Jahjaga: Sistemi drejtësisë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm

Lëvizja FOL, sot ka zhvilluar diskutimin e radhës në kuadër të Forumit FOL Hapur, ku e ftuar ishte Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga.
Petrit Zogaj tha se sot kemi nderin ta kemi Presidenten e vendit me të cilën do të diskutojmë për rolin e Presidentes në kushtetutshmërinë dhe funksionimin demokratik të institucioneve, sundimin e rendit dhe ligjit me theks të veçantë luftën kundër korrupsion si dhe konsolidimin ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.
Presidentja e Kosovës znj Atifete Jahjaga tha se sot në rolin e Presidentes së Republikës së Kosovës periudhë të cilën e kam kaluar në përpjekje të vazhdueshme të stabilizoj institucionin dhe ta ri-definoj rolin e Presidentit në ndërtimin jetës pluraliste dhe institucionale të Republikës së Kosovës duke jetësuar parimet kushtetuese që përbëjnë bazën e demokracisë sonë dhe garantojnë qëndrueshmërinë e Kosovës si shtet.
Në vitin 2011, kam trashëguar një zyre të politizuar që e ka paguar çmimin për përzierje në politikë ditore. Zyra e Presidentit të Kosovës është parë nga publiku i gjerë dhe votuesit e Kosovës si pjesë e marrëveshjeve të bërjes së koalicioneve mes dy apo më shumë partive tha Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga. Dhe si Presidentja e parë konsensuale dhe apartiake në historinë e Kosovës së pavarur, detyra ime e parë ka qenë që zyrën e Presidentit ta depolitizoj duke e hapur për qytetarin dhe të gjitha subjektet politike të cilave qytetarët e Kosovës ua kanë besuar votën.
Presidentja Jahjaga tha se shteti ynë duhet të udhëhiqet nga një ndër vlerat më të rëndësishme të Kushtetutës, atë të barazisë para ligjit. Sistemi jonë i drejtësisë, ashtu edhe siç parashihet në Kushtetutë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm. Na duhet më shumë përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kjo do të thotë më shumë rezultate konkrete. Angazhimi në këtë luftë është i përbashkët, edhe i institucioneve edhe i gjithë shoqërisë. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të ndalet dhe nuk mund të pengohet. Ne kemi identifikuar dhe zgjidhur shumë probleme në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, por barra kryesore bie mbi institucionet që kanë kompetenca ekzekutive në hetim, ndjekje dhe gjykim.
Shumë është folur e përfolur për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Në këtë çështje do të isha pak e rezervuar pasi që ende nuk e kam marrë një vendim, e drejtë dhe obligim i cili është nën diskrecionin tim. Zgjatja e procesit nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodh në zyrën time. Lëmshi i krijuar është pasojë e një tejzgjatje për shumë muaj tha Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga.
Presidentja e vendit tha se pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i duhej të dëshmohej si shtet, në forcimin e legjitimitetit të saj të jashtëm përmes njohjeve bilaterale, anëtarësimit në nisma rajonale dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar ura bashkëpunimi politike, kulturore dhe ekonomike, forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik që do të avancojnë marrëdhëniet bilaterale dhe do të forcojnë vlerat tona të përbashkëta.
Gjatë muajve të fundit kam takuar vazhdimisht institucionet përgjegjëse, por edhe përmes Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, me qëllim për të bashkërenduar në mënyrë efikase dhe për të përshpejtuar përmbushjen e kritereve të mbetura teknike në kuadër të Dialogut për Liberalizim të Vizave. Ne jemi pajtuar që të gjitha rekomandimet teknike do të adresohen deri në muajin maj. Unë jam e bindur që më në fund ky dialog do të fuqizohet dhe do të përmbyllet me sukses tha Presidentja Jahjaga.
Ajo tha se në fillim të verës ne presim gjithashtu që të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe në përafrimin e vendit tonë me familjen evropiane. Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje e vendosë Kosovën në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së për rajonin dhe fillimin konkret të procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Presidentja Atifete Jahjaga tha se unë besoj se Ballkani Perëndimor mund të arrijë të bëhet një rajon me demokraci të konsoliduar, i përparuar dhe me ekonomi funksionale të tregut dhe kontribuues i besueshëm euroatlantik për adresimin e sfidave globale.