Federer magjik, fiton trofeun e 8 të Wimbledon

Roger Federer legjendë e gjallë e tenisit botëror. Zvicerani triumfoi për të tetën herë në turneun grand slam të Wimbledon që mund të konsiderohet edhe si evenimenti më prestigjoz i këtij sporti. Ish numri 1 i botës shkatërroi në tre sete 6-3, 6-1, 6-4 kroatin Marin Cilic, i cili nuk arriti për asnjë moment t’i bënte ballë klasit dhe magjisë së një prej tenistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ballkanasi u detyrua disa herë të kërkonte ndihmën e mjekut për të kuruar përkohësisht dëmtimin në këbë por ndeshja e FedEx ishte pothuajse perfekte.

Back hand, shërbime të pakapshme dhe qartësia në kthiin e topit e bënë të pakapshëm tenistin zviceran që e mbyli setin e parë në vetëm 36 minuta pasi i rrëmbeu kundërshtarit dy lojë me topat e tij. Me fillimin e pjesës së dytë, Federer u shfaq një uragan i vërtetë duke e çuar menjëherë rezultatin në 3-0 dhe pas një loje që i lejoi kroatit, Federer fitoi edhe tre të tjera për të rrënuar moralisht Cilic që nuk mund të bënte asgjë përballë madhështisë së “Mbretit” të raketës. Cilic kërkoi sërish ndërhyrjen e mjekëve për shkak të një problemi në këmbën e majtë. Cilic u rikthye në lojë por në lojën e pestë të setit të tretë u dorëzua duke i ndezur dritën jeshile zviceranit që numëron 8 tituj në Wimbledon por nuk njeh limite pasi në fjalën përshëndetëse premtoi se do të rikthehet sërish vitin e ardhshëm dhe do të tentojë një tjetër sukses.

Në moshën 36-vjeçare ai bëhet tenisti më i vjetër që arrin të fitojë në Wimbledon, madje edhe me një rekord të pabesueshëm, pa humbur asnjë set gjatë gjithë turneut. Wimbledon rikthehet në palmaresin e zviceranit pas një mungese të gjatë 5 vjeçare, ndërsa ky është titulli i 19 grand slam si askush tjetër në këtë sport. Federer e mbyli mes lotëve këtë turne por të gjithë rivalët janë të paralajmëruar, mbreti i tenisit është rikthyer dhe tashmë US Open është ndalesa e tij e radhës për të synuar kurorën e 20 të një karriere të jashtëzakonshme.

Video Player

 
Loading...