HISTORIA E KOSOVËS NGA 28 NËNTOR 1912 DERI MË 17 SHKURT 2008

Shkruan: Valdet Nika

Pas shumë luftërave dhe kryengritjeve shekullore kundër Greqisë, Romës dhe Perandorisë Osmane, më 28 nëntor të vitit 1912 Ismail Qemali me bashkëpunëtorë shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë.

Më 29 korrik 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Shqipëria u pranua si vend sovran, por rreth gjysma e territorit të saj u aneksua nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, ndërsa në vitin 1918 Kosova u pushtua nga serbët. Ndërkaq, u krijua Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, nën udhëheqjen e Hoxhë Kadri Prishtinës, Hasan Prishtinës dhe Bedri Pejës.

Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1919 vendosi përfundimisht që territori i Kosovës t’i mbetej Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

Në vitin 1920 pushoi aktivitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Në këtë vit regjimi i  at’hërshem serb filloi planin për kolonizimin e Kosovës. Me qëllim të realizimit të këtij plani, në tokat shqiptare u vendosën mbi shtatëdhjetë mijë kolonë serbë e malazezë.

Në vitin 1933, qeveria jugosllave filloi negociatat me Turqinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Kosova.

Ndërkaq, në vitin 1943 u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, më 8 shkurt 1945 Kosova u pushtua ushtarakisht nga forcat jugosllave.

Në vitin 1968, popullsia e Kosovës u ngrit në demonstrata që Kosova ta fitojë statusin e republikës, kurse në vitin 1969 shqiptarët e Kosovës e fituan të drejtën e përdorimit të flamurit të vet kombëtar.

Në vitin 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës, ndërsa në vitin 1974 Kosova fitoi autonominë e saj në kuadër të Federatës Jugosllave.

Në vitin 1981 u nënshkrua marrëveshja dypalëshe kulturore mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në këtë vit filluan demonstratat e studentëve, me ç’rast u vranë dhe u plagosën shumë shqiptarë dhe u burgosën mijëra të tjerë.

Më 28 mars të vitit 1989 kuvendi i Serbisë e shfuqizoi autonominë e Kosovës, ndërsa në vitin 1990, për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata paqësore që shprehnin mospajtim ndaj shfuqizimit të dhunshëm të autonomisë, u vranë dhjetra njerëz.

Lexo tjetër  MILAIM ZEKA:L.W MË BËRI FTESË POR REFUZOVA!

Një rast tjetër i dhunës dhe sulmit serb ishte edhe helmimi i shtatë mijë nxënësve dhe studentëve me helm lufte.

Në vitin 1991 u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës, ndërsa më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë në mënyrë publike. Lufta e Kosovës, filloi më 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit të pilicisë se Serbisë në fshatërat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës.

Më 7 mars 1998 ra heroikisht bashkë me familjen e vet komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Gjatë luftës në Kosovë u vranë dhe u masakruan rreth 15 mijë shqiptarë, prej të cilëve mbi 90% e tyre ishin civilë. U dogjën mbi 120 mijë shtëpi dhe rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre, ndërkaq rreth 5 mijë shqiptarë të tjerë u zhdukën dhe gjurmët e tyre u fshehën nga kriminelët serbë.

Më 24 mars të vitit 1999, aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, filloi bombardimet kundër Serbisë, ndërsa 12 Qershori shënohet si Dita e Çlirimit të Kosovës.

Pas një transicioni nëntë-vjeçar, të administruar nga Kombet e Bashkuara, më 17 shkurt të vitit 2008, përmes përfaqësuesve të saj të zgjedhur, Kosova e shpalli pavarësinë e shumëpritur dhe Deklarata e Pavarësisë u lexua nga kryeministri i atëhershëm dhe presidenti i sotëm, z. Hashim Thaçi, me ç’rast, ndër të tjera, deklaroi:

“Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, shpallim Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.”

Kjo deklaratë u miratua njëzëri nga të gjithë deputetët e pranishëm në Kuvendin e Kosovës.