Ivanov refuzon t’i japë Zaevit mandatin, Parlamenti mund të mblidhet së shpejti

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov të hënën ka theksuar se nuk do t`ia japë mandatin liderit të Social Demokratëve Zoran Zaevit pasi që siç theksohet në komunikatën drejtuar mediave nga kabineti i tij, akoma nuk janë shmangur pengesat për të ndarë mandatin.

Më 1 mars Ivanov në një paraqitje drejtuar opinionit tha se platforma e partive shqiptare sic u shpreh ai ‘platforma e Tiranës’ paraqet pengesë për mos ndarjen e mandatit ngase ajo siç tha rrënon karakterin unitar të Maqedonisë si shtet.

Qëndrimi i përsëritur i presidentit Ivanov vjen pas insistimit të Social Demokratëve që presidenti Ianov t’ia ndajë mandatin Zoran Zaevit ngase programi qeveritar i prezantuar të premten nga ai dëshmoi se në asnjë mënyrë nuk cenohet karakteri unitar i shtetit.

“Programi i Qeverisë së re reformuese e garanton unitaritetin e shtetit dhe siguron zhvillim dhe përparim të vendit, për këtë arsye Gjorge Ivanov është i detyruar ta respektojë Kushtetutën, t’ia japë mandatin kryetarit Zaev, i cili siguroi 67 nënshkrime për formim të Qeverisë dhe të mundësojë transfer të qetë të pushtetit”, theksohet në kumtesënpër media të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë.

Social Demokratët shprehen të bindur se presidenti Ivanov do të jetë i detyruar të ndajë mandatin brenda dhjetë ditëve pas mbledhjes së parlamentit dhe konstatimit të një shumice të re parlamentare pa precizuar se cilën ditë do të mund të mblidhej parlamenti me iniciativë të 20 deputetëve.

Burime për Radion Evropa e Lirë thonë se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë po zhvillon bisedime me partitë politike shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit të Maqedonisë dhe me gjasë parlamenti pritet të thirret të enjten e kësaj jave.

Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, për Radion Evropa e Lirë thotë se pret nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë të marrë guximin që me ndëshkimet e 20 deputetëve të thirret seanca parlamentare dhe të zgjidhet kryetari i ri parlamentit.

“Presim që LSDM e cila në rastin konkret ka numrin më të madh të deputetëve sesa ne. Tani presim që zoti Zaev të ndërmarrë hapa konkret drejt konstituimit të parlamentit. Në politikë kërkohet dhe guxim dhe ai duhet të tregohet i guximshëm në këtë moment nëse presidenti Ivanov nuk e ndan mandatin 20 deputetë mund të marrin iniciativë për mbledhjen e kuvendit ose ta detyrojnë drejtuesin e mbledhjes konstituive të thirrë mbledhje për përzgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit”.

“Si LR PDSH, qëndrojmë pas kësaj dhe gjatë bisedimeve kemi theksuar se një nga tri postet kyçe të shtetit, presideni, kryetari i parlamentit dhe Qeverisë, duhet t`ju takojë shqiptarëve”, thotë Arben Taravari sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokrate Shqiptare.

Ndërkohë nga Lëvizja Besa shprehen se janë në pritje të ndërmarrjes së iniciativës për mbledhjen e Parlamentit dhe zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.

“Do të presim të shohim nëse do të ketë ndonjë lëvizje konkrete për zhbllokimin e parlamentit dhe pas kësaj do të marrim qëndrim si parti”, thotë Orhan Murtezani zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Njohësit e çështjeve politike thonë se nuk duhet humbur kohë meqë në rrethana kur presidenti Ivanov refuzon të ndajë mandatin rruga e vetme për zhbllokimin e krizës politik mbetet mbledhja e parlamentit ku do të zgjidhej kryetari i ri duke reflektuar një shumicë të re parlamentare si rezultat i zgjedhjeve të 11 dhjetorit vitin e kaluar.

“Si e para duhet që në një afat sa më të shkurtër kohorë të zgjidhet kryetari I ri I parlamentit të Maqedonisë që të vetëdisohemi të gjithë ne për shumicën e re parlamentare e cila doli nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe menjëherë pas kësaj duhet të filojnë bisedat për qeverinë e re”, vlerëson Nikolla Dujovski analist politik, duke shtuar se “nuk duhet pasur frikë nga protestat kundër të drejtave të shqiptarëve, ngase në esencë këto protesta janë në funksion të mbrojtjes së pushtetarëve aktual që duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë”.

Konstituimi I parlamentit pritet të mbahet në një atmosferë të tensionuar, në njërën ana presidenti Ivanov refuzon të ndajë mandatin dhe anën tjetër lideri I VMRO DPMNE Nikolla Gruevski ish kryeministër, ka intensifikuar kërcënimet për destabilizimin e vendit, si shenjë revolte e popullatës pasi partia e tij nuk arriti të formojë qeverinë pavarësisht se ka siguruar dy ulëse më shumë në parlament kundrejt LSDM.

VMRO-DPMNE të hënën përmes një komunikate drejtuar mediave ka kërkuar që LSDM publikisht dhe qartë të heqë dorë nga platforma e Tiranës dhe elementet në të, të cilat, siç ceket në kumtesë, do ta ridefinojnë Republikën e Maqedonisë, e cila nga një shtet shumë etnik do ta shndërronin në shtet binacional.

Nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se revolta tek populli nga, siç thonë, politika e këtillë jo e sinqertë dhe retorika e Zaevit dhe LSDM-së, po bëhet gjithnjë e më e madhe.

Ndërkohë në vazhdimësi, zyrtarët e lartë të BE­-së dhe SHBA-së u kanë bërë thirrje forcave relevante politike në vend dhe veçanërisht presidentit Ivanov që sa më shpejtë të ndaj mandatin për t’i hapur rrugë formimit të një qeverie e cila në agjendën e saj do të vendos si prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. (REL)

   
Loading...