Gazetta Dello Sport: Lila, luftëtari që luan për pasion, ende pa marrë asnjë rrogë

 

Të shënosh ndaj Interit, edhe pse luan në një skuadër që tashmë është e falimentuar, është diçka e mrekullueshme. Kjo i ka ndodhur Andi Lilës, që ka merituar jo vetëm një vlerësim të lartë në notat pas ndeshjes Inter-Parma, por e përditshmja italiane “Gazetta Dello Sport” i ka kushtuar futbollistit të Kombëtares sonë një shkrim interesant. Më poshtë është edhe reportazhi i plotë i realizuar nga gazetarët e “Gazetta Dello Sport”.
“Epiteti i tij është ‘Luftëtari’ dhe fakti që mund të luajë edhe në mesfushë, edhe në mbrojtje e bën më se të kuptueshëm diçka të tillë. Ka luajtur pak minuta dhe aktualisht duket sikur është golashënuesi i skuadrës: dy gola në katër paraqitje në fushën e lojës me Parmën dhe gjithmonë në transferta. Në fillim, në ‘Rexhio Emilia’ ndaj Sasuolos, më pas në Milano kundër Interit. Andi Lila është një ndër prurjet e janarit për Parmën, por në fakt një afrim në heshtje, për shkak të problemeve të mëdha që kaloi shoqëria në periudhën kur ai u transferua në skuadër.
Me shpenzimet e tij
Ka një tregues shumë interesant, pasi Andi Lila është duke ndjekur një nga pasionet e tij dhe këtë jo për pjesën monetare. Fatkeqë- sisht, që nga afrimi te Parma, nuk ka marrë ende asnjë pagesë. Në Kombëtaren e Xhani De Biazit, Lila ka 52 paraqitje pa shënuar ende asnjë gol, por është gjithmonë prezent në skuadër. Andi, i martuar me Ornelën, është bërë baba me një djalë të quajtur Aian, duke realizuar ëndrrën për t’u bërë baba. Ai vetë ka shpresuar që një ditë të mund të luante në vendin ku dikur ka dëgjuar të ketë shumë emigrantë.
Përshtatja
Lila është duke mësuar gjuhën italiane, duke parë se anglishtja nuk e ndihmon shumë. Ai është duke marrë ndihmesën më të madhe nga një magazinier i skuadrës që quhet Fatmir Velaj, i cili për të gjithë njihet si Vladi, që është gjithashtu shqiptar dhe po ndihmon Lilën që të integrohet plotësisht në aventurën e re. Vladi e ka ndihmuar atë dhe i ka treguar edhe të gjithë problematikën që ekziston dhe në të cilën Lila është përfshirë tashmë. Triumfi i Lilës, i përshkruar më së miri me dy duar në formën e një shqiponje, simboli i flamurit të Shqipërisë.
Profesionist i vërtetë, që kërkon gjithmonë më të mirën duke u stërvitur përpara seancës stërvitore dhe disa minuta pas përfundimit të seancës. Vrapime që i kryen në qendër të parkut ‘Citadela’, një nga zonat më të shtrenjta të Parmës. I turpshëm dhe shumë i sjellshëm, është njeriu që kërkon të zgjidhë çdo problem. Një shqiptar mysliman, si shumë të tjerë, që frymëzohet nga një shprehje në kuran: ‘Pas vështirësive, vjen e bukura’”, përfundon artikulli i të përditshmes italiane për Andi Lilën./GazetaPanorama/