Edhe grekët të interesuar për të investuar në Mitrovicë

 

Kryetari i Komunës, Agim Bashtiri, priti të premten  përfaqësues të kompanisë greke “Hymeri Kleemann”, me të cilët ka biseduar për mundësin e investimeve në Mitrovicë.
Përfaqësuesit e kompanisë në fjalë, kanë paraqitur para kryetarit  Bahtiri dhe drejtorit të Urbanizmit, Sami Zeka, projektin për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e energjisë dhe vajit për ngrohje –mazut.
Menaxheri i kompanisë për Kosovë,  Hysni Ymeri, i tha kryetarit Bahtiri, se prodhimi këtyre dy produkteve do të bëhet nga gomat, ku lënda e parë do të sillet nga Greqia dhe Italia.
“Lëndën  e parë, apo 70 për qind të lëndës së parë,  do ta sjellim nga Greqia dhe Italia, ku mblidhen  gomat në mënyrë institucionale, pastaj prehen në pjesë të vogla dhe ato do të sillen në Kosovë për tu prodhuar produktet që përmendëm”, tha Ymeri.
Ai dhe shoqëruesi i tij, George Mosschovakis, kërkuan nga Komuna një parcelë në Parkun e Bizneseve për ndërtimin e fabrikës, në ndërtimin e fazës së parë të së cilës, sipas tyre, do të investohen 1.5 deri në 1.8 milion. Ndërtimi i kësaj fabrike do të gjeneroj edhe vende pune.
“Që në fazën fillestare, do të mund të punësohen 20-25 persona, ndërkaq më pas, varësisht na ecuria e punës, numri i të punësuarve pa dyshim se do të rritet”, tha Ymeri.
Kryetari Bahtiri, tha se në përgjithësi i përkrah bizneset dhe është i interesuar për zhvillimin  ekonomik të vendit, prandaj edhe po krijon kushte për lehtësira dhe investitorë, të brendshëm e të jashtëm. Ai kërkoj  nga përfaqësuesit e “Hymeri Kleemann”, që t’i nënshtrohen procedurave të aplikimit, në mënyrë që pastaj të themelohet një komision për shqyrtimin e projektit.
Më pas, zyrtarët e kësaj kompanie, të shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi, Besim Beka, kanë vizituar Zonën e Lirë Ekononike, ku është duke u punuar në krijimin e kushteve të përshtatshme për ndërtimin e fabrikave.
 
Loading...