Herolind Shala shënon golin e parë te Sparta

 

Herolind Shala ka shënuar golin e parë me fanellën e Spartës së Pragës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare luajti nga minuta e parë në miqësoren e djeshme të ekipit të tij ndaj gjeorgjianëve të Dinamos së Tbilisit. Ndërkohë Shala u bë protagonist, teksa në minutën e 30-të të pjesës së parë hapi serinë e golave në këtë përballje.
Më pas ishin miqtë që barazuan me anë të Nezmani (49′), teksa Krejçi (53′) dhe Dokal (74′) i dhanë përfundimisht fitoren Spartës.
Takimi u zhvillua në Turqi, ku që të dyja këto skuadra po zhvillojnë fazën përgatitore. Shala luajti deri në minutën e 68-të, kur u zëvendësua nga afrimi më i ri i Spartës, Otmar Bakal.
Kujtojmë që Shala u afrua te klubi çek në mesin e janarit dhe firmosi një kontratë për 4.5 vjet. Ai përfiton rreth 175 mijë euro në sezon, pa përfshirë këtu bonuset dhe akomodimin dhe, sipas mediave çeke, është aktualisht lojtari më i paguar i kësaj skuadre.