Fadil Nura e Bekim Latifi vizitojnë shkollat e Skenderajt për t’i uruar vitin e ri shkollor (FOTO)

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe Drejtori i Arsimit në Skenderaj, Bekim Latifi, Kryesuesi i Kuvendit Ismet Salihu sot kanë vizituar shkollat e Skenderajt për të uruar vitin e ri shkollor, transmeton Drenica Press.

Me rastin e këtyre vizitave Nënkryetari Nura përveç urimit për fillimin e vitit të ri shkollor, ka takuar stafet drejtuese të shkollave dhe mësimdhënësit, duke kërkuar angazhim dhe përkushtim maksimal në procesin edukativo arsimor gjatë vitit në vijim.

Nura është shprehur i kënaqur me përgatitjet që kanë bërë shkollat për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar se Komuna e Skenderajt vazhdon të jetë e përkushtuar në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, pasi arsimimi cilësor i fëmijëve vazhdon të jetë prioritet i institucioneve lokale të Skenderajt.

Në vitin shkollor 2017/2018 në 23 shkolla fillore të mesme të ulëta, 3 shkolla të mesme të larta dhe 1 institucion parashkollor, mësimin do ta ndjekin 10 349 nxënës të Skenderajt. Në procesin arsimor janë të angazhuar 880 punëtorë arsimorë dhe shërbyes të tjerë.

Mësimi sot ka filluar në të gjitha shkollat, me përjashtim të paraleles së ndarë të shkollës fillore të mesme të ulët “Drenica”, në Marinë, objekti i së cilës është duke u renovuar.