Grekët: Si ta shpëtojmë kontinentin nga “gjermanizimi”?

Si do të shkojnë punët me Greqinë? Sipas “Huffingon Post”, pas thyerjes së premtimeve elektorale, Aleksis Cipras nuk mund ta shpëtojë dot vendin e tij nga paaftësia për të paguar borxhet. Po ashtu, ata shohin një përpjekje të qartë të një pjese të Syriza-s për të braktisur BE-në dhe shkuarjen drejt Rusisë.

Dhe ja ku shfaqet pasiguria politike: si do të reagonte krahu i majtë brenda radhëve të partisë së Kryeministrit, nëse Cipras do të dilte para Parlamentit me një paketë kursimi dhe do të kërkonte miratimin?

Nga vlerësimet paraprake rezulton se një e treta e partisë “Syriza” do të irritohej, pasi Cipras – sipas pikëpamjes së tyre – do t’i dorëzohej kështu BE-së, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kjo pjesë e krahut të majtë në partinë radikale të së majtës greke, po flirton tashmë gjithë kënaqësi me idenë për dalje nga Eurozona. Vetëm një duzinë prej të lëkundurish do të mjaftonin, për ta rrëzuar qeverinë. Ai që shihet si kreu i krahut të majtë brenda Syriza-s, ministri i Energjetikës, Panajotis Llafazanis, po tenton drejt një bashkëpunimi me Rusinë dhe po e sheh këtë opsion si një levë – siç thotë ai – për t’i bërë ballë e përt’i rrëshqitur një “gjermanizimi të Europës”.

Nëse Greqia do të hidhej jashtë Eurozonës, atëherë rruga për bindje të reja politike të këtij lloji, do të ishte e hapur tashmë në “Hellas”.

Putin po fërkon duart, thotë një diplomat

Por, edhe huadhënësit nuk mund të flinin rehat pas këtij hapi. Një dështim i Greqisë do të mund të sillte kaos në tregjet financiare europiane. Përpos tyre, është edhe aspekti gjeopolitik që do të zinte tashmë një vend të rëndësishëm. Ukraina, Libia, Siria, Tunizia, Egjipti dhe shtete fqinje, janë tashmë të destabilizuara. Greqia dhe Republika e Qipros janë të fundmit shtete që gëzojnë stabilitet në rajon.

Nëse Greqia do të thyhej, atëherë edhe Qiproja – e lidhur ngushtë me ekonominë e Greqisë – do të zhytej në probleme. Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, do të priste me kënaqësi rastin të fuste një pykë në gjirin e BE-së dhe po e pret Cipras-in më datë 8 prill në Moskë. Putin po fërkon duart, thotë një diplomat i një vendi të madh, që nuk është anëtar i BE-së në Athinë.

Gjendja në jugperëndim të Europës do të bëhej gjithnjë e më e rrezikshme. Shpresa, megjithatë, ka akoma: një ndër ministrat më të rëndësishëm në qeverinë e Athinës, ministri i Ekonomisë, Jorgos Stathakis, duket se i ruan nervat në këtë debat. Ai sqaron se ka gjithnjë e më shumë gjasa, që së shpejti të arrihet një ujdi mes Athinës dhe partnerëve në Eurozonë.

“Alarm! Ora e rërës po zbrazet”

E sigurt, megjithatë, është se: që të mos ndodhë dështimi, Athina ka marrë borxh edhe rezervat e fundit të parave nga ndërmarrje të ndryshme shtetërore dhe kasat e pensioneve. Por, kjo ka një fund. “Në prill, gjërat do të zgjidhen. Por çfarë do të ndodhë në maj?”, pyeti Panos Skurletis, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale nën urdhrat e Cipras-it, të mërkurën në mbrëmje në një dalje në TV grek. Ndërkaq, gazeta bulevardeske greke “Ethnos”, të enjten dilte nën titullin: “Alarm! Ora e rërës po zbrazet”.

Kaotike duket gjendja edhe rreth bisedimeve mes Athinës dhe kontrollorëve të asaj që më parë njihej si “Trojka”. Athina dërgon drejt saj lista me propozime për reforma, të cilat do të duhet të zëvendësojnë shkurtimet e pensioneve e të rrogave, të kërkuara nga huadhënësit, si dhe shkurtime në sferën e shërbimeve sociale. “Të mjegullta dhe të pamjaftueshmne” janë ato, shprehen kontrollorët në shtypin e përditshëm.

“Lista është si një rërë që ngrihet lart nga era”, thotë një diplomat në Athinë, që është shumë familjar me negociatat. Masat vijnë dhe shkojnë. Një herë lista ka 15 faqe, e pastaj shtohen masa të reja – dhe lista rritet menjëherë me 26 faqe. Një herë Athina do të arrijë 3,7 miliardë euro me masat e saj. Dy ditë më vonë, shuma rritet në 6,1 miliardë. Refren i palëkundur i Athinës mbetet deklarata se pjesa më e madhe parave do të vijnë nga lufta kundër evazionit fiskal.

*Marrë nga “Huffington Post” – Titulli origjinal është: Ministri grek i Energjetikës: Si ta shpëtojmë Europën nga gjermanizimi