Ekspertët s’mendojnë sikurse kryeministri Mustafa, thonë se vizat nuk hiqen në gusht

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka deklaruar se Kosova ka përkrahjen e Bashkimit Evropian që liberalizimi i vizave të bëhet në muajin gusht, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të vendit dhe bizneseve qarkullim i lirë evropian.  Mirëpo, kështu nuk mendon mendojnë edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Profesori universitar, Afrim Hoti ka cilësuar se çështja e liberalizimit evropian nuk lidhet me çështje muajsh, por me plotësim të normave të cilat janë të përcaktuara nga BE-ja.

“Mendoj se nuk lidhet çështja e liberalizmit me muaj të vitit as me stinë por lidhet fund e krye me plotësim të kushteve. Nuk mund të themi as gushti as qershori por duhet të flasim me terma konkret për plotësim të kushteve konkrete që tashmë i ka bërë BE-ja Kosovës”, ka thënë Hoti për Indeksonline.

Sipas tij, nuk ka liberalizim të vizave pa demarkacion dhe nuk ka liberalizim të vizave dhe pa luftim të ndjeshëm dhe të prekshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Varet nga vullneti politik i subjekteve poetike për të gjetur zgjidhje në radhë të parë për demarkacioni dhe për një vullnet politik për të triumfuar sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse ka vullnet politik drejt kësaj çështje mund të ecet me hapa shumë të shpejtë, në të kundërtën BE-ja nuk ngutet fare, sepse ne vetëm do të kënaqemi me deklarata politike teksa vazhdojmë të mbetemi vendi i izoluar në Evropë”, ka shtuar Hoti.

Në fund, profesori i UP-së ka thënë se kushdo që bënë deklarata të tilla e bëjnë vetëm për konsum politik, pasi çështja e liberalizmit të vizave është çështje e përmbushjes së kushteve jo e muajve./Indeksonline/

 
Loading...