Ja e vërteta e trungut gjenealogjik të Hasan Prishtinës! (Foto)

“Mue n’idenë teme patriotike s’ka mujtë, as nuk do të mujë me m’shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me m’shtrue vetëm vdekja!” – Hasan Prishtina.
Hakan Ismet Berisha, nga Mitrovica, është familjari më i afërt i Hasan Prishtinës. Hakani shpjegon për familjen e tij se ajo kishte jetuar në Vushtrri, dhe prej kohësh ishte shpërngulur në Mitrovicë. Në Vushtrri kjo familje jetoi deri në vitin 1933/34. Atëherë këtë shtëpi, me më shumë se 30 ari truall, e kishin marrë serbët dhe e kishin shfrytëzuar për punë të Gjyqit Komunal.

 

hasan prishtina - gjenealogjia

Zejnullah begu dhe Hasan bej Prishtina kanë qenë djemtë e dy vëllezërve. Zejnullahu ka qenë i Abdullahut, kurse Hasani i Ahmetit. E, Abdullahu dhe Ahmeti kanë qenë të Aliut. Zejnullah begu kishte vetëm një motër, e cila ishte e martuar në Turqi, kurse Hasani e kishte vetëm një vëlla, Ymerin. Zejnullah begu, gjyshi i Hakanit, kishte katër djem, Qemajlin, Ismetin, Abdullahun dhe Besimin, si dhe dy vajza: Shukrijen dhe Naziren. Hasan Prishtina nuk kishte fëmijë. Ndër më të afërmit e tij ka qenë, Elma, vajza e të vëllait, Ymerit. Hakani i ka dy djem, Afrimin dhe Agronin dhe një motër e cila jeton në Prishtinë, e cila ka një djalë dhe një vajzë, që të gjithë me pasardhës.
Hakan Berisha: Veliqët (Veliu) e Polacit janë më të afërmit e Hasan Prishtinës!
Hakani shpjegon se si kishte qenë i ftuar në Lagjen Veliqi (Veliu), në Polac të Skënderajt, kishte qëndruar në truallin e të parëve të tij, aty ku i pari i tyre, Abdullah Veliqi, e ka varrin. Hakani aty, pas kaq viteve, ishte njohur me djalin e Rexhep Veliqit, me Zeqirin, babanë e të cilit gjithmonë e kishte respektuar për kushëri të vetin, si dhe ishte takuar e çmallur edhe me shumë të afërm e kushërinj, që konsiderohen dhe në realitet janë të afërm të Hasan Prishtinës. Hakani sot ka një fotografi ku janë Zejnullah begu dhe Rexhep Veliqi, por ka edhe fotografi familjare e dokumente arkivale që vërtetojnë se Hasan Prishtina dhe Zejnullah begu trungun familjar e kanë nga Lagjja Veliqi (Veliu) të Polacit.
Mehmet Prishtina (Aliuka mbiemri origjinal) s’ka lidhje me trungun e familjes së Hasan Prishtinës!
“Kur kam dëgjuar se ka dalë një njeri me mbiemrin (Mehmet) Prishtina dhe i njëjti njeri sot dezinformon se ai kinse qenkësh stërnip i Hasan Prishtinës, unë, Hakani, i kam i telefonuar stërnipit të Isa Boletinit, Gazmendit, me të cilin bashkë kemi shkuar në Shkup, dhe më dha dëshmi e fakte se, unë, Hakan Berisha, isha dhe jam pjesë më e afërt e Trungut të Hasan Prishtinës! Kjo është e vërteta që s’e luan as topi”, thotë Hakani.
Për prejardhjen dhe për gjenealogjinë e Hasan Prishtinës, historiani Prof. Dr. Muhamet Pirraku kishte filluar të interesohej nga fundi i viteve të ‘60-a të shekullit të 20-të, në të gjitha arkivat shtetërore të Jugosllavisë, të Vjenës, të Tiranës e të Shkodrës. Ai ka shënuar Kujtesën historike në Drenicë e në të gjitha viset e Kosovës, në Shkup, Tiranë e në Shkodër. Dhe, si në burime, ashtu edhe në kujtesën historike Hasan Prishtina, thuhet se rrjedh nga Vëllazëria stërgjyshore Veliqi (Veliu) të Polacit të Drenicës. Nëna e Hasan Prishtinës, gruaja e Ahmet Haxhi Ali Veliqit-Berishës, ishte vushtrriase, Nexhibe Haxhi Sallahu (sipas Fahri Buçincës është quajtur edhe Salih). Realisht, Haxhi Ali Veliqi, e dimë nga burimet arkivale se i ka pasur tre djem që kanë pasur trashëgimtarë. Të bijtë e Haxhi Ali Veliqit kishin miqësi e krushqi me: Mulla Haxhi Zekën (Pejë), me Ali pashë Dragën (Mitrovicë) me Zija pashë Gjinollin (Prishtinë) me Sylejman pashë Berishën-Prishtinën, me të bijtë e Emin Agës.
Unë, Hakan Berisha: Betohem në flamurin e kombit, e them të vërtetën
“Ky far Mehmeti Prishtina, mund t’i ndërrojë një mijë mbiemra, por një gjë duhet ta ketë të qartë ai, dhe krejt shqiptaria, se ky njeri mashtrues, lakmues i pasurisë së patundshme të Hasan Prishtinës, rrenacak dhe pa ndërgjegje prej njeriu, nuk ka lidhje, as me trungun familjar, e as me gjakun, as me gjenealogjinë familjare të Hasan Prishtinës! Ai nuk është dhe nuk mund të jetë pasardhës i Hasan Prishtinës, sepse Hasani nuk ka pasur as motër, as s’ka lënë pasardhës të vetin. Ngritjen e përmendores së Hasan Prishtinës, pastaj Mirënjohje për kontributin e patriotit e luftëtarit për bashkimin e trojeve etnike, është dashur ta bëjë shteti i Shqipërisë apo shteti i Kosovës, sepse Hasan Prishtina ka dhënë më shumë se çdokush për liri, për atdhe, për arsim, për bashkim… prandaj nderimet, Mirënjohjet, apo përmendoret, e të tjera, u takojnë t’i bëjnë dy shtetet: Shqipëria dhe Kosova, dhe jo të përqafohen, të puthen, ta falënderojnë atë njeri mashtrues, rrenacak, lakmitar mbi pasurinë dhe krejt çka la pas vdekjes i madhi Hasan Prishtina. Jam i befasuar”, shton Hakan Berisha, loza e Hasan Prishtinës, me faktin se si ka mundur të ndodhë që për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Kosovë të dekorohet me dekorata e mirënjohje si më i afërmi i Hasan Prishtinës, kurse në Shqipëri e në Maqedoni të dekorohet njeriu tjetër, që sipas Hakan Berishës nuk ka lidhje farefisnore me familjen e Hasan Prishtinës.
Hakan Berisha – loza më e afërt e trungut të Hasan Prishtinës!
Hakani në fund na i tregoi të gjitha dekoratat dhe mirënjohjet që ndër vite i ka ruajtur si trofe të vlefshme në shenjë nderi e respekti për Hasan Prishtinën. Prandaj, duhet të shkruhet e të thuhet, të reagohet e të punohet drejt e mirë, t’u thuhet ndal punëve jo të mira, sidomos keqinterpretimit (shtrembërimit) të fakteve historike për njerëzit e mëdhenj. Hakan Berisha mban Mirënjohjen që e ka pranuar në emër të familjes së Hasan Prishtinës.
“Epo, qe pra, unë, Hakan Berisha, si loza më e afërt e trungut të Hasan Prishtinës, asgjë më shumë nuk kërkoj, pos të mos i besohet, të mos përfillet, të mos ndihmohet dhe përkëdhelet njeriu i cili Hasan Prishtinën, ama nuk e ka as fis, as farefis. Unë nuk kam asgjë kundër Mehmetit, as kundër askujt që kontribuon për shtatoret dhe veprën e Hasan Prishtinës, por mos të ëndërrojë kush që do të mund ta blejë Hakanin me pare e ta shtrembërojë historinë e një njeriu aq të madh, siç ishte Hasan Prishtina… Na nuk mund të durojmë më, jemi shumë të zhgënjyer me këto veprime skandaloze”, thotë Hakani.
“Vëllezër, kujdes! Mos besoni këtij mashtruesi, rrenacaku, profiteri, sepse, sipas të gjitha burimeve tona, ky mashtrues me mbiemër të rremë të trungut të Hasan Prishtinës, gjithsesi është me dijeni dhe me përkrahje të armiqve të të gjitha fytyrave kombëtare që u vranë nga dora tradhtare e armiqve të Shqipërisë, të Kosovës, të shqiptarisë”, shton Hakani. /Riza Grajqevci/Shqipëria e bashkuar/
 
Loading...