Hoxha i Drenicës, Musli ef. Bajraktari, në shërbim të fesë dhe të atdheut

Eset Bajraktari

Përkujtim në njëvjetorin e vdekjes

Mulla Musli (Nazif) Bajraktari lindi më 2 nëntor 1940 në fshatin Kishnarekë të Komunës së Drenasit, në një familje me traditë fetare e atdhetare. Shkollën fillore e kreu në Kamoran, të mesmen në Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë. Pas përfundimit të Medresesë, më 1969, filloi punën si imam në xhaminë e fshatit Kamoran, detyrë të cilën e kreu me përkushtim dhe devotshmëri.

Mulla Musliu ishe njeri i urtë, i qetë dhe i ngrohtë me masën, andaj shumë shpejt e përfitoi simpatinë dhe respektin e xhematit jo vetëm të xhamisë së Kamoranit, por në tërë Drenicën dhe më gjerë.

Ishte punëtor i palodhshëm, bashkëpunues e bashkëveprues, përkrahës i krijimit të institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Meqenëse punoi e veproi në kohë e kushte të vështira, mulla Musliu qe nismëtar kryesor për themelimin e Këshillit të BI-së për Drenas, me qëllim që të bëhej një organizim më i mirë i jetës fetare në trevat e Drenicës.

Në vitin 1980 zgjedhet kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, funksion të cilin e kreu me përgjegjësi dhe ndershmëri, 20 vjet, deri në vitin 2000. Gjatë kësaj periudhe ai ngriti dhe zhvilloi strukturën organizative të këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, organizoi jetën fetare islame. Hoxha ishte i përkushtuar për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj dhe lirisht mund të thuhet se ishte bartës kryesor i organizimeve fetare dhe atdhetare të kohës në Drenicë dhe më gjerë.

Mulla Muslia me ndershmëri dhe dashuri të madhe e ushtroi detyrën e imamit deri në vitin 2000 ku dhe u pensionua. Gjatë periudhës sa ishte kryetar i Këshillit të BI-së në Drenas, ka pasur një angazhim të veçantë në ndërtimin e xhamisë në qytetin e Drenasit, pavarësisht pengesave që iu paraqitën nga ish-pushteti i cili nuk lejonte ndërtimin e xhamisë. Por, përkushtimi dhe vendosmëria e mulla Musliut arriti që në vitet e ’90-ta, qyteti i Drenasit të bëhej me xhami.

Qe nismëtar për ndërtimin edhe të xhamisë në fshatin Kamoran. Herën e parë, në vitet e ’80-ta, gjatë kohës së komunizmit, pushteti e kishte prishur këtë objekt fetar deri në themel dhe nuk lejonte ndërtimin e xhamisë së re. Gjatë kësaj periudhe, një kohë, Mulla Musliu me xhematin, namazin e falnin në oborrin e xhamisë, nën qiell të hapur dhe, së dyti, pas luftës së fundit, kur forcat serbe e patën djegur në tërësi këtë xhami,

me ndihmën e xhematit ndërtoi xhaminë e re në Kamoran. Po ashtu, kishte arritur ta ndërtonte zyrën e KBI-së në Drenas. Vlen të theksohet se pas viteve të ’80-ta, Mulla Musliu kishte vendosur flamurin kombëtar në xhami dhe ishte i vetmi objekt fetar në Kosovë që mbante simbole kombëtare.

Edhe pas pensionimit ishte mirë me shëndet. Ndaj gjatë tërë kohës ishte i pranishëm në mesin e xhematit të cilin e donte dhe e respektonte pa masë. Nga dëshira e madhe për t’i shërbyer xhematit dhe atdheut, si në raste festash, gëzimesh e hidhërimesh, ishte gjithmonë i palodhshëm. E ndihmonte xhematin pa e kursyer aspak veten dhe shëndetin, vetëm e vetëm të jetë në shërbim të popullit dhe atdheut që aq shumë e donte. Aktiviteti dhe kontributi i tij, në të mirë të xhematit, popullit, fesë dhe kombit, është shumëdimensional dhe e kalon trevën e Drenicës. Gjatë tërë jetës së tij ishte i përkushtuar për njohjen, zhvillimin dhe avancimin e frymës fetare dhe kombëtare, te brezat e rinj. Ishte një ndër prijatarët e palodhshëm në pajtimin e gjaqeve në Kosovë në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, ku së bashku me profesor Anton Çettën, (i cili ishte mik i mësuesit Beqir Bajraktarit, vëllai i madh i Hoxhës), profesor Zekria Cana, profesor Muhamet Pirraku, Dom Lush Gjergjin, profesor Mehmet Rrukiqi e shumë intelektualë të tjerë. Mulla Musliu ishte një ndër hoxhallarët e rrallë, i cili mori pjesë aktive në këtë proces gjithëpopullor, ku as edhe një herë të vetme nuk e hoqi uniformen e hoxhës, pavarësisht prej kohës së vështirë që po kalonte populli ynë, prandaj jorastësisht populli e quante “Hoxha i Madh dhe Hoxha i Drenicës”.

Ka qenë një prej hoxhallarëve të cilët me punën e vet të palodhshme njihej nga të gjitha shtresat e shoqërisë, respektohej e çmohej si një njeri me ndikim dhe frymëzim kombëtar dhe fetar. Ai ishte një ndër frymëzuesit më të përkushtuar të masës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, ideale të cilat edhe u realizuan.

Mulla Musliu ef. Bajraktari rol të rëndësishëm luajti në organizimin e popullit për luftë çlirimtare, ku pa hezitim dha kontributin e tij maksimal. Ishte një ndër hoxhallarët e rrallë ku me përkushtimin e tij kryente shërbimet fetare gjatë luftës në malet e Drenicës, ku ishin të strehuar mbi 70 mijë popullatë civile. Hoxha i Madh gjatë luftës ishte përherë me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ndihmonte në organizimin e luftës çlirimtare, ishte vazhdimisht pranë xhematit dhe popullit.

Mulla Musliu ndërroi jetë më 9 shkurt 2016, ndërsa u varros më 10 shkurt në fshatin e lindjes. Në varrimin e Mulla Musliut Bajraktarit morën pjesë veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, struktura të larta të BIK-ut, ulema, hoxhallarë, bashkëmoshatarë, miq dhe mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova. Namazin e xhenazes e fali Myftiu i Kosovës, prof. Naim ef. Tënava. Kalimi në ahiret i hoxhës lë një boshllëk të madh jo vetëm në familje, por në tërë shoqërinë e Kosovës ku ai veproi. Lusim Zotin që hoxhën ta shpërbejë me Xhenetin Firdevs. Amin!