FBK dorëzon aplikacionin për pranim në FIBA

 

Federata e Basketbollit e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në FIBA. Aplikacioni u dorëzua nga Kryetari i FBK-së Erolld Belegu në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA-s Patrick Baumann, nënkryetarin e FIBA-s dhe Kryetarin e FIBA Evropës Turgay Demirel si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA Evropës Kamil Novak.
Në takim delegacioni i FBK-së, i prirë nga Kryetari Belegu, pjesë e të cilit ishin edhe anëtarët e Bordit Arben Fetahu e Valton Bilalli dhe Sekretari i Përgjithshëm Leart Hoxha pasi dorëzoi aplikacionin për anëtarësim, u informua se përgjigjja për Kosovën do të dihet më 12 ose 13 mars që janë datat kur mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FIBA-s.
Zyrtarët e FIBA Evropës po ashtu konfirmuan se Kosova pritet të garojë në kampionatet evropiane për kategori të reja pas konfirmimit zyrtar nga KE i FIBA-s. Rreth grupmshave që do të garojnë në kampionate evropiane, detajet do të dihen në muajin mars. Zyrtarët e lartë të FIBA-s dhe shefi i zyrës ligjore të FIBA-s Benjamin Cohen konstatuan se aplikacioni i Kosovës është një dokument shumë cilësor dhe përmban të gjitha elementet që kërkohen nga zyra e tij.
Gjatë ditës anëtari i Bordit të FBK-së Valton Bilalli dhe Sekretari i Përgjithshëm Leart Hoxha janë takuar edhe me zyrtarin nga zyra për zhvillim e FIBA-s Florian Pasquet me të cilin u bisedua për ndihmën dhe përkrahjen që FIBA do të japë për FBK-në për reprezentacionet e reja, Shoqatën e Trajnerëve dhe programet për zhvillim. /FBK/
 
Loading...