Emigruan tifozët kosovarë!

 

 

Emigrimi i shumë qytetarëve të Kosovës mund ta dëmtojë seriozisht edhe sportin kosovar, posaçërisht futbollin, në shikueshmëri. “Forca”, “Torcida” dhe “Plisat” paralajmërojnë se në sezonin pranveror do të jenë në numër më të vogël në stadiume, pasi shumë anëtarë të rregullt të tyre tashmë ilegalisht kanë dalë në Evropë

Emigrimi ilegal i shumë qytetarëve të Kosovës mund ta dëmtojë shumë rëndë edhe futbollin kosovar, i cili edhe ashtu ndër vite ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme.

Siç dihet, numri i shikueshmërisë nuk ka qenë asnjëherë i kënaqshëm, përkundër faktit se viteve të fundit është vërejtur një rritje, por e vogël, shkruan Gazeta Zëri.

Ndërsa, gjatë sezonit pranveror, i cili do të nisë pas pak javësh, numri i tifozëve nëpër stadiume pritet të jetë më i vogël. Kjo për shkak se shumë tifozë të rregullt që ishin kanë emigruar nëpër Evropë nëpërmjet rrugëve ilegale të Serbisë.

Ky fenomen më së shumti e ka prekur grupin e njohur të tifozëve nga Vushtrria, “Forca”. Këta tifozë ishin të shkëlqyeshëm viteve të fundit dhe thuajse në çdo ndeshje e mbushnin përplot stadiumin “Ferki Aliu”, por në numër të madh udhëtonin dhe nëpër qytete të tjera. Por, sot shumë pak prej tyre kanë mbetur në Vushtrri. Madje, “Zëri” e kishte të vështirë të kontaktonte edhe me ndonjërin prej prijësve të “Forcës”, pasi edhe ata kishin emigruar. “Po, edhe kryetari Muhamer Maxhuni e ka marrë këtë rrugë, gjithashtu edhe anëtarë të kryesive të kaluara dhe tifozë nga të gjitha moshat fatkeqësisht nuk do të jenë në tribunën lindore për ta përkrahur klubin e zemrës”, thotë për “Zërin” Mehmet Selaci-Meki.

“Sa kam mundur ta vërej, diku rreth 70 për qind e anëtarëve aktivë kanë emigruar. Kjo shkaku i kushteve të rënda ekonomike dhe të mundësive të vogla që të gjesh punë në Kosovë, posaçërisht në Vushtrri, pasi në komunën tonë mungojnë politikat e qarta për zhvillim ekonomik e social”, ka theksuar ai.

Ky tifoz i arsyeton shokët e tij që e lanë klubin dhe qytetin e vjetër. “Fakti se ata bënë ballë t’i lënë familjet, shoqëritë dhe klubin, tri gjërat më të dashura të jetës së tyre, tregon gjendjen e rënd nëpër të cilën po kalojnë qytetarët vushtrrias”.

Emigruan edhe shumë nga “Torcida” e “Plisat”

Përpos “Forcës”, fenomeni i emigrimit ilegal nga Kosova i ka prekur edhe grupet e tjera të tifozëve të njohur, si “Torcidat” dhe “Plisat”, raporton Zëri.

Nga grupi i tifozëve mitrovicas tashmë janë ndarë shumë tifozë aktivë, që kanë shkuar në Evropë në kërkim të një jete më të mirë.

“Të them të drejtën rreth 30 për qind e anëtarëve aktivë kanë ikur nga Kosova. Dihet se Mitrovica është qyteti më i varfër në Kosovë dhe njerëzit mezi kanë pritur të hapet ndonjë rrugë për të ikur”, thotë për “Zërin” kryetari i “Torcidave”, Adnan Musa.

Situatë afërsisht e njëjtë është edhe në mesin e “Plisave” të Prishtinës. “Diku rreth 20 për qind e anëtarëve aktivë kanë shkuar. Kjo është gjëja më e keqe e Kosovës. Kur Serbia e pati larguar popullin nga Kosova, NATO-ja dhe e gjithë bota u patën çuar në këmbë për të na kthyer në Kosovë, kurse tani vetë ne po dalim nga shteti”, theksoi kreu i “Plisave”, Albert Kastrati./zeri/

 
Loading...