Grabovci flet për zgjedhjet

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë për “Zërin” se ndryshimet më të mëdha në vend kanë ndodhur pas ardhjes së kësaj partie në pushtet.

Sipas tij, deri më tani është vendosur një themel i fuqishëm për zhvillim ekonomik dhe për hapje të vendeve të reja të punës. Kurse duke i komentuar kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Grabovci ka thënë se para vitit 2018 nuk do të ketë zgjedhje.

“Besojmë në punën tonë, në angazhimin tonë dhe në rezultatet konkrete që kanë dalë prej kohës që PDK-ja është në pushtet. Me këtë nuk pretendoj të them se kemi bërë mrekulli, por megjithatë në Kosovë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet ka ndryshime më tepër se çdoherë më parë. Besojmë se është vendosur një themel shumë i fuqishëm për të vazhduar me suksese të reja në zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja të punës”, është shprehur Grabovci.

Ndërsa duke folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Grabovci ka thënë se PDK-ja nuk i frikësohet zgjedhjeve, megjithatë, sipas tij, nuk mund të ketë zgjedhje të reja para vitit 2018, pasi, sipas tij, zgjedhjet nuk mund të mbahen sa herë që kërkojnë subjektet opozitare.

“Ne nuk i jemi frikësuar dhe nuk i frikësohemi daljes para qytetarëve, jemi të gatshëm në çdo kohë që të komunikojmë me qytetarët tanë, t’i dëgjojmë shqetësimet që i kanë ata. Ne jemi deklaruar prej kohësh se nuk mund të ketë zgjedhje para vitit 2018 sepse nuk është interes i qytetarëve, i shtetit të Kosovës dhe i institucioneve të vendit. Zgjedhjet nuk mund të mbahen kur dikujt i teket. Është e sigurt se edhe po të mbaheshin zgjedhjet, opozita menjëherë do të kërkonte zgjedhje të tjera”, ka shtuar Grabovci, duke thënë se kjo parti gjithmonë vendimet i merr në bazë të interesave të qytetarëve dhe të shtetit.

Në fund Grabovci u ka bërë thirrje deputetëve të subjekteve opozitare në vend që t’i kthehen punës së tyre në Kuvend dhe në këtë formë t’i kryejnë obligimet që kanë marrë nga qytetarët.

 
Loading...