Gjakova, “pragu” për Listën Serbe

Lista Serbe gjatë dhjetë ditëve të fundit ka pasur disa takime dhe kontakte me partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, për të shqyrtuar çështjet, mospajtimi për të cilat pati rezultuar me largimin e përfaqësuesve të kësaj liste nga institucionet lokale dhe qendrore, kanë konfirmuar zyrtarët e Listës Serbe.
Ministri i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, aktualisht kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se tashmë ka përafrime të qëndrimeve për çështje të caktuara, por sipas tij ekzistojnë shumë faktorë nga të cilët varet vendimi për ose kundër kthimit të përfaqësuesve të Listës Serbe në institucione.
“Një nga ligjet të rëndësishme, për ne, që aktualisht gjendet në procedurën e Kuvendit, është Ligji për Gjykatën Speciale. Por, Lista Serbe ende nuk ka sjellë vendimin definitiv se a do të kthehet në institucionet e Prishtinës. Kjo nuk nënkupton që vendimi është më afër asaj që të mos kthehemi, por Listës Serbe i nevojitet një periudhë e caktuar që t’i pajtojë disa interesa kontradiktore ndërmjet partnerëve tanë në koalicion dhe neve si Listë Serbe”, tha Jabllanoviq.
Megjithatë, ai ka thënë se Lista Serbe ka një sugjerim për partnerët e koalicionit qeverisës, në mënyrë që ata ta tregojnë vullnetin e mirë ndaj qytetarëve serbë dhe t’ua mundësojnë atyre vizitën në Gjakovë për festën e Pashkëve ortodokse.
“Tash, në prag të një feste të madhe të krishterë, Pashkët, presim që qeveria të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj, në mënyrë që t’ua mundësojë të gjithë atyre njerëzve që janë të interesuar që për Pashkë, t’i vizitojnë vendlindjet e tyre, pa ndonjë problem apo rrezik për sigurinë e tyre”, tha Jabllanoviq.
Megjithatë, ndaj kërkesës së Listës Serbe ka reaguar kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se temat që kanë të bëjnë me përditshmërinë, sikurse edhe vizitat e serbëve për Pashkë apo kurdo, janë pjesë e një diskutimi dhe procesi që do të zgjasë më shumë se sa, siç ka theksuar ajo, një kusht i Listës Serbe që lidhet me një afat për partnerët e koalicionit qeverisës.
“Kjo, për shkak se Gjakova është zyrtarisht, me shifra të konfirmuara, komuna më e dëmtuar gjatë luftës. Prinë me numrin e njerëzve të vrarë dhe në dëmet tjera që janë bërë”.
“Para se të kushtëzohet me diçka,për të cilën duhet kohë dhe proces për të kaluar prej një faze në fazën tjetër, unë mendoj se ata duhet pa kushte të kthehen në institucione dhe të mos politizojnë temat, për të cilat ata qesin kushte ndaj Qeverisë e Kosovës, duke e tradhtuar, së pari, interesin e popullit serb”, ka thënë Kusari – Lila.
Por, Jabllanoviq, insiston se kjo nuk është kërkesë, por rekomandim për Qeverinë e Kosovës.
“Ky është një propozim sugjerues ndaj partnerëve tanë, në mënyrë që ta ndjejmë një atmosferë më të shtendosur në krahasim me atë kur kemi vendosur që t’i braktisim institucionet”, tha Jabllanoviq.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se çështja e vizitës së qytetarëve serbë në vendlindjet e tyre, përfshirë edhe Gjakovën, nuk është vënë si kusht nga Lista Serbe për kthimin e saj në institucione.