“Ia vranë dy djemtë, mërzinë e heq duke u kujdesur për kopenë e deleve”

Shkrimtari i njohur Milazim Krasniqi sapo ka publikuar një poezi që të mbushë sytë me lot. Poema e tij ka subjekt jetën e Sabri Popajt nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, të cilit më 25 mars 1999, forcat serbe ia kanë ekzekutuar para syve të tij të dy djemtë, që kanë qenë të moshës së mitur.

Në atë masakër atij ia kanë vrarë edhe vëllain, Nazmiun, dy djemtë e vëllait dhe shumë kushërinj e fqinj, burra, pleq, gra e fëmijë. Ai tregon se tërë atë tragjedi e ka vrojtuar nga një kanal, diku dyqind metra larg, ku ishte fshehur, që të mos e pësonte edhe vetë. Ai tregon se si në netët në vijim, fillimisht krejtësisht i vetmuar, më vonë i ndihmuar nga dy bashkëfshatarë, i ka varrosur natën djemtë e vet, të vëllain dhe nipat e tij, si edhe të gjitha kufomat e tjera të asaj masakre. Ai tregon se si tërë natën hapte varre e i varroste kufomat, duke hyrë nëpër shtëpitë e mbetura pa banorë e duke marrë atje batanije, që t’i mbështillte të vdekurit me to, meqë nuk kishte qefin. Po ashtu mblidhte shishe dhe në to fuste emrat e të varrosurve, që të ruhej identiteti i tyre.

Sabri Popaj ka dëshmuar për këtë masakër në Tribunalin e Hagës, kundër Sllobodan Millosheviqit. Sabri Popaj ka një kope dhensh, me të cilat e kalon një kohë si blegtor në malet e Sharrit.

 

ARRATISJA E SABRI POPAJT*

Në mal kam dalë fillikat, me dhen,
I shoh si kullosin në hesap të vet,
Me mirë kuvendoj këtu me një qen
Se sa me njerëz të tromaksur në fshat e qytet.

Me orë të tëra vëzhgoj shqiponjat
Që fluturojnë si të bënin një lojë.
Harkimet e tyre më duken si shkronjat
Që të zbulojnë një sekret e të lënë pa gojë.

Ne themi që jemi bij shqipesh antike
Të stuhioreve** që ngrihen me vërtik,
Por ngaherë nuk jemi specie heroike
Përngjasojmë më shumë me zvarranikë.

Shqiponjat kanë shikim të mprehtë
Dhe flatra të forta si gur mulliri.
Ndërsa lëvizja jonë është e mefshtë
E dymendur, si një lutje monotone fakiri.

Shqiponjat guxojnë edhe të arratisen
E kthehen prapë, aty ku e kanë folenë.
Ndërsa ne kur ta bëjmë njëherë braktisjen
Fillojmë ta urrejmë me shpirt atdhenë.

Nuk e di ç’do të bëja pa fluturimin e tyre
Dhe pa arratisjen time këtu.
Do të bëhesha si zhguall prej mynxyre
Dhe me mua do të talleshit edhe më shumë ju.

Kur shoh këtu shqiponjat duke u ngritur
Më duket se shoh bijtë e mi duke më ardhur,
Të rilindur dhe tejkohe të përtëritur,
Nga udhëtimi i gjatë nëpër qiej të zbardhur.

Më duket se më afrohen e më thonë:
Baba, ne erdhëm të të shohim dhe një herë,
Pasi atë ditë të lamë në komë,
Të rënë përmbys mbi atë përrua të mjerë.

Nuk arritëm të ta jepnim lamtumirën, baba,
Se plumbat na goditën si një vetëtimë.
Dita u ngrys e shpejt ra nata hata,
Një natë që bebëzat na i mbushi harrim.

Nuk po vdisnim ne, por ty po të linim
Të rënë përmbys në atë shkurre të tharë,
Që do të vinte liria tashmë ne e dinim
Por, pa ne do të ishte si një shqiponjë e vrarë.

Në një këso çasti bijtë e mi më humbasin
Në varganin e reve të bardha si borë,
Megjithëse më duket vazhdojnë të më thërrasin
Mua që ngrij me këtë shkop në dorë.

Ata kthehen sërish sipër reve, në qiej,
Atje ku nuk arrin shikimi e as mendja ime,
Por, nuk e di si ua ndjek fluturimin, si i ndjej
Pranë, si të ishin të futur në gunën time.

Prandaj ma do shpirti në këtë bjeshkë të rri
Në furtunë, në cikmë, në shi e në dëborë,
Të pres djemtë që vijnë e kthehen përsëri
Duke ma mbushur zbrazëtirën në kraharor.

Nuk kam pse kthehem në rrafsh e në qytet
Atje ku po e shkrryeni mizorisht lirinë.
Po e pres shpëtimin këtu krejt i qetë,
Ta zdesh si një gunë të ndotur tejmërzinë.

Ju të çliruarit atje poshtë, vazhdoni
Gjaknxehtë t’ia nxirrni sytë njëri-tjetrit,
Por, lirinë që e shkërryeni a e meritoni
Ajo u erdhi nga gjaku i Agonit dhe Shëndetit***

Liria që fitohet nga gjaku i djemve rioshë
Dhe nga vuajtjet e grave fatmjera,
Liri nuk është, o burra sarhoshë,
Ajo është një sprovë për kohët e tjera.

Ju vazhdojeni luftën që nuk e bëtë,
Unë po u shikoj me neveri nga kjo majë.
Lirinë e gjakut të djemve të mi, si e zhbëtë,
Po ku do ta fshihni kokën pas zhbërjes së saj?.

Pa atdhe e pa liri ne e kemi provuar jetën,
Që nuk na vlente as sa një samar gomari,
Por, ne mësuam që moti ta fshehim të vërteten
E të gënjenim se ka trimëri shqiptari.

E provuam edhe kësaj here veten
Dhe ramë përposh, ramë në humnerë.
Guximi e burrëria si kripa në ujë na u tretën
Dhe e pamë veten të mjerë e të stërmjerë.

I pamë si na i vranë para syve fëmijët tanë
I pamë dhe si na i dhunuan gratë e motrat.
I pamë si na grinë e si na vranë,
Si na i dogjën edhe varret edhe votrat.

I patë të gjithë ju, siç i pashë edhe unë
Me zemër të ngrirë, me sy të errësuar.
As unë nuk bëra ndonjë trimëri, ndonjë punë
Megjithëse bëra një varrim të padëgjuar.

Ato ditë/ net që më ngërdhesheshin si shtriga
E zbraznin tërbimin e huaj mbi jetët tona,
Unë nuk dija gjë për Sofokliun nga antika,
Nuk e kisha idenë kush kishte qenë Antigona.

Atij lloj varrimi nga e para duhej t’ia filloja
Pasi që kujtesën na e kishte fshirë barbaria,
Nga e para do të duhej vetë ta përjetoja
Atë gjëmë që e kishte provuar veç njëherë historia.

Më vonë, shumë më vonë, e mora vesh
Që Antigona e theu një dekret,
Ajo kishte varrosur veç një vëlla të lënë në shesh
E jo si unë, që varrosa gjashtëdhjetë.

Ajo e kishte një kufomë, vëllanë, e kishte lehtë,
Ndërsa unë nga t’ia filloja më parë,
Nga im vëlla Nazmiu a nga bijtë e mi të shtrenjtë,
A nga kufoma fëmijësh të tjerë, që dergjeshin në bar.

Ishte e zorshme të krijoja një radhë me mend
Sepse kisha harruar edhe të numëroja.
Prekja gishtërinjtë, po nuk i ndieja në vend,
Fërkoja sytë me thonj, por asgjë nuk shikoja.

Nuk e dija as kush isha dhe pse isha aty kot
Sabri Popaj po thua, nuk e di a jam, a je i sigurt?
More, mos jam ëndërr unë e nuk po zgjohem dot?!
E po si mund të zgjohet një njeri i gurtë?

Po pastaj e rrokja qartë me mend
Se isha unë, Sabri Popaj, dhe se isha i zgjuar,
Dhe se duhej të formoja patjetër një rend
Nga kufoma e djalit të vogël, që e mbaja në duar.

Kush po më ndihte ta dija se kush isha tevona
Dhe se çfarë duhej të bëja vërtet?
Nuk e besoj se ishte ajo motra fatzezë, Antigona,
E dalë nga miti dhe e rikthyer në jetë.

Nuk ishte ajo dhe nuk kishte si të ishte
Sepse atë e paskëshin pasur vrarë sipas ligjit.
Zëri që më fliste, në të vërtetë, zëri im ishte,
I dalë nga thellësia e panjohur e shpirtit.

Duke ndjekur atë zë që më dilte i mnerët
e nisa varrimin prej Shëndetit e Agonit,
Pastaj vëllain e nipat dhe me radhë të tjerët
Secilin me një lutje sipas zakonit.

Ditën strukesha nëpër shtëpitë-rrënoja,
Mblidhja batanije për t’i përdorë si qefin,
Emrat e të vdekurve nëpër shishe i shënoja
E nën krahë secilit të varrosur ia lija si një kujtim.

Ta dinte toka e zezë cili ishte banori i saj i ri
Dhe ne ta dinim kush kishte qenë ai për të gjallë,
Me shpresën e mjegullt që kur të vinte e shtrenjta liri,
T’i rivarrosnim me nderim e t’i ritakonim me mall.

Natë pas nate e varr pas varri, të gjithë i varrosa
Të gjithë, në atë varrezë pa asnjë epitaf.
Krejt në fund edhe pallton time e groposa,
Të kishte edhe shpirti im një kenotaf.****

Sepse aty e kam varrosur edhe veten për së gjalli
Dhe, jam arratisur e nuk kthehem më.
Edhe në më pjektë mërzia, edhe në më djegtë malli
As kthehem prapa, as lëshoj një zë.

Jam bërë gur nga dhembja dhe jam shkrumbuar
Nga dhembja që nuk e përshkroi as Sofokliu,
Jam blegtor me gunë, me shkop në duar
I rilindur, i përtëritur, unë jam vetë Sabriu.

Dhembjen dhe frikën unë i mposhta vetë
Me durimin që se nga vinte e më bënte trim.
Ndërsa lirinë time tashmë e ruaj përjetë
I arratisur nga liria juaj, të cilën e ndotët me krim.

29 nëntor 2105

* Sabri Popajt nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, më 25 mars 1999, forcat serbe ia kanë ekzekutuar para syve të tij të dy djemtë, që kanë qenë të moshës së mitur. Në atë masakër atij ia kanë vrarë edhe vëllain, Nazmiun, dy djemtë e vëllait dhe shumë kushërinj e fqinj, burra, pleq, gra e fëmijë. Ai tregon se tërë atë tragjedi e ka vrojtuar nga një kanal, diku dyqind metra larg, ku ishte fshehur, që të mos e pësonte edhe vetë. Ai tregon se si në netët në vijim, fillimisht krejtësisht i vetmuar, më vonë i ndihmuar nga dy bashkëfshatarë, i ka varrosur natën djemtë e vet, të vëllain dhe nipat e tij, si edhe të gjitha kufomat e tjera të asaj masakre. Ai tregon se si tërë natën hapte varre e i varroste kufomat, duke hyrë nëpër shtëpitë e mbetura pa banorë e duke marrë atje batanije, që t’i mbështillte të vdekurit me to, meqë nuk kishte qefin. Po ashtu mblidhte shishe dhe në to fuste emrat e të varrosurve, që të ruhej identiteti i tyre. Sabri Popaj ka dëshmuar për këtë masakër në Tribunalin e Hagës, kundër Sllobodan Millosheviqit. Sabri Popaj ka një kope dhensh, me të cilat e kalon një kohë si blegtor në malet e Sharrit.
** Fjalë e re, me këtë kuptim figurativ: shqiponjat janë stuhia vetë.
*** Emrat e dy djemve të Sabri Popjat, të cilët ia vranë forcat serbe.
**** Varr i zbrazët, në të cilin futej një rrobë e një personi të vdekur, të cilit nuk i ishte gjendur trupi. Në Greqinë antike besohej se edhe shpirtit të të vdekurit të pavarrosur i duhej një varr, ku do të kthehej të gjente prehje.

 
Loading...