GJENDJE JO E MIRË E LUMENJVE NË MITROVICË

 

Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) ka mbajtur tryezën e radhës në Mitrovicë, në të cilën ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal dhe shoqërisë civile.
Agim Kelmendi nga QPA tha se qëllimi i përgjithshëm i draft strategjisë kombëtare të ujërave është të sigurojë zhvillimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin social-ekonomik të Kosovës; të sigurojë mbrojtjen e resurseve ujore nga ndotja, tej-shfrytëzimi dhe keqpërdorimi; si dhe të përcaktojë strukturat institucionale për administrimin e resurseve ujore.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës, Blerim Baruti tha se Mitrovica është e pasur me katër lumenjë: Ibrin, Sitnicën, Lushtën dhe Trepçën, ndërsa ka edhe liqenin e Ujmanit, që poashtu shërben edhe si burim energjie në Kosovë. Por ai theksoi se ujërat nëntokësore nuk janë të organizuara mirë dhe se komuna me ndihmën e donatorëve është duke punuar për përmirësimin e gjendjes së ujërave në tërë komunën e Mitrovicës.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Urbanizmit, Sami Zeka tha se komuna e Mitrovicës në planifikimin e saj hapësinor po i kushton rëndësi edhe lumenjve, me qëllim që të përmirësojë gjendjen e shtretërve të tyre. Si problem kryesor ai identifikoi mungesën e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza.
Ambientalisti Nexhmendin Spahiu tha se historikisht Mitrovica nuk është kujdesur sa duhet për gjendjen e ambientit. Ai në veçanti shprehu shqetësim për ndotjen e lumenjëve të Mitrovicës nga plumbi dhe mbeturinat tjera industriale, si dhe nga shkarkimi i ujërave nga KEK-u, posaçërisht në lumin Sitnica. Prandaj ai përsëriti domosdoshmërinë e trajtimit të ujërave të zeza përmes ndërtimit të impiantit.
Debati i QPA-së në Mitrovicë u mbajt në kuadër të projektit “Mbrojtja e Lumenjve” të financuar nga Ambasada Amerikane, përmes së cilit po mbahet një seri e debateve publike për draft strategjinë kombëtare të ujërave 2014-2033 të hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nëpër komunat që kanë probleme më të mëdha me gjendjen e lumenjve të tyre, para se strategjia të finalizohet dhe të shkojë për aprovim në Kuvend./rtk/