Gjendet i gjallë pas 2 muajsh në det, hante peshq dhe pinte ujë shiu

Një 37-vjeçar nga Karolina e Jugut, familja e të cilit kishte denoncuar zhdukjen e tij në det prej më shumë se dy muajsh, është rigjetur në gjendje të keqe shëndetësore, por i gjallë në brigjet e Karolinës së Veriut.

Autoritetet e Portsmuthit, shpjegojnë që kishin marrë sinjalizim nga një anije me flamur gjerman se kishin parë një njeri dhe barkën e tij me vela rreth 200 kilometra në lindje të Cape Hatteras.

I zhdukuri, Louis Jordan, është tërhequr me një helikopter dhe është dërguar në një spital të Virxhinas. Sipas familjes, 37-vjeçari kishte dalë më 23 janar me barkën e tij nga porti turistik i Conway dhe nuk ishte rikthyer më.

Për të mbijetuar, ai kapte peshq të vegjël me duar dhe i hante të gjallë si dhe pinte ujë shiu. Sipas babait të tij, mësohet se i riu lutej çdo ditë “dhe jam i sigurt se kjo i ka dhënë shumë forcë”.