Endrit Balaj, shpallet fitues në garën e Inteligjencës në Kosovë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fitueseit e olimpiadës shkencore “Eureka 2”, e cila është organizuar nga Fondacioni për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera” – gjimnazi “Hasan Nahi”, ndërsa është përkrahur nga MAShT.
Ministri Bajrami, me këtë rast, theksoi se kjo garë tregon se sa inteligjentë janë nxënësit tanë dhe na obligon që të punojmë shumë që të krijojmë kushte sa më të mira që ata të zhvillohen dhe të jenë qytetarë të përgatitur të së ardhmes.
Ministri Bajrami theksoi se nxënësit tanë do të përkrahen përmes planprogrameve dhe kurrikulave të përshtatshme dhe në forma të tjera, të cilat ofrojnë arsim cilësor të shekullit 21.
Duke folur për garën e zhvilluar mes nxënësve të klasave të nënta, ministri Bajrami theksoi se këto gara do të jenë tradicionale në Kosovë. “Në kuadrin e reformave që po bën Ministria e Arsimit, do të jetë edhe fryma e garimit”, tha ministri, ndërsa theksoi se në këtë drejtim do të gjendet edhe klasa më e mirë, mësuesi më i mirë e shkolla më e mirë, sepse edhe në këtë mynyrë do të ngritet cilësia në arsim.

Ministri Bajrami foli edhe për planet e MAShT për të ofruar arsim sa më cilësor dhe tha se do të punojmë që të bashkohemi të gjithë për të arritur synimin. “Arsimi është fusha që duhet ta bashkojë popullin dhe kjo garë më së miri tregon diversitetin që ka Kosova”.

Ministri Bajrami në ndarjen e çmimeve për oplimpiandën shkencore “Eureka 2”

Në fund, ministri Bajrami ndau çmimet për 15 finalistët e kësaj gare, e cila ka pasur për qëllim të testojë inteligjencën dhe është zhvilluar për herë të dytë në Kosovë, me 2 mijë nxënës të klasave të nënta të 28 komunave.