Hysni Mehani: Epoka e Çezar Samiut

Shkruan Hysni Mehani, asamblist i VV-së në Skenderaj

Çdo Pernador dëshiron ta kthejë kohën tek ZERO-ja. Më ‘Hirësinë e Tij’ të filloi ndërtimi i botës dhe numërimi i kohës. Çezari nuk luftonte për madhështinë e Romës, por për madhërinë e Çezarit, saqë djali vret të atin në emër të Romës për tu bërë vetë Çezari.

Çezar Samiu sundoi gjatë në Skenderaj dhe njihet për të bëmat e ‘Hirësisë së Tij’.

Disa nga të arriturat e Çezar Samiut,

Ju kujtohet barnatorja e qytetit? Atë ‘Hirësia e Tij’ e shndërroi në kafe ku të rinjtë kalojnë kohën e lirë. T’i shohësh të rinjtë se si kuvendojnë si zogj, si pëllumba, e ta mendosh se ai vend përdorej për t’iu dhënë ilaçe të sëmurëve. Të sëmurët që veç rënkonin. Nuk kemi kohë të dëgjojmë rënkimet e të sëmurëve. Është koha të argtohemi. Nuk ka vend për sëmundje në kohën e ‘Hirësisë’. Kjo i sjellë ters lavdisë së tij.

Po barnatorja bujqësore, ju kujtohet? ‘Hirësia e Tij’ e rrënoi. Aty u ndërtua një banesë e madhe 9 katëshe.

Po ai restauranti ‘Freskia’ në fillim të sheshit, që më parë ishte ‘Hotel Pranvera’ dhe dalëngadalë u tjetërsua, e qyteti mbeti pa Hotel, ju kujtohet? Edhe atë ‘Hirësia e Tij’ e rrënoi. Aty u ndërtua një banesë tjetër 9 katëshe.

Përballë këtyre veprave madhore të ‘Hirësisë së Tij’ edhe permendorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari duket e vogël. Edhe pak kohë i duhej ‘Hirësisë së Tij’ që këtij sheshi t’ia ndërronte emrin, nuk do quhej më sheshi, por tuneli “Adem Jashari”. Shokët nga dëshira për t’i qenë sa më pranë, po e rrethojnë me pallate komandantin.

Po Shtëpia e Kulturës, ju kujtohet? Atë ‘Hirësia e Tij’ nuk rrënoi, njërën pjesë ‘Hirësia’ ia dha një familjari të tij tu shërbente kafe qytetarëve. Ndërsa në pjesën tjetër falë ‘Hirësisë së Tij’ mund të kryejnë aktivitet të interesuarit. Shkëlqesia e la në dorën e tyre të zgjedhin partnerin. Më e shumta që duhet të paguajnë të interesuarit është një kuti cigare rojës. Shtëpia e Kulturës është për të bërë qejf. ‘Lavdi Hirësisë’.

Lexo tjetër  A po e shihni ku e ka katandisur Kosovën Plani i Ahtisarit?!

Po stacioni i autobusit, ju kujtohet? Atë ‘Hirësia e Tij’ e rrënoi. Aty u ndërtua një objekt i madh biznesi, s’ka rëndësi që mbeti bosh. Aty do ta keni, falenderoni ‘Hirësinë’, o mëkatarë.

Lexo tjetër  Nëse opozita konsumon drogë – pushteti shet!

Ato lokalet e vogla buzë rrugës, ku tregtarët ekzpozonin produktet e tyre, ju kujtohen? ‘Hirësia e Tij’ i rrënoi, të gjitha. Ndërtoi lokale të reja ‘moderne’. Tregtarët ishin të lirë që të blinin ndonjë lokal nga ‘Hirësia e Tij’ ose të zhdukeshin. Ruana Zot nga hidhërimi i ‘Hirësisë’.

Po shkollat, ju kujtohen? ‘Hirësia e Tij’ i rrënoi shumicën nga to. Ka ndërtuar shkolla të reja. Aty punësohen të afërmit e ‘Hirësisë’ që të nxjerrin gjenerata për t’i shërbyer dhe lavdëruar madhërinë e tij. T’i shohësh se si i nxjerrin nga shkolla të rinjtë e pashpresë që t’i duartrokasin ‘Hirësisë së Tij’ në kohë fushate në kërkim të shpresës.

‘Hirësia’ nuk la asnjë gjurmë që këtu kishte luftë. E ka për turp që të vijnë delegacione të huaja dhe ta kuptojnë që ‘Hirësia e Tij’ nuk i mbrojti dot qytetarët e tij. Madje edhe kompleksin memorial “Adem Jashari” ‘Hirësia e Tij’ e dërgoi buzë rrënimit. Po të vazhdohet me logjikën e ‘Hirësisë së Tij’, aty ndërtohet një pallat shumë i madh. T’i fshehim gjurmët e pushtuesit dhe të ngrejmë perlat e ‘Hirësisë’ që dëshmojnë se gjithçka në këtë vend filloi me epokën e ‘Hirësisë së Tij’. Këtu s’kishte kurrë armiq. Këtu ishte çdoherë ‘Hirësia’.

‘Hirësia e Tij’ kur po humbiste shkëlqimin, bëri një akt të pa parë gjer më sot për njerëzimin. I hapi rrugën një ‘Hirësie’ tjetër që t’ia zënte fronin duke ia dhënë vetë nënshkrimin.

Por ‘Hirësia i ri’ më të ardhur në fron i shkeli premtimin. ‘Hirësia i ri’ dëshiron që koha të filloi numërimin me të. Ndaj dhe dëshiron të rrënoi gjithcka që ‘Hirësia i shkuar’ ndërtoi me aq shumë ‘mund’. Për fillim të mbarë, filloi me një “Park Biznesi” larg gjithçkaje që i kujtonte ‘Hirësinë e shkuar’.

Lexo tjetër  Terrori i tankeve serbe në Kosovë Lindore

‘Hirësisë së ri’ i kërkuam që të mos e përsërisë ‘Hirësinë e vjetër’, por ‘Hirësinë e ri’ e zuri histeria, thirri mediat dhe dha kumtin; o milet, tradhëtar filani, tradhëtar fisteku, kopallgji ai tjetri. Ngaqë nuk kishte media, kumtin po e transemtonin live të zgjedhurit e popullit, përse të perqojnë në kuvend zërin i qytetarit, kur mund të transmetojnë live zërin e ‘Hirësisë’.

Lexo tjetër  Gjenerali i harruar

‘Hirësia i ri’ ua dëshmoi të gjithëve së ka ndryshuar vetëm emri i Çezarit, jo nami i ‘Hirësisë’. Që të harrojë gjithçka që i kujtonte ish-hirësinë, ‘Hirësia i ri’ largoi nga puna qysh ditët e para edhe rojën te dera e komunës. Nuk mund ta duronte atë dreq roje të heshtur, pa fjalë që kryente punën e tij dhe më atë rrogë ushqente familjen. Ky roje nuk i ngjasonte aspak ‘Hirësisë së shkuar’, por ç’t’i bësh që ‘Hirësisë së ri’ i kallte datën si të ishte vetë ish-hirësia i mallkuar. Kot që i lutej roja për kafshatën e gojës së fëmijëve ‘Hirësisë. ‘Hirësia’ nuk gabon kurrë, ai ka gjithmonë të drejtë, e as s’kanë pse t’i luten që ta tërheq vendimin.

Kur vjen ‘Hirësia i ri’, e shkon ‘Hirësia i vjetër’; ruana Zot mos t’i shkojë në mendje ‘Hirësisë’ të na ndërrojë me një specie tjetër..