Gjykata merr vendim për personin që e vrau kolegun në vendin e punës

Si çdo ditë tjetër, Armend Kutllovci, 45-vjeçar nga fshati Dobërllugë i Vushtrrisë, mori rrugën për në punë. Ai për disa vite kishte punuar në një fabrikë private për përpunimin e mishit. Por, të shtunën e 17 marsit ai nuk u kthye më në shtëpi. Ai u qëllua për vdekje me një pistoletë në vendin e tij të punës. Ndërkohë që për këtë punë një person u arrestua nga policia. Ndaj të dyshuarit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shqiptuar një muaj paraburgim 35-vjeçarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.T., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Vrasje’, nga neni 178 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndaj të pandehurit, F.T është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dhe atë duke filluar prej datës 17.03.2018 deri me datën 17.04.2018.

I pandehuri F.T. dyshohet se me datën 17.03.2018 në fshatin Babimovc, komuna e Obiliqit në firmën “Apetit Group”, në rrethana ende të pasqaruara e ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K, derisa i njëjti kishte qenë duke punuar.

I pandehuri F.T. kishte shtënë me armë zjarri të cilën e mbante në mënyrë të paautorizuar, e kishte goditur një herë në pjesën e përparme në kraharorë tani të ndjerin A.K dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’rast të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore vdekjeprurëse dhe në QKUK në Prishtinë ishte konstatuar vdekja e tij.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.T. është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Lexo tjetër  Shqetësuese, Kosova në mesin e 10 vendeve më të korruptuara në botë

Ekipi i Gazetës Express të dielën ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Familjarët kanë rrëfyer se nuk i dinë motivet të cilat kanë çuar deri te kjo tragjedi e rëndë. /Express/