Jahjaga: Ikja nga Kosova nuk është zgjidhje

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Vushtrrisë, që është nga komunat më të prekura nga migrimi ilegal i javëve të fundit.
Presidentja Jahjaga u takua me kryetarin e komunës së Vushtrrisë, z.Bajram Mulaku, i cili e njoftoi për gjendjen në komunë, me theks të veçantë për trendin e largimit të banorëve të kësaj komune dhe migrimin e tyre ilegal.
Pas takimit me kryetarin e komunës, Presidentja Jahjaga bisedoi takoi shumë qytetarë të komunës së Vushtrrisë. Në bashkëbisedim të sinqertë me ta, Presidentja Jahjaga u njoftua me problemet e tyre dhe i porositi që të mos e lëshojnë vendin, sepse ikja nga Kosova nuk është zgjidhje.

Në vijim deklarata e Presidentes Jahjaga gjatë vizitës në Vushtrri:

“Erdha sot në komunën e Vushtrrisë, të bisedoj me secilin qytetar e të dëgjoj të gjitha brengat dhe të gjitha shqetësimet e tyre. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar për ikjen e qytetarëve tanë. Ne jemi të vetëdijshëm se Kosova nuk është shteti të cilin ne kemi dëshiruar që ta kemi sot, 15 vite pas përfundimit të luftës.
Por, zgjidhja nuk është tek ikja e qytetarëve tanë, sepse ne nuk kemi qytetarë për të ikur. Ne e dimë më së miri se çfarë është që ta lëshosh vendin, të ikësh prej vendit tënd.
Ne e dimë se procesi i shtetndërtimit nuk është një proces i lehtë, është një barrë e madhe e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë. Por, është kjo gjenerata jonë, e cila ka barrën më të madhe. Javën e ardhshme bëhen shtatë vite të pavarësisë së Kosovës, të procesit të shtetndërtimit të shtetit tonë. Këtë duhet ta bëjmë bashkërisht, institucionet dhe qytetarët e vendit tonë.
Në takimet me të gjithë qytetarët këtu në Vushtrri, unë kërkova që të apelojnë te familjarët e tyre, te dashamirësit e tyre, te të gjithë të afërmit e tyre, që zgjidhja nuk është në ikje. Ata nuk duhet ta lëshojnë Kosovën, sepse ata janë qytetarët e Kosovës dhe ne bashkërisht duhet të koncentrohemi në ndërtimin dhe në avancimin e shtetit tonë”.

 
Loading...