“Ekspozita në Tiranë do jetë më e mirë se në Torino”

Nga 8 prilli deri më 10 maj, Tirana do të mirëpresë për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar (MHK) edicionin e gjashtë të Bienales “Stemperando”, një bienale ndërkombëtare e veprave të artit në letër, e cila ka dhe një seksion kushtuar artistëve shqiptar. Falë kurimit të Alfred Milot Marashit (krahas Anselmo Villatas), në këtë eveniment kanë mundësinë, që të ekspozojnë nga dy punime 18 artistë shqiptarë. Si fillim edicioni i gjashtë i “Stemperando”-s u nis në Torino, (më 6 shkurt – 8 mars), me një program që më pas parashikonte transferimin dhe ekspozimin e veprave në Tiranë dhe për në fund në Romë (20 maj-24 qershor). Helidon Haliti, një prej 18 artistëve shqiptarë, që marrin pjesë në këtë bienale, në një intervistë për “Shekulli”-n tregon se nga ai do të ketë dy peizazhe të punuara në akuarel, kjo në linjë me përpjekjen e tij për ta rikthyer këtë teknikë të vështirë, e cila nuk po aplikohet më. Haliti thotë se ekspozitën në MHK e pret më të mirë sesa ajo në Torino, kjo pasi salla në gjykimin e tij është më e mirë. Teksa nënvizon aspektet pozitive që marrin artistët shqiptarë nga ky event ndërkombëtar, Haliti tregon edhe planet e tija për të ardhmen.

Zoti Haliti, tashmë bienalja vjen te ne, por duke qenë se dhe ju jeni një ndër artistët që marrin pjesë dhe kështu mund ta dini më mirë… Si ishte ekspozimi në Torino?

Ekspozimi në Torino me aq sa pashë, përveç godinës dhe njerëzit që shkuan… unë do të thosha që salla, nuk është më e mirë sesa salla e MHK-ës. Të jem i sinqertë, unë tani pres ta shoh bienalen…, sesi rrinë ato vepra me njëra-tjetrën dhe muret…, kjo sepse ishte kuruar në mënyrë më sportive në Torino. Kur ekspozohesh përkrah Georges Braque (piktor francez i viteve 1882-1910, pikturat e të cilit ekspozohen, së bashku me artistë të tjerë, në seksionin historik të bienales), pretendon që gjërat të jenë disi më ndryshe…, apo kur thua Torino…, Ideja është, që pikërisht kjo ndodh edhe me artistët tanë, që zakonisht thonë se kanë ekspozuar në Torino dhe nuk thonë se ku, se në çfarë salle.

Ekspozita ishte në ndonjë Universitet? Apo…

Jo ishte në Bibliotekën Kombëtare, për të qenë…, por unë e thashë në përgjithësi. Duhet thënë që çdo gjë ishte prestigjioze, por jo domosdoshmërisht Biblioteka Kombëtare ka sallën më të mirë?! Mendoj se salla e MHK në Shqipëri, një sallë shumë e mirë, e restauruar së fundmi, do jetë më e mirë sesa ajo e Torinos. Ndërkohë uroj që ajo e Romës të jetë edhe më e mirë se të dyja bashkë. Vlen të thuhet se MHK po bën një punë të shkëlqyer, aq sa po konkurron edhe Galerinë Kombëtare, e cila duhet të funksionojë sikurse po funksionon sot Muzeu, i cili po duket se është më bujar me artistët. Prandaj MHK po ecën mirë dhe po bën shumë ekspozita të mira. (Artistët) Vijnë nga jashtë, shkojnë atje… salla është bërë e mirë, bëjnë ekspozitat dhe vetvetiu kështu zhvillohet arti.

Çfarë nxirret, çfarë fitohet nga kjo bienale?

Natyrisht përtej promovimit… ajo që nxirret, për mua, është se… për shembull, ne në Shqipëri nuk e njohim shumë, por përmbyllja e një ekspozite është botimi i katalogut dhe katalogu që këta kanë botuar (me 160 faqe) është tejet prestigjioz. Një katalog për t’u pasur zili, kjo për faktin se në vendin tonë nuk njihet shumë kjo praktikë. Ti lexon CV-në e dikujt, ai mund të thotë ‘kam bërë 2500 ekspozita’ dhe ndërkohë nuk ka asnjë të afishuar. Zakonisht dhe frikshmërisht, mund të them se ekspozitat po bëhen për “Facebook” dhe kjo është edhe për të ardhur keq. Me katalogë mund të masim ecurinë e artistëve. Në një shtrirje kohore mund të shohim se ata, të cilët sot nuk ishin të njohur nesër u bënë me emër dhe e kundërta. Pra me këtë kuptojmë sesa diakronik është arti, sesa rri në kohë. Ndërkohë shumë pozitive mendoj se është prezenca e dy femrave në këtë grup prej 18 artistësh, që marrin pjesë në ekspozitë dhe duhet thënë se të dyja paraqesin natyra interesante të artit. Ormira Lulani, e cila vjen nga një familje artistësh dhe është, si të thuash, produkt i shkollës shqiptare dhe Beskida Kraja, e cila lidh tre shkolla. Ajo ka mbaruar të mesmen në Shkodër me pedagog Adrian Pacin, ka bërë të lartën në Greqi dhe së afërmi ka mbaruar Akademinë e Brerës (Milano). Është shumë e talentuar dhe jam i bindur se me performancën që ka mund të ketë një të ardhme të madhe.

Në këtë bienale sa punime keni? Me çfarë prezantoheni?

Do kemi nga dy punime secili. Domethënë 18 artistë shqiptarë do kemi dy punime, të zhanreve të ndryshme, si kompozime, peizazhe e të tjera.Unë marr pjesë me gjininë e peizazheve me akuarel, me bojëra uji, një teknikë kjo pothuajse e vdekur në Shqipëri, e harruar fare. Ka shumë pak artistë që e punojnë, një teknikë që klasifikohet si e vështirë, kjo pasi akuareli nuk korrigjohet, bëhet me një prekje. Për punimet e mia mund të them se janë të abstraguara nga një cikël peizazhesh, të cilat i kam bërë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, duke nisur nga Rugova e deri në Sarandë.

Cilat janë planet tuaja për vazhdimësinë? Do keni më ekspozime të këtilla, sikurse në këtë bienale?

Si rastësi mund të them se me këto punime të ciklit tim të peizazheve, prej të cilave kam abstraguar dy punimet për “Stemperando”-n…, me rreth 30 prej tyre do të marr pjesë edhe në bienalen e akuarelit në Briude të Francës (Biennale d’Aquarelle de Brioude), kjo e parashikuar të mbahet në korrik. Kjo bienale është e pastër e akuarelit, pra jo vetëm e letrës. Ndërkohë në bienalen e “Stemperando”-s, mund të punohej edhe me teknikën e vajit apo me akrilikut, kjo e “Briude”-së do të jetë akuarel i pastër. Gjithashtu po punoj, të organizoj festivalin e akuarelit ndërkombëtar. Me ndihmën modeste të Ministrisë së Kulturës, po mundohem të sjell artistët më të mirë të botës dhe ndër më të dëgjuarit në akuarel. E gjitha besoj se do të bëhet në nëntor dhe do jetë, them, një festival i përvitshëm ku do të organizohen edhe “work-shop”-e ku artistë do të performojnë ‘live!’, kjo e gjitha me idenë e ngjalljes së kësaj teknike. Diçka vërtetë shumë interesante.

“Arti në Shqipëri nuk ka konsum”

Teksa përshkruan gjendjen e artit shqiptar, piktori Helidon Haliti tregon se ndër të tjera në Shqipëri mungon konsumi i artit. Ai thotë se janë shumë të paktë ata që e blejnë artin në vendin tonë. “Shqipëria është një vend absolutisht atraktiv dhe tejet komod në absurden e saj, kjo në idetë që duhen për të bërë art të madh. Por ngjarjet janë aq të shumta dhe aq të shpeshta saqë vetëm ata, të cilët nuk jetojnë në Shqipëri, munden t’i veçojnë lehtësisht, ndërsa ne që ndodhemi këtu i lëmë të kalojnë. Nga kjo pak a shumë je, si të thuash, i velur nga informacioni. Ndërkohë që arti i sotëm ka nevojë për ngjarje, ka nevojë për informacione. Unë do thosha që kalon në një apatizëm ekstrem, por kjo jo për faj të artistëve, por për faj të vetë situatës që krijon vendi. Është atraktiv për sa i përket ngjarjeve, por nuk ka infrastrukturën e nevojshme për t’i bërë art. Kjo është vërtetë një ngatërresë e madhe.

Diçka më vete pastaj është energjia e atyre njerëzve…, energjia e njerëzve të thjeshtë për t’u bërë artist dhe e vetë artistëve për të vazhduar në të qenit artist, është ajo që, sinqerisht, i jep një goditje të fortë ndaj këtyre absurditeteve. Fakti që çdo gjë në botë është e lidhur me projekte dhe investime…, këtu te ne nuk investohet fare dhe sërish krijohet. Është habi, ndonjëherë ka më shumë aktivitete në art sesa në politikë. Është habi, se ku e gjejnë forcën këta njerëz (artistët)”, thotë Haliti, i cili më pas tregon për nivelin e konsumit të artit në Shqipëri. “Ata të cilët blejnë art këtu, janë aq të paktë, saqë normalisht arti nuk duhej të dilte në shitje, por duhej të ishte thjesht hobi. Janë diku rreth 100 persona, ata të cilët blejnë minimalisht një herë në vit art, ndërkohë që piktorët janë më shumë se një mijë. Ata të cilët blejnë periodikisht, mund të jenë rreth dhjetë veta. Pra është inekzistent konsumi në vendin tonë dhe nëse nuk i referohemi vendeve të huaja, nuk mundesh të mbijetosh. Pra Shqipëria, padyshim e do artin, por e do për ta parë, për ta shijuar thjesht me shikim. Madje edhe këto rrjetet sociale kanë ndikuar shumë që të vazhdohet me këtë ide. Mendoj se arti do vlerësohet më shumë kur edhe piktura do kthehet në kolateral, pra në një pasuri të patundshme”.

18 artistët shqiptarë, mes të cilëve edhe Lubonja

Helidon Xhixha, si skulptor, sjell projektet e tij për skulpturat e monumentale, që ai i realizon në inoks. Parlind Prelashi, e titullon veprën “Me titull” për të ironizuar ato pa titull. Figurat i vesh me ngjyrat e fëmijërisë. Vladimir Llakaj, kërkon të shprehë rrugët e jetës, ndërlikimet, të papriturat, dhuratat dhe pengesat e saj. Alkan Nallbani, në punimet e tij sjell studime psikologjike të transformimeve sociale dhe ngjarjeve publike. Alban Methasani, sjell dëshmi vendesh, jo portretizimin e një peizazhi në veç̧anti, por një mozaik të të̈ përjetuarit. Fatos Lubonja, zbulon mundësinë e pazakonshme të letërsisë, si material fiksimi të kreativitetit dhe përpjekjes njerëzore. Helidon Haliti, sjell me një stil surealizmi paksa të frenuar, që mund të quhet edhe realizëm magjik, peizazhe të ndryshme. Admir Pervathi, sjell me lojë kreative ngjyrash, natë me borë, të dyja të qeta dhe të buta në vetvete, por me një sjellje të mistershme. Beskida Kraja, sjell karakteristikat e kafshëve, që e bëjnë njeriun të kuptojë se ato përbëjnë shprehjet tokësore të disa fuqive qiellore. Armand Xhomo, në punimet e tij sjell një vizion konceptual në kërkim të një arti të vërtetë.

Pjetër Koleci, me goditje të shpejtë penelate nxjerr në pah kontrastet mes planesh të ndryshme ekspresive dhe dramatike. Ormira Lulani, paraqitet me portrete “Cigani” dhe “Familja Cigane”, që i ka shkëputur nga cikli me vizatime “Motive cigane”. Andi Nallbani, sjell sfidat e tij të gjetjes për të përcaktuar një imagjinatë piktoreske që e shtyjnë atë ta vizatojë. Alberto Saka, një nga pikat e zhvillimit abstrakt bashkëkohor informal, sjell një pjesë të jetës dhe kërkimit të tij. Ardian Isufi,ironizon me shenja apo simbole komuniste, duke i zhveshur nga përmbajtja apo rëndësia e tyre. Gjon Jon Kraja, vë në qendër komercializimin e jetës sonë të përditshme. Albien Alushaj, sjell në peizazhe të zonave industriale.

Bëra gabim që shkova në Greqi, eksperiencat e mia atje më lanë prapa

Helidon Haliti, i cili pasi kreu Akademinë e Arteve në vitin 1993 provoi një sërë eksperiencash, qoftë brenda vendit ashtu edhe jashtë, (me ekspozita në Greqi, Holandë apo Francë), tregon bilancin e përfitimeve, që i solli tranzicioni shqiptar. “Jemi pas 25 vitesh dhe sinqerisht nuk e kuptoj më se çfarë ka ndodhur, por duhet të kemi parasysh që njeriu duhet të marrë një vendim, qoftë të gabuar, mjafton që të mos rrijë fare pa lëvizur. Kështu bëra unë. Mora vendimin dhe shkova në Greqi. Kjo ka qenë një ndër eksperiencat e mia… do thosha më negativet, në kuptimin që (si artist) më la prapa…, mund të them që isha në mes të oqeanit dhe mes përbindëshave. Çfarë nuk të vret të bën më të fortë, ndoshta… por unë nuk kisha shkuar atje për të bërë luftë, as për të gjetur të drejtat e njeriut, pata shkuar për t’u përqafuar si artist. Ky ka qenë gabimi. Të shkoja në Perëndim, të jem i sinqertë, do kish qenë më ndryshe.

Megjithatë, pas kësaj kthimi në Shqipëri është një eksperiencë shumë e mirë. Pavarësisht se është një vend shumë i vështirë, është vendi ynë dhe të them të drejtën mi ka dhënë të gjitha ato që kam pritur dhe them se i meritoj. Gjithmonë duhet të dish pozicionin tënd. Je në pozicionin për t’i përmirësuar ti gjërat, dhe jo të t’i përmirësojnë të tjerët ty, kjo sepse kështu e mendoj unë, që vendi është në tranzicion…, dhe unë vë tullën time, nuk pres nga të tjerët. Nëse e shohim për shoqëritë perëndimore, ai (Shteti) do punonte për ty, për çështje sistemi…, sistemi është i tillë, që ti ke statusin e artistit. Ndërsa këtu (Shqipëri) nuk ke status fare. Sot je në majë… si Sizifi…, nesër je prapë poshtë. Kjo është e bukura e kësaj historie, sistemi i harresës, një sistem shumë agresiv ky i yni”.