IPK hetoi 305 policë për vepra penale

Inspektorati i Policisë së Kosovës përmes një raporti ka bërë publike aktivitetet dhe rezultatet e angazhimit të saj gjatë vitit të kaluar.
Në përputhje me objektin e veprimtarisë së IPK-së që është parandalimi, zbulimi, dokumentimi dhe hetimi i veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj, Inspektorati Policor ka trajtuar të gjitha ankesat që i janë adresuar, thuhet në fillim të raportit.
Nga muaji janar deri në muajin dhjetor të vitit 2014 në Inspektoratin Policor të Kosovës janë trajtuar njëmijë e treqind e katër ankesa nga qytetarët dhe institucionet e ndryshme. Nga këto, 233 kanë qenë raste me elemente të veprës penale, të cilat janë hetuar nga Departamenti i Hetimeve. Në total ishin 305 punonjës të PK-së si subjekt i hetimit nga IPK-ja. Të paraqitur në përqindje kjo i bie që vetëm 3.4% i punonjësve të PK-së ishin nën hetim apo 0.6% më pak se vitin e kaluar.
Nga këto raste me elemente të veprës penale në prokurori janë përcjellë 132 kallëzime penale, 86 raste janë dërguar me raport të veçantë kurse 15 raste janë në proces në IPK, shkruan “Koha”.
Po ashtu 957 raste që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës.
Masat dhe rekomandimet e dhëna nga IPK-ja gjatë vitit 2014, të cilat kanë ardhur si kërkesa dhe nevoja gjatë zhvillimit të hetimeve janë: 20 arrestime nga ana e IPK-së, 64 rekomandime për suspendime, dhe 13 rekomandime për transfer.
Gjatë viti 2014 IPK-ja ka hetuar 83 vepra penale me elemente të korrupsionit dhe veprave të tjera kundër detyrës zyrtare, ndër të cilat më të shpeshtat kanë qenë: 48 vepra keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, 12 vepra falsifikim i dokumentit zyrtar, 10 vepra të marrjes së ryshfetit, 4 vepra të ushtrimit të ndikimit, 4 vepra zbulim i fshehtësisë zyrtare, 2 vepra të dhënies së ryshfetit, 1 vepër të përvetësimit në detyrë, 1 vepër të mashtrimit dhe 1 vepër të konfliktit të interesit.
Një ndër funksionet bazë të Inspektoratit Policor të Kosovës është edhe zhvillimi i inspektimeve ndaj Policisë së Kosovës. Këto inspektime realizohen në mënyrë që përmes tyre të bëhet identifikimi dhe parandalimi i çfarëdo devijimi nga aktet ligjore dhe procedurat me të cilat funksionon Policia e Kosovës. Për secilin inspektim hartohen raporte në të cilat prezantohen të gjeturat, të cilat pasqyrojnë punën dhe efikasitetin e menaxhmentit të Policisë së Kosovës si dhe jepen rekomandimet lidhur me efikasitetin, efektivitetin dhe pajtueshmërinë e punës policore me ligjet në fuqi.
Në përputhje me planin vjetor 2014 të Departamentit të Inspektimeve, IPK-së ka realizuar pesë inspektime të rregullta dhe dy të jashtëzakonshme.
IPK vlerëson lart bashkëpunimin me ICITAP-in Amerikan, i cili është i rëndësisë së veçantë dhe ka karakter shumëdimensional.
Ky bashkëpunim, përveç natyrës këshillëdhënëse dhe mbështetëse, ka ndihmuar IPK-në edhe në ndërtimin e kapaciteteve.