Hetohet përsëri për korrupsion Alush Gashi

Kanë rinisur hetimet për ish ministrin Alush Gashi. Kjo ka ndoshur pasi  ka hedhur poshtë në mënyrë të  kundërligjshme kallëzimin penal nga prokurorja Drita Hajdari ndaj  ish ministrit Gashi. Drita Hajdari– ish-Koordinatore Nacionale kundër Korrupsionit ka reaguar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha. Rasti i hedhjes poshtë të kallëzimit penal ndaj ish-ministrit Gashi me arsyetimin se ai nuk mund të ndiqet sepse ka imunitet tashmë do të “ngritët”, pasi ishte hedhur në mënyrë të kundërligjshme.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit me rastin e marrjes se informacionit si rezultat i hulumtimit nga portali indeksonline lidhur me rastin në fjale ka filluar ndërmarrjen e masave konkrete në ndriçimin e këtij rasti. Kryeprokurori i Shtetit, ka ftuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtine, z. Imer Beka dhe e ka autorizuar që rastin në fjalë të ri hap dhe të fillon hetimet menjëherë. Varësisht nga provat dhe dëshmitë, Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vendos dhe do të ndërmarr veprimet procedurale”, ka thënë për indeksonline, ud, Kryeprokurori i Shtetit, Sylë Hoxha.

Përveç, ish-ministrit Alush Gashi, ndaj të cilit rasti tashmë do të ri-hapet, ud. Kryeprokurori Hoxha, ka thënë se ndaj prokurores Drita Hajdari do të iniciohet rast në Zyrën e Prokurorit Disiplinor. “Rasti në fjalë do të dërgohet tek zyra e Prokurorit Disiplinor për procedure të mëtutjeshme”, ka thënë Hoxha.

Indeksonline para një jave, më 27 mars, ka raportuar se si Prokurorja speciale Drita Hajdari, derisa ishte në pozitën e Koordinatores Nacionale kundër Korrupsionit, në vitin 2011, e kishte hedhur poshtë kallëzimin penal për vepër penale të korrupsionit ndaj tani ish-ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi me arsyetimin se i dyshuari ka imunitet nga ndjekja penale.

Indeksonline ka prezantuar aktvendimin për hedhjen poshtë të kallëzimit penal kundër Alush Gashit për shkak të veprës penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas këtij aktvendimi të prokurores Hajdari, të nxjerrë më 19 tetor 2011, Alush Gashi nuk mund të ndiqej penalisht, pasi i dyshuari Gashi gëzon imunitet nga ndjekja penale.

Sipas kallëzimit penal të ushtruar nga Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, del se ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, më datën 14 maj 2009, kishte nxjerrë një Udhëzim Administrativ (me numër 09/2009), për vendosjen e banderolave në produktet medicionale që importohen, prodhohen dhe qarkullojnë në Republikën e Kosovës, me të cilin ka autorizuar Agjencionin Kosovar për Produkte Medicionale që banderolat e vendosura në artikujt e medikamenteve t’u shiten kompanive që ofrojnë barna në treg me çmimin 0.002 cent për copë, i cili çmim ishte më i ulët nga çmimi blerës i banderolave, me çka ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për 379.694.2 euro.

Foto: Drita Hajdari

Sipas kallëzimit penal të siguruar nga Indeksonline, Udhëzimi Administrativ ishte nxjerrë pa i kaluar procedurat ligjore, duke mos e formuar grupin punues të ekspertëve, po ashtu ky Udhëzim Administrativ nuk kishte kaluar fare përmes Zyrës Ligjore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk ishte protokoluar as si vendim zyrtar në Arkivin e kësaj ministrie.
Të gjitha këto gjetje për shkeljen e ligjit dhe dëmtimin e buxhetit të Republikës së Kosovës, janë hedhur poshtë për ministrin Alush Gashi, pasi prokurorja Drita Hajdari, ka vlerësuar se ai gëzon imunitet nga ndjekja penale për vepra penale të korrupsionit.

Rreth këtij vendimi, Indeksonline ka kontaktuar prokuroren Drita Hajdari përmes postës elektronike dhe përmes telefonit për të marr një përgjigje, por ajo nuk ka pranuar të përgjigjet, duke sugjeruar që pyetjet të dërgohen në Zyrën për Informim në Prokurorinë Speciale. Indeksonline pyetjet rreth këtij vendimi të prokurores Hajdari ia ka dërguar sipas sugjerimit të saj edhe zëdhënëses së Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, por ajo ende nuk është përgjigjur as përmes e-mailit as në telefonin e saj./Indeksonline/