Filmi “Babai”, me premierë botërore në FilmFest Munchen

Festivali i Filmit në Munih të Gjermanisë do të nis më 25 qershor dhe do të mbyllet më 4 korrik

Filmi i metrazhit të gjatë “Babai”, me regjisor, Visar Morina është përzgjedhë të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Munih të Gjermanisë, e cila do të nis më 25 qershor dhe do të mbyllet më 4 korrik. Organizatorët e këtij festivali tashmë kanë bërë publike listën e filmave pjesëmarrës, në të cilën është edhe filmi “Babai”, që është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga një produksion gjerman, duke përfshirë edhe kooproduksione të Francës dhe Maqedonisë.

Babai” e shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Në këtë film me rolet e tyre prezantohen aktorët: Val Maloku, Astrit Kabashi, Adriana Matoshi, Enver Petrovci, Xhevedet Jashari./KultPlus.com