Fshati i Drenasit që po synon të bëhet komunë në vete

Një fshat i Komunës së Drenasit ka disa vite që po mundohet të bëhet komunë në vete. Fjala është për fshatin Komoran, i cili i përket Komunës së Drenasit, por që po pritet që  shumë shpejt  të bëhet komunë në vete. Ndonëse dokumentet për administrimin e tij janë dorëzuar para katër vite në Ministrin e Administratës Publike dhe në zyrën e Krymenistrit, ky fshat ende nuk e ka fituar statusin e komunës.

Ky fshat në vitin 1918 figuronte si komunë në vete por ajo u shkri në radhët e fshatrave të komunës se Drenasit.

Enver Hoxha, pjesëtar në Këshillin Iniciues për Themelimin e Komoranit, ka thënë për Indeksonline se tashmë ka një vit që kërkesa nga ky Këshill është dorëzuar në kryeministri për themelimin e Komoranit si komunë në vete. Ai ka thënë se pavarësisht kërkesës së dorëzuar, procesi i themelimit të Komoranit si komunë është duke u zvarritur.

“Tashmë janë bërë vite që nga koha kur kemi dorëzuar kërkesën për themelimin e komunës së Komoranit. Mirëpo për shkak të situatës politike që ka qenë në vend si dhe mungesa e konstituimit të Kuvendit kanë bërë që procesi i zyrtarizmit të Komoranit në komunë të zvarritet”, ka thënë ai.

E ndërkaq fshati Komoran me rrethinë i ka rreth 26 mijë e 548 banorë.

Qytetarët e Komoranit me fshatra përreth janë të indinjuar me vendimin për themelimin e disa fshatrave komuna, të cilët kanë vetëm nga 8 mijë e 12 mijë banorë, kurse Komorani që ka 30 mijë banorë, dhe resurse të mëdha ekonomike, bujqësore, intelektuale, kulturore dhe infrastrukturore, po anashkalohet nga Qeveria e Kosovës.

Komorani ka tetëmbëdhjetë fshatra që duan të bëhen komunë në vete dhe posedojnë resurse të mjaftueshme për t’u bërë komunë, pas që në këtë pjesë veprojnë mbi 378 biznese të mëdha dhe të vogla, mbi 3000 të punësuar brenda dhe 2450 të punësuar në shtetet perëndimore.