Haradinaj priti në takim përfaqësuesit e shoqatave shqiptare të Kroacisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësuesit e gjashtë shoqatave të shqiptarëve të Kroacisë, Esad Çollakun, kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Tom Kaqinarin, kryetar i Shoqatës së vullnetarëve të Kroacisë, Gjergj Kolëgjeraj, nënkryetar i Shoqatës shqiptare të mbrojtësve në Kroaci, Beshir Ziberi, kryetar i Bashkësisë shqiptare të Karllovcit, Pren Gjokaj, nënkryetar i Bashkësisë shqiptare të Istrës dhe Behar Mullajupi, kryetar i Shoqatës “Shkëndija”.

Kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët në Kroaci, si një vend mik ishin dhe janë ambasadorët e Kosovës, sepse janë të njohur si luftëtarë ndër më të zotët të luftës atdhetare për pavarësinë e Kroacisë, të cilët me përvojën e arritur atje, ndihmuan edhe konsolidimin e UÇK-së, disa nga ta edhe ranë në altarin e lirisë së Kosovës. Porse, shqiptarët në Kroaci kanë zë të mirë edhe si punëtorë e afaristë të ndershëm por edhe si qytetarë të integruar në jetën institucionale dhe shoqërore të shtetit kroat.

Përfaqësuesit e shoqatave dhe organizatave të ndryshme të komunitetit shqiptar të Kroacisë pasi e kanë përgëzuar Ramush Haradinajn për zgjedhjen e tij kryeministër i Republikës së Kosovës, janë zotuar se ata do të vazhdojnë të ndërtojnë ura miqësie ndërmjet dy popujve dhe shteteve dhe se ata do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe të lobojnë tek institucionet e shtetit kroat që ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.