Fshatrat e Vushtrrisë dhe të Skënderajt cak i hajnave, vidhen mbi 30 mijë euro stoli ari

Policia ka njoftuar se persona të panjohur kanë hyrë me forcë nëpër shtëpi në disa fshatra të Vushtrrisë duke shfrytëzuar kohën kur në shtëpi nuk ndodhej askush dhe në këtë mënyrë kanë vjedhur sasi të madhe të stolive të arit dhe para. Vjedhjet janë shpeshtuar edhe në fshatrat e Skenderajt.

Në 24 orët e fundit kanë ndodhur tri raste të rënda të vjedhjeve në shtëpi në disa fshatra të Vushtrrisë. Policia ka njoftuar se janë shpeshtuar vjedhjet nëpër fshatra të komunës së Vushtrrisë, të shumtën nëpër shtëpi kur në to nuk ndodhet askush.

Të paktën në tri raste, në tri fshatra të ndryshme hajnat kanë vjedhur mbi 30 mijë euro stoli ari dhe para të gatshme.

Por, vjedhje të rënda kanë ndodhur gjatë javëve të fundit edhe në fshatrat e Skenderajt dhe në vetë qytetin e Skenderajt, me ç’rast janë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme, shkruan tutje “Zëri”.

Sipas Policisë, një vjedhje e rëndë ka ndodhur në një shtëpi në Sfaraçak, kur hajnat kanë depërtuar brenda me forcë nëpërmes dy dritareve, në kohën kur në shtëpi nuk ndodhej askush dhe me atë rast kanë vjedhur stoli ari dhe para në vlerë prej 20 mijë eurosh.

Përveç Policisë në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtarët e Njësisë për Krime të Rënda./Insajderi