Ferronikeli – Ndërmarrja më e madhe e privatizuar në operimin e Minierave në Kosovë

 

Intervistë me Drejtorin e NewCo Ferronikelit z. Ioannis Moutafis publikuar në portalin “American Times”

 

Ndërmarrja e madhe industriale, NewCo Ferronikeli dhe drejtori i saj i përgjithshëm Ioannis Moutafis planifikojnë të vazhdojnë qëndrimin e tyre në Kosovë. Natyrisht, si një industri nxjerrëse e burimeve natyrore ajo përbën pothuajse gjysmën e eksporteve të vendit të lëndëve të para, kjo agjendë e rritjes duhet të përputhet me interesat e popullit të Kosovës. Me sa duket, tani për tani, Ferronikeli e kupton këtë përgjegjësi dhe është gati për sfidën.

 Ju lutemi ofroni një hyrje për Ferronikelin si një nga ndërmarrjet më të mëdha në Kosovë.

Si pjesë e Cunico Resources, NewCo Ferronikeli është bërë një komponent i rëndësishëm në rangun e përgjithshëm të prodhimit të këtij grupi, i cili tani është prodhuesi numër një i ferronikelit në të gjithë Evropën. Ne kemi arritur një rritje të jashtëzakonshme në Kosovë gjatë viteve të fundit dhe si rezultat ne gëzojmë një reputacion të një kompanie serioze, të qëndrueshme dhe në ngritje. Më e rëndësishmja, ne vazhdimisht jemi eksportuesi më i madh në Kosovë me rreth 45-50% të totalit të eksporteve gjë që në masë të madhe kontribuon në buxhetin kombëtar të vendit.

Cilat janë planet tuaja  të ardhshme për të mbajtur stabile një kompani me burime natyrore?

Ne synojmë të zgjasim jetën e minierave lokale dhe për këtë arsye ndërmarrja importon disa lëndë të para nga bota, përkatësisht Guatemala. Përmes këtyre veprimeve mund të zgjatet jeta e minierës nga 10-15 deri në 30 vjet. Vetëm këtë vit, ne kemi arritur të rrisim prodhimin tonë për 14%, kryesisht për shkak të shfrytëzimit 100% të shkritores e cila është kërkuar pas recesionit global.

 Nxjerrja e burimeve natyrore nga toka është gjithmonë një veprim i ndjeshëm për shkak të ndikimit të tij në mjedisin natyror dhe komunitetin lokal. Çfarë iniciativa të CSR-it po ndërmerrni për të përmisuar gabimet që bëhen zakonisht gjatë një veprimi të tillë?

Sikurse viteve të kaluara, ne e kemi konsideruar CSR-in si pjesë përbërëse të punës sonë në shumë projekte, në fusha dhe sektorë të ndryshëm. Në disa raste kemi ndihmuar familjet në fushën e  arsimit përmes dhënies së bursave ose kemi dhuruar çanta me mjete shkollore për fëmijët e komunës. Gjithashtu, ne kemi ndihmuar familjet me pako ushqimore për festat fetare dhe kombëtare, si dhe kemi asistuar në aspektin mjedisor në Komunën e Drenasit me mbjelljen e fidaneve e kështu me radhë.

Si një anëtar krenar i Bordit të Rrjetit CSR të Kosovës, NewCo Ferronikeli ka marrë pjesë edhe në projekte të tjera të përbashkëta me anëtarët e tjerë të saj. Përveç kësaj, ne kemi ndihmuar në mbledhjen e fondeve për ngjarje të ndryshme bamirësie të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane dhe subjekte të tjera zyrtare, siç është Down Syndrome Kosova. Në përgjithësi, ne jemi të bindur se me rritjen e madhësisë dhe suksesit të kompanisë, rriten edhe përgjegjësitë tona ndaj mjedisit; ajo është pjesë e kulturës sonë

Cilat janë disa nga sfidat me të cilat ballafaqoheni kur bëni biznes në Kosovë?

Sa i përket mundësisë për të bërë biznes, Kosova ofron shumë, por taksat janë pak të larta për ne. Një problem tjetër është rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Kjo ka ngritur në mënyrë të konsiderueshme kostot e prodhimit dhe paraqet një problem të madh për ne si kompani.

Në qoftë se mundeni, ju lutem tregoni disa projekte të rëndësishme që kompania ka bërë gjatë viteve të fundit për të arritur standardet e BE-së dhe efikasitet operacional.

Këto ndahen në tri pjesë kryesore: Instalimi i filtrave të reja, procesi i granulimit dhe IPPC (Leja e Integruar Mjedisore).

  • Instalimi i filtrave të reja

Kompania ka investuar më shumë se 3 milionë euro në vitin 2013 për përmirësime në mbrojtjen e mjedisit ajror nëpërmjet instalimit të filtrave të reja në furrat tona rrotulluese.

Ne jemi të certifikuar me ISO standardin 9001:2008 në lidhje me ‘kontrollin e cilësisë” dhe me ISO standardin 14001:2004 në lidhje me “mjedisin”; që të dyja u konfirmuan bindshëm pas një auditimi në verën e vitit 2013.

  • Procesi i Granulimit

Vitin e kaluar kemi filluar prodhimin e nikelit në një formë të quajtur granulim. Ky investim prej më shumë se 1.5 milionë euro na mundëson për herë të parë në historinë e kompanisë të prodhojmë granula prej ferronikeli (në vend të lingotave që kemi përdorur më parë). Nëpërmjet këtij procesi prodhimi është ekonomikisht më i dobishme në krahasim me atë të mëparshmin.

  • IPPC – 30 tetor 2013 – 31 dhjetor 2017

Më 30 tetor 2014 jemi pajisur me IPPC (Leja e Integruar Mjedisore) sipas ligjit të Kosovës të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM), e cila është përgjegjëse për monitorimin e të dhënave mjedisore për të cilat ne raportojmë çdo muaj. Me marrjen e IPPC-së kushtet në të cilat veprojmë, mënyra se si ne i përdorim lëndët e para, produktet ndihmëse dhe përfundimtare dhe si i menaxhojmë ato në mënyrë efektive kanë ndryshuar. Kjo gjithashtu përcakton vlerat kufitare për lirimet e mbetjeve në ajër, ujë, tokë, zhurma dhe menaxhimi i mbeturinave.

Si një pjese përbërëse e ekonomisë së Kosovës, për shkak të madhësisë tuaj dhe fushës së punës, unë mund t’a imagjinoj se nevoja për një bashkëpunim të shëndoshë me Qeverinë e Kosovës është mjaft e lartë.

 Ne jemi të përkushtuar në zbatimin e përpiktë të kërkesave ligjore gjatë punës në të ardhmen, siç edhe kemi bërë në të kaluarën. Në përgjithësi, ne jemi të kënaqur me institucionet e Kosovës dhe deri më tani kemi pasur një bashkëpunim të mirë si në nivel komunal edhe në atë qendror. Ferronikeli është gjithashtu i prirur të punojë me qeverinë në programe reciprokisht të dobishme. Si i tillë, ne jemi të interesuar në fondin e zhvillimit që ishte premtuar nga ish-kryeministri Thaçi. Realizimi i këtij fondi mund të sjellë gjëra të mira për ndërmarrjen tonë dhe vendin meqë ne mund të bashkëpunojmë në zhvillimin e shkollave profesionale teknike në vend.

Privatizimi në disa sektorë është një proces mjaft i vështirë. Ju lutem shpjegojeni pak procesin e privatizimit të Ferronikelit.

Privatizimi i Cunico Group një dekadë më parë, i siguroi grupit një mundësi të jashtëzakonshme biznesi, si dhe menaxhim të mirë përmes të cilit ka mbajtur 900 punëtorët e saj në punë. Në fakt, ne jemi duke eksploruar mundësinë e hapjes së një miniere të re “Çikatova”, e cila mund të krijojë shumë vende pune dhe mundësi biznesi për Cunico Group-in.

Ju lutem shprehni mendimin tuaj personal për lexuesit tanë në lidhje me të bërit biznes dhe gjithashtu tregoni si është të jetosh dhe punosh si mërgimtar në Kosovë

Mjedisi i biznesor në Kosovë është i vështirë, por siç mund t’a imagjinoni, në një vend në zhvillim e sipër, të huajt kanë shumë mundësi dhe janë duke u zhvilluar projekte të ndryshme të infrastrukturës për t’a lehtësuar këtë gjë. Kjo është në përgjithësi ajo që unë kam shprehur në ‘Forumin Grek’ para pak kohësh, e cila u organizua nga Zyra Ndërlidhëse Greke në Prishtinë.

Ky është një vend i mirë dhe i sigurt për të jetuar. Unë jam këtu prej më shumë se 8 vitesh me familjen time dhe deri tani ka qenë mirë. Gjithashtu, meqë është një vend i vogël i jep një individi mundësinë të marr pjesë në organe të ndryshme vendimmarrëse, si odat ekonomike, komitetet e ndryshme dhe kështu me radhë. Ju mund të ndihmoni në veprime të ndryshme. I inkurajoj investitorët të vijnë këtu në qoftë se janë të gatshëm të punojnë shumë.