FLET BASHKËSHORTI I ADELINA ISMAILIT, I PËRFSHIRË NË PRAPASKENAT E “BOREA”-S

Biznesmeni Valmir Krasniqin, aksionar në kompaninë FILAV, i përfshirë në prapaskenat e projektit “Bora” që është edhe bashkëshorti i këngëtares Adelina Ismaili, ka rrëfyer tregimin e tij në lidhje me fitimin e këtij projekti.

Për Insajderin, Krasniqi ka thënë se bashkë me kompaninë “Leitner AG” janë të motivuar që ta realizojnë deri në fund projektin e ndërtimit të qendrës së skijimit në Pejë.

Megjithatë, ai nuk e ka komentuar faktin e ndryshimit të emrit të kompanisë nga “Friholz” në “Filav” dhe arsyen se pse kjo u bë pikërisht në kohën kur po zhvillohej procedura konkurruese për ndërtimin e “Borea”-s.

I martuar me këngëtaren Ismaili e cila gjithashtu ka qenë një përkrahëse e Lidhjes Demokartike të Kosovës, qysh prej themelimit të partisë. Madje i kishte kënduar edhe Ibrahim Rugovës e më vonë kishte marrë pjesë si këngëtare në fushatat parazgjedhore të LDK-së, Krasniqi në përgjigjet dhënë për Insajderin ka rënë në kundërshtim me deklarimet e autoriteteve komunale të Pejës.

Derisa Sheremeti ka konfirmuar se fizibiliteti është bërë nga “Friholz”, ndryshe thotë biznesmeni Krasniqi.“Fizibiliteti dhe Masterplani janë realizuar nga Komuna Pejës”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi është pyetur edhe për kapitalin e kompanisë Filav. Kjo kompani, bazuar në dokumentet që ka siguruar Insajderi, ka një kapital prej vetëm mbi 4 milionë euro, një shumë skajshmërisht më e vogël krahasuar me shumën që kërkohet për ndërtimin e “Borea”-s.

Për ndërtimin e kompleksit “Borea” nevojiten mbi 50 milionë euro.

Dokumentet flasin për gjendjen financiare të kompanisë që nga viti 2010. Qarkullimi vjetor më 2010 i kompanisë “Filav” ishte mbi 950 mijë euro. Pak më shumë, kishte qarkullim më 2011. Vlera totale ishte në shumë prej 985 mijë eurosh.

Qarkullimi ishte rritur më 2012. Ishte në vlerë prej 4 milionë e 134 mijë eurosh.

Viti 2013 ishte mbyllur me humbje prej 67 mijë eurosh. Ishin bartur rreth mbi 4 milionë euro të vitit paraprak, 2012. Bartja e njëjtë kishte ndodhur edhe më 2014. Ky vit kishte gjeneruar vetëm 96 mijë e 858 euro të hyra të reja.

Po ashtu edhe më 2015 kishte ndodhur e njëjta. Kishte ndodhur bartje prej 4 milionë eurosh dhe kompania kishte pasur të hyra vetëm prej 462 mijë eurosh. Ndërsa më 2016 të hyrat ishin në vlerë prej 31 mijë eurosh, plus bartja prej mbi 4 milionë eurosh që është bërë që nga viti 2012.

Këto shifra nuk paraqesin ndonjë problem të madh për biznesmenin Krasniqi.

Ka thënë se natyra e projektit “Borea” është e ndryshme me të tjerët. “Sa i përket financimit, projekte te tilla nuk financohen sikur te blesh një veturë”, ka pohuar Krasniqi.

Ai ka shtuar se pas një afati të shkurtër kohor konzorciumi i përbërë nga kompanitë “Leitner” dhe “Filav”  do të hartojë një plan adekuat të financimit të projektit “Borea”. Ky plan, sipas tij, do të garantojë të hyra për Komunën e Pejës dhe interesim të partnerëve financiar të konzorciumit.

Deklaratë  e ngjashme ishte dhënë edhe nga përfaqësuesit e kompanisë fituese për projektin e ndërtimit të Brezovicës. Atyre ju duheshit të gjenin 400 milionë euro. Shpreheshin optimist se do t’i gjenin por nuk kishin arritur kurrë ta bënin këtë dhe projekti për ndërtimin e qendrës së skijimit “Brezovica”, kishte dështuar./Insajderi.com