Edita Tahiri në Berlin takohet me ministrin gjerman për Evropë, Michael Roth

Në vazhdim të takimeve me qeverinë gjermane në Berlin, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, u prit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë nga ministri për Evropë, Michael Roth, me të cilin biseduan për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy shteteve, perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve dhe falënderoi Gjermaninë për gjithë mbështetjen për krijimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, duke theksuar se Gjermania është një vend mik i Kosovës dhe jemi të përkushtuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ajo tha se Kosova është një shtet me vizion euroatlantik dhe një partnere serioze në përpjekjet për paqe, fqinjësi dhe stabilitet në rajon, ndërsa shprehu bindjen se edhe qeveria e re që pritet të formohet, pas zgjedhjeve të sapo përfunduara në Kosovë, do të vazhdoi rrugën e jetësimit të vizionit euroatlantik, me prioritet për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Ministrja Tahiri kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Gjermanisë për Kosovën dhe agjendës euroatlantike të saj, me ç’rast theksoi se përshpejtimi i integrimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB është me interes për Kosovën dhe për stabilitetin në rajon.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, ajo se theksoi se sfidat dhe rreziqet e reja me të cilat përballet rajoni, sidomos nga ideologjitë ekstreme dhe ambiciet gjeopolitike të vendeve joperëndimore, kërkojnë një angazhim më të madh të Gjermanisë dhe partnerëve perëndimor në mbështetje të rajonit, sepse vetëm së bashku mund t’i përballojmë.

Nga ana e tij, ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, siguroi se Gjermania mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të Kosovës, dhe se është e gatshme të ofroi mbështetje të mëtejshme për forcimin shtetëror të Kosovës. Ai tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në BE është reale, sikurse edhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. Më tej, ai shtoi se, Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile dhe evropiane për të çuar përpara reformat që në fund të përfitojnë njerëzit. Në fund të fundit, reforma nuk është një qëllim në vetvete, por është në interes të vendit, veçanërisht brezi i ri ka nevojë për perspektivë edhe në vendin e vet, theksoi ministri Roth.

Të dy theksuan rëndësinë e procesit të Berlinit, i cili u lansua në Bashkimin Evropian për të arritur rezultate konkrete në infrastrukturë, rrjetet e energjisë si dhe shkëmbimet rajonale. Ndërsa vlerësuan gjithashtu se bashkëpunimi rajonal dhe dialogu me fqinjët është parakusht për zhvillimin ekonomik dhe konvergjencën e mëtejshme me BE.

Në takim morën pjesë edhe Hans Ulrich Sudbeck, udhëheqës i Departamentit për Ballkanin Perëndimor në MPJ-në e Gjermanisë dhe ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu.

 
Loading...