Ja ballafaqimi direkt i Agim Bahtirit me pronarin e objektit 11 katësh në momentin e fillimit të rrënimit (Pamje)

Inspektorati  i Komunës së  Mitrovicës sot ka ndërmarr një aksion për rrënimin e një ndërtese 11-katëshe, të ndërtuar pa leje, në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë. Por, gjithçka ka përfunduar me rrënimin e një pjese të murit në katin e parë të objektit.

Investitori i ndërtesës, Fidan Muharremi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se disa zyrtarë të komunës së Mitrovicës (duke mos dhënë emra), i kanë kërkuar ryshfet në shumën 10 mijë euro, e pasi një gjë e tillë nuk u realizua komuna ka ndërmarr këtë veprim.

“Na kanë kërkuar ryshfet përgjegjësit komunal prej 10 mijë euro. Meqë ne nuk kemi pranuar,  ky vendim është marrë brenda tri dite që të ekzekutohet. Emrat janë të depozituar në polici. Ne kemi dhënë deklaratë dhe në polici për këtë çështje”, theksoi Muharremi për Telegrafin.

Ai tregoi se arsyeja e rrënimit të këtij objekti, sipas komunës, është për shkak të lejes së ndërtimit.

Mirëpo, siç tha Muharremi kërkesën për një leje e kanë bërë në muajin nëntor të vitit 2015 dhe sipas tij asnjë përgjigje nuk iu është dhënë nga komuna.

“ Arsyeja e rrënimit sipas tyre është për shkak të lejes por ne e kemi një numër të lëndës që e kemi bërë kërkesë në muajin nëntor të vitit 2015. Nuk na është kthyer përgjigje. Kemi prit deri në muajin e tretë ose të katërt të vitit 2016 dhe pastaj kemi vazhduar me punime. Kemi pritur diku 6 deri 7 muaj për të na kthyer përgjigje të cilën nuk e kemi marr dhe si e drejtë automatike ne kemi vazhdu me punime. Pas saj kanë ardhur inspektorët e kanë ndërpre punën por prapë se prapë ne nuk kemi pas vendim nga drejtoria e urbanizimit me ndërpre punën dhe nuk kemi pas përgjigje se çka me vepru tutje. E kemi përfunduar objektin në gjendjen që është”, sqaroi Muharremi.

Lexo tjetër  VV s’e do Thaçin negociator me Serbinë, kërkon që kjo çështje të kthehet në Kuvend

Ai po ashtu tha se vendimin për rrënimin e ndërtesës e ka marrë kryetari i komunës me drejtorin e inspektoratit.

Lexo tjetër  Aksident me fatalitet në Mitrovicë

“Vendim që nuk është i bazuar në organet kompetente. Lënda është e depozituar në gjykatë, komuna na ka bërë një padi në gjykatë jemi në proces gjyqësor me ta por këta kanë marr vendim personalisht për rrënimin e objektit dhe pa konsultën apo ndonjë vendim të gjykatës. E  kam aplikimin për leje të viti 2015 dhe cdo pëlqim cka kërkohet t për të aplikuar për leje. E kam dorëzuar projektin ideor, cdo dokument është me rregull me kontrata të lidhura, me pronarët e tokave, të vërtetuara te noteri në emër të firmës. Konkluzionin që ma ka dërguar komuna e ka dërguar në emër personal, nuk e kanë dërguar asnjë dokument në emër të firmës”, ka thënë ndër të tjera investitori i banesës, raporton Telegrafi.

Ndërsa, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se është duke vepruar në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.

Bahtiri, duke iu drejtuar investitorit Muharemi, tha se komuna e Mitrovicës ia ka tërhequr vërejtjen disa herë për ndërprerjen e punimeve, mirëpo ai ka vazhduar ndërtimin.

“Ju mirë e dini sa herë ka ardhur inspeksioni dhe i ka vendosur shiritat. Unë nuk jam për me rrënu. Sikur të kish qenë pronë e imja tash ta kisha dhënë dorën dhe ta kisha fal. Unë e udhëheq një institucion që kam përgjegjësi para qytetarëve që ta mbrojt ligjin deri në fund. Unë duhet të veproj në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës,e ato si kampit unë por Kuvendi i Kosovës. Ta kemi tërheq vërejtën disa herë dhe ti po thirresh në gjyq. Ju keni përgjigj nga komuna. Ju keni të drejtë ankese. Është gjyqi. Nëse komuna nuk të drejtë atëherë do t’ua kompensojmë krejt çka ka ndodh sot”, u shpreh Bahtiri.

Lexo tjetër  Qesharake, në testin për punësim në komunën e Drenasit ishte edhe kjo pyetje

E sa i përket akuzës për ryshfet, Bahtiri tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë.

Lexo tjetër  Aksident me fatalitet në Drenas

Ai tha se nëse vërtetohet një gjë e tillë, personat në fjalë nuk do të qëndrojnë as dy sekonda në vendin e punës.

“Kush është ai. Kush të ka kërkuar ryshfet? Kurrë në jetë ashtu diçka nuk guxon të ndodh. Kush ka lyp, kush vërtetohet që ka kërkuar ryshfet, të garantoj me jetë se ai dy sekonda s’mund të rri aty”, u shpreh i revoltuar Bahtiri.

Ndërkaq, aksioni i rrënimit të ndërtesës 11-katesh, është ndërprerë dhe rreth saj shihet vetëm një shirit. /Telegrafi/