Epidemia në Nigeri merr jetën e 745 personave

Qendra e Kontrollit Shëndetësor në Nigeri, ka thënë se të paktën 745 persona deri më tani kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë së meningjitit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate me shkrim nga kjo qendër thuhet se meningjiti i cili është i përhapur më shumë në veri të vendit, aktualisht ndodhet në kufirin e epidemisë.

Në deklaratë thuhet se deri më 17 prill ka patur 8057 raste me meningjit. Ndërsa theksohet se 745 prej tyre kanë humbur jetën.

Ministri i Shëndetësisë së Nigerisë, Isaac Adewole ka thënë se ka kërkuar një takim urgjent me përfaqësuesit politik dhe vendor të 26 rajoneve, nga 36 që ka vendi në total.

Ndërkohë epidemia thuhet se mund të parandalohet përmes një vaksine në rang vendi, por se kjo kushton rreth 1 milion dollarë.

Në këtë vend gjatë vitit 2015 ka patur 131 vdekje si pasojë e meningjitit dhe në vitin 2016, 33 raste me vdekje.