Gjermania kërkon punëtorë, të lira 1 mln vende pune

Në Gjermani ka sot mbi 1 milion vende të lira pune dhe rreth 3 milionë vetë që kërkojnë punë. Një disbalancë e tillë, thotë DW duke cituar ekspertë të fushës, lidhet me transformimin e tregut të punës. Në disa degë, për shembull në bujqësi apo pylltari nuk ka më nevojë për forca të reja.

Ndërsa në mjaft sektorë të tjerë, kërkesa është tepër e lartë. Alexander Kubis, nga Instituti IAB thotë se vendit nuk i mungojnë punëtorët e kualifikuar. Por sërish, disa zona dhe sektorë ndeshen me probleme të mëdha për gjetjen e fuqisë punëtore. Vende të lira pune ka me bollëk në sektorin e logjistikës dhe atë të magazinimit, transmeton tch.

Mungesë dhe nevojë vërehet gjithashtu në sektorin e ndërtimit, atë të shëndetësisë dhe të përkujdesjes mjekësore. Sipas Kubis, një sërë ndërmarrjesh sot shpenzojnë më tepër kohë sesa në vitin 2010 për të gjetur një person të përshtatshëm për vendin e punës.

Kjo periudhë aktualisht kërkon e pakta 82 ditë, ndërsa përpara 7 vjetësh, ishte 70 ditë. Sipas tij, kriter kryesor i punësimit mbetet shkollimi dhe cilësia e tij, e kjo gjë shihet jo vetëm tek profesionet akademike, por edhe tek personat që përfundojnë shkollat profesionale.

 
Loading...