ekzistencës së objektit të vet (njeriut) të dhënë brenda një bote të mirëpërcaktuar, pas ndryshimeve politike të viteve ‘90 ndërgjegjja artistike let­rare shqiptare do të vihet në situatë dileme përballë shumësisë së mënyrave të ekzis­te­n­cës të objektit të vet të hedhur në një hapësirë të pafundme ekzistence.
Ndryshimi i situatës perceptimore do të ndikojë në ndryshimin e objekteve qëlli­mo­re të ndërgjegjes krijuese të shkrimtarëve: në vend sesugjerim i marrëdhënies së nje­riut me botën sipas një koncepti të dhënë a priori, në fillimvitet ‘90 objekt qëllimor i ndër­gjegjes artistike letrare do të jetë ndriçimi i ekzistencës së njeriut dhe botës që e rrethon. Ky ndryshim i paradigmës perceptimore, në letërsinë shqipe mëshirimin e vet do ta gjejë në roman, si një nga zhanret me mundësi të mëdha shprehëse dhe zbulimi të vër­te­tash për ekzistencën dhe natyrën e qenies njerëzore.
Si është manifestuar kjo paradigmë perceptimore e ndërgjegjes artistike në romanin shqiptar në harkun kohor 1990-2010 ? Sa ajo ka arritur që t’i shfrytëzojë hapësirat e zha­nrit romanor në funksion të zbulimit të realiteteve të qenies kombëtare e shoqërore shqi­ptare? Sa ka arritur ajo të depërtojë në zonat e qenies morale, psikologjike e njerëzore të njeriut të këtij nënqielli ? Cilat janë burimet që ajo i ka përdorur për ndriçimin e realitetit të gjendjes njerëzore të njeriut të këtij nënqielli? Sa ato burime janë treguar efikase për ndërtimin e refleksionit rreth marrëdhënies së unit tonë kolektiv me botën dhe me Tjetrin, si pjesë integrale e botës? Sa ndërgjegjja letrare artistike ka arritur që, përmes romanit, ta ndriçojë praninë e vetës sonë në botë dhe praninë e botës në veten tonë? Në të vërtetë, ro­mani shqiptar, i krijuar në harkun kohor 1990-2010, a është udhëhequr nga ideale të tilla refleksioni me qëllim ndriçimi të realitetit të gjendjes njerëzore të njeriut të këtij nën­qielli, apo ai është përdorur si fushë-loje për kënaqjen e vetvetes? Cilat metoda krijuese, cilat poetika dhe cilat mjete stilistike, kompozicionale e narratologjike, ndër­gjegjja artis­ti­ke i ka përdorur për materializimin e kuptimeve që ajo ka prodhuar për natyrën njerëzore brenda zhanrit romanor?
Pyetjet e tilla mendimin shkencor letrar e vënë para sfidave të reja njohëse; e vënë para mundësish pikëvështrimesh të reja analitike e sintetike për të hedhur dritë mbi thel­bin e gjendjes së romanit shqiptar brenda këtyre dy dekadave të ekzistencës së vet.
Duke marrë parasysh rëndësinë që ka për shkencën letrare shqiptare ndriçimi i gjendjes së romanit shqiptar brenda harkut kohor 1990-2010, kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të merrni pjesë në Sesionin shkencor me temënRomani shqiptar (1990 – 2010), të cilin e organizon Dega e Letërsisë e IAP-së në kuadër të aktivitetit të përvitshëm shkencor “Java e Albanologjisë” që e organizon Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Tezat: “ROMANI SHQIPTAR 1990-2010”
  • Bashkëkohësia dhe moderniteti i romanit shqiptar 1990-2010;
  • Romani dhe dija;
  • Temat dhe motivet e romanit të kësaj periudhe
  • Universalja dhe lokalja në romanin shqiptar (190-2010);
  • Postmodernizmi në romanin shqiptar të periudhës 1990 – 2010;
  • Elementet autobiografike në romanin e periudhës 1990 – 2010;
  • Stili dhe forma;
  • Pikëshikimet narrative dhe modeluese
  • Botëkonceptimet në romanin shqiptar në periudhën 1990 – 2010;
  • Refleksioni për gjendjen njerëzore në romanin shqiptar në periudhën 1990 – 2010;
  • Tipologjia e romanit në periudhën 1990-2010;
  • Ndryshimet tematike e formale në krahasim me romanin shqiptar të para vitit 1990;
  • Defabulizimi dhe fragmentarizmi i strukturës narrative;
  • Kontinuiteti i shkrimit të romaneve që nuk i “përfillin” trendet e reja stilistike;
  • Antitotalitarizmi, si ide dhe ideal në romanet e kësaj periudhe;
  • Angazhimi antitotalitar në kushtet e lirisë;
  • Romani si shprehje e kujtesës shoqërore;
  • Ndikimi i romanit botëror në romanin shqiptar të periudhës 1990 – 2010;
  • Romani shqiptar i diasporës;
  • Romani shqiptar (1990-2010) dhe utopia;
  • Diktatura komuniste jugosllave në romanin shqiptar;
  • Karakteristikat e personazheve dhe tiparet e karaktereve;
  • Tabutë dhe thyerja e konvencave;
  • Romani shqiptar dhe kiçkultura;
  • Romani shqiptar dhe teknologjia;
  • Romani shqiptar për fëmijë;
  • Romani shqiptar dhe kritika mbi të.
 
SESIONI I HISTORISË, 17 qershor 2015
Tema e bosht: “KËNDVËSHTRIMET E TË HUAJVE MBI SHQIPTARËT”
Tezat:
  • Autoret antike mbi paraardhësit e shqiptarëve
  • Çështja fetare te shqiptarët në optikën e udhëpërshkruesve të huaj
  • Shqiptarët në shkrimet e autorëve bizantinë
  • Trajtimi i figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe luftës së shqiptarëve ku­ndër osmanëve .
  • Raportet e tregtarëve të huaj mbi shqiptarët
  • Raportet e diplomatëve të huaj mbi shqiptarët
  • Misionarët e huaj në mjediset shqiptare dhe këndvështrimi i tyre mbi ta.
  • Shkrimet mbi shqiptarët në mjetet e informimit publik të huaj (gazeta dhe re­vi­s­ta)
  • Shtypi i përditshëm dhe ai periodik osman për shqiptarët
  • Relacionet e zyrtarëve osmanë mbi shqiptarët
  • Shqiptarët në shkrimet e autorëve osmanë
  • Trojet shqiptare në hartat e të huajve.
  • Udhëpërshkruesit e huaj mbi shqiptarët
  • Kontributi shkencorë i të huajve për albanologjinë
  • Personalitetet e shquara shqiptare në optikën e autorëve të huaj.
 SESIONI I FOLKLORIT, 18 qershor 2015
Tema e boshtFOLKLORI SHQIPTAR TE AUTORËT E HUAJ
Një sërë misionarësh, udhëpërshkruesish, hulumtuesish e studiuesish, të cilët që­n­dru­an për një kohë të caktuar në viset e Ballkanit edhe pse nuk patën për qëllim parësor studimin e shqiptarëve, u entuziazmuan nga folklori, zakonet dhe traditat shqiptare, dhe i vlerësuan si tipare shumë specifike për prezantimin e kulturës sonë. Kontakti, afërsia dhe mundësia e të bashkëjetuarit me banorët e këtyre zonave, ndikoi që shumë nga këta të huaj të mishërohen me mentalitetin, me mënyrën e të jetuarit, mënyrën e të shprehurit, të ushqyerit, të kënduarit, me mënyrën e të organizuarit të jetës, familjes e shoqërisë, por edhe me raportin shumë të veçantë që ndërtojnë shqiptarët me mikun – mikpritja shqi­p­tare.
Përballja me veçoritë etnike të shqiptarëve, me tiparet karakteristike të folklorit e traditës sonë, ka bërë që shumë prej tyre, të inspirohen për të shkruar libra për kulturën shqiptare, qoftë në formë ditarësh e përshkrimesh të përvojave personale, por edhe në formë studimesh që vijnë si rezultat i analizave e hulumtimeve të thella linguistike, his­torike, antropologjike, etj. Jo gjithmonë me qëndrime të drejta e të pranueshme për ne, por shumë herë të shprehura në mënyra realiste e pa hiperbolizime, veprat e këtyre au­to­rëve të huaj ishin dhe janë një mundësi e mirë për ta parë pasqyrimin tonë me sytë e tjetrit. Aq më tepër, kur e dimë faktin se veprat e këtyre autorëve, për një kohë shumë të gjatë ishin reprezentuesit e vetëm të kulturës sonë për botën joshqiptare. Të pëlqyeshme ose jo, të sakta ose jo, veprat e autorëve të huaj në të cilat janë trajtuar veçoritë tona, të folklorit, të traditës e vlerave të tjera etnike, e përbëjnë një trashëgimi të rëndësishme të kulturës sonë.
Prandaj, Dega e Folklorit ju fton që të paraqiteni me kumtesa ku do të trajtohen fol­k­lori dhe traditat shqiptare në veprat e autorëve të huaj, disa nga të cilët i kemi renditur më poshtë. Janë të mirëpritura edhe veprat e autorëve të huaj që dalin përtej kësaj liste, por të cilat kanë pasur për objekt trajtimi folklorin dhe traditat shqiptare.
Tezat: FOLKLORI SHQIPTAR TE AUTORËT E HUAJ
  • Evliya Çelebi (1611-1682)
  • François Pouqueville (1770-1838)
  • William Martin Leake (1777 – 1860)
  • Jernej Bartol Kopitar (1780 – 1844)
  • Vuk Stefanović Karadžić (1787 –1864)
  • George Gordon Bajron (1788-1824)
  • Johann Georg von Hahn (1811 – 1869)
  • Karl Reinhold (1834-1880)
  • Gustav Meyer (1850 – 1900)
  • Mathias Murko (1861 – 1952)
  • Edith Durham (1863-1944)
  • Holger Pedersen (1867 – 1953)
  • Franz Baron Nopcsa (1877 – 1933)
  • Milan Šufflay (1879 – 1931)
  • Dimitrije Tucović (1881 – 1914)
  • Maximilian Lambertz (1882 – 1963)
  • Rose Wilder Lane (1886 – 1968)
  • Fulvio Cordignano (1887 – 1952)
  • Milman Parry (1902 – 1935)
  • Albert Bates Lord (1912 – 1991)
  • Agnija Desnickaja (1912-1992)
  • Berit Backer (1947 – 1993)
  • Antonia Young
  • Robert Elsie
  • Jane C. Sugarman
  • Anna Di Lellio
SESIONI I ETNOLOGJISË, 19 qershor 2015
Tema e bosht: ETNOLOGJIA DHE GJINIA
Shoqëritë dhe struktura e tyre vazhdimisht janë vëzhguar dhe analizuar edhe nga aspekti gjinor. Në punimet e hershme antropologjike dhe etnologjike seksi dhe gjinia studioheshin si të pandara dhe të dhëna. Që nga vitet e 70 gjinia studiohet si konstrukt sho­­qëror i cili shpreh aspekte të ndryshme kulturore, sociale e politike. Në këtë kon­ferencë dëshirojmë të shohim një kontribut të studiuesve lidhur me çështjet gjinore dhe shkencën e etnologjisë duke analizuar aspektet e ndryshme shoqërore, kulturore e poli­tike, si bashkëkohore ashtu edhe tradicionale.
Edhe pse mund të mendohet se kërkohen kryesisht temat që kanë të bëjnë vetëm me gratë, gjendjen e tyre në kohë të caktuara por edhe në vijimësinë historike kulturore, të mi­rëseardhura janë punimet ku adresohen gjithashtu roli i maskulinitetit në shoqëri, por edhe “burrnia” si koncept më i ngushtë kulturor në të cilin reflektohen raportet shoqërore por edhe morale.
Përveç kësaj, çështjet e seksit dhe seksualitetit dhe formimi i grupacioneve me ide­ntitete të veçanta në përputhje me to, si dhe pranimi dhe adaptimi i tyre në shoqërinë e sotme, janë tema me shumë interes dhe të pashtjelluara deri më tash.
Një përvojë interesante në kulturën tonë në lidhje me seksin dhe gjininë dhe kons­tru­k­ti­met shoqërore e kulturore na paraqet kategoria e virgjëreshave të betuara.
Për ndihmesë po shtrojmë disa teza të mundshme të cilat edhe mund të zgjerohen me propozimet e juja.
Tezat: “ETNOLOGJIA DHE GJINIA”
  • Gjinia dhe ndarja e punës (në traditë dhe/apo në bashkëkohësi)
  • Gjinia dhe prona private/ trashëgimia
  • Gjinia dhe tabutë në kulturën tradicionale
  • Gjinia dhe sfera publike e private (në traditë dhe/apo në bashkëkohësi)
  • Gratë dhe transnacionalizmi
  • Gjinia, pushteti, shteti dhe përmbushja /mospërmbushja e kritereve demokratike
  • Gjinia, moderniteti dhe emancipimi gjinor
  • Gjinia, religjioni
  • Gjinia dhe pozita e hulumtuesit në studime (përvojat empirike)
 Afati për dërgimin e titullit  të kumtesës dhe të abstraktit të bashkëngjitur është 30 prill 2015.