Ende nuk ka vendim zyrtar për selinë e Gjykatës Speciale

Ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar nëse selia e Gjykatës Speciale për Kosovën, do të jetë në Holandë.
Një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar ende Brukseli, i cili zhvillon bisedime me Holandën. Në rast të një marrëveshjeje, për selinë e Gjykatës, atëherë kjo marrëveshje duhet të ratifikohet fillimisht në parlamentin holandez.
Autoritetet e Bashkimit Evropianë dhe ato të Kosovës, ende po vazhdojnë diskutimin me Holandën, rreth selisë së Gjykatës Speciale. Qeveria Holandeze nuk e konfirmuar nëse procesi negociues për këtë çështje të jetë përmbyllur. Zyra e BE-së, në Prishtinë, përmes postës elektronike i tha Radio Kosovës se themelimi i Gjykatës Speciale vazhdon të mbetet prioritet.
” Themelimi i Gjykatës Special mbetet prioritet për BE-në dhe Kosovën. Në këtë fazë nuk mund të komentojmë për veprime konkrete. Procesi planifikues në Bruksel dhe Prishtinë është duke vazhduar. BE-ja inkurajon Kosovën në formalizimin e kornizës ligjore për themelimin e kësaj Gjykate, bazuar në marrëveshjen e arritur përmes shkëmbimit të letrave dhe ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës, i bërë në prill të 2014”- thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së, në Prishtinë.
Nëse vendoset që selia e Gjykatës Speciale të jetë në Holandë, atëherë marrëveshja duhet të ratifikohet nga Kuvendi holandez. E ndërkohë që ambasadori i Holandës në Prishtinë, Robert Bosch i tha Radio Kosoven se “ Parlamenti do të diskutojë këtë çështje në kohën e duhur. Nuk mund të parashikojë rezultatin sepse parlamenti është i pavarur, por ne shpresojmë se ata do të bien dakord”.
Ditë më parë nënkryetari i kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë se nuk janë autoritetet e Kosovës, ato që do të bisedojnë me Holandën për selinë e Gjykatës Speciale. Një gjë të tillë do ta bëjë Brukseli, me të cilën Prishtina zyrtare do t’i zhvillojë bisedime, ka thënë Halitit. Ndryshe mediat ndërkombëtare më herët kanë shkruar se ideja që Gjykata Speciale për Krime lufte, ta ketë selinë në Holandë lidhet edhe me faktin e sigurisë së dëshmitarëve që janë kyç për aktakuzat që pritet të ngritën, për disa pjesëtarë të ish -UÇK-së.