Jahjaga krenare që “Kushtetuta shtrin sundimin e ligjit në gjithë Kosovën”

Institucionet e Kosovës sot kanë shënuar shtatë vjetorin e hyrjes në fuqi të aktit më të lartë juridik – Kushtetutës së Republikës. Në ceremonië solemne për nder të Kushtetutës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në shënimin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ajo me këtë rast, ndër të tjera tha:

“Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës, ditë në të cilën 7 vjet më parë u vunë themelet e shtetit tonë mbi premtimin se në realizimin e ëndrrës tonë për Kosovën shtet, vendin tonë do ta bëjmë vend të lirë, të pavarur, demokratik e të përparuar.

Ne duhet të jemi krenarë që kemi një Kushtetutë e cila shtrin sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, si garant i zhvillimit demokratik dhe që promovon barazinë e të gjithë qytetarëve.

Sot, kur po e shënojmë këtë përvjetor, dua t’i inkurajoj të gjithë ata që punojnë e guxojnë në bazë të parimeve e normave të kësaj kushtetute, që të vazhdojnë punën dhe shembullin për ta ndërtuar shtetin e së drejtës. Shteti i së drejtës duhet të jetë mision i përhershëm i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe realizimi i këtij nocioni e vetmja garanci që do ta bëjë Kosovën koncept të qëndrueshëm”.

Kryeministri Isa Mustafa tha se liria dhe pavarësia e vendit u kurorëzuan me Kushtetutën, e cila garanton barazi të njëjtë për të gjithë qytetarët e vendit. Mustafa, me këtë rast, nuk la pa përmendur planin e tij qeverisës, i cili sipas tij, do të garantojë zbatim të këtij akti më të lartë të shtetit në gjithë territorin, do të zhvillojë vendin dhe do të gjejë rrugën më të mirë për një të ardhme më të mirë.

Njëri ndër hartuesit e kësaj kushtetute dhe Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, para të pranishmëve, tha se për këtë ditë shumë motra dhe vëllezër tanë derdhën gjakun e tyre.