Europian U-17, Spanja shpallet kampione, mposht me penallti Anglinë

Spanja shpallet kampione e Europës për grupmoshat nën 17 vjeç. Kombëtarja iberike mposhti në finalen e këtij turneu Anglinë pas goditjeve nga pika e bardhë e penalltive. Vijon në këtë mënyrë dominimi i la “furia rojas” në futbollin e moshave, kjo ishte finalja e 7-të rradhazi për spanjollët në Europian.
Finalja e zhvilluar në Varazhdin të Kroacisë ishte vërtetë shumë emocionuese, kjo natyrisht edhe për meritë të skuadrës angleze që për hir të së vërtetës ishte vetëm pak sekonda larg triumfit.

Golin e parë të takimit e realizuan “3 luanët” me autor Hudson-Odoi i cili me një të djathtë kirurgjikale e dërgoi topin në trekëndëshin e majtë të portierit Fernandez. Megjithatë iberikët nuk u demoralizuan dhe rikthyen ekuilibrat në minutën e 38-të. Një asist i kapitenit Ruiz i dha mundësinë Morey-t të baraspeshonte sfidën.

Në segmentin e dytë Anglia rimorri edhe një herë epërsinë. Foden me një të majtë mjaft të saktë mposhti gardianin iberik. Sfida po i drejtohej fundit me britanikët një hap larg triumfit, por në minutën e 5-të shtesë nga 4 të akorduara nga gjyqtari Spanja realizoi golin e barazimit me protagonist Diaz. Në këtë rast numri 11 pati edhe ndihmën e pavullnetshme të portierit anglez Bursik. Tek ruleta e penalltive gabimi i Beitia për “3 luanët” i shoqëruar me golin e kapitenit iberik Guehi i dhuruan suksesin kontinetal Spanjës. Titulli i 3-të europian për kombëtaren spanjolle të 17 vjeçarëve, një rekord më vete për këtë grupmoshë.

 
Loading...