E quajtur “Pema e Milionerëve”, Kivi kultivohet dhe në Fier

Jo më larg se dy vite më parë, jo vetëm kivi, por edhe çmimi i këtij fruti ishte ekzotik dhe jashtë buxhetit ditor të shumë familjeve shqiptare dhe vërtitej tek 270 – 300 Lekë për kilogram. Por fillimi i kultivimit në masë nga fermerët vendas e ka kthyer kivin nga një frut 100% i importuar, në një nga krenaritë dhe historitë e suksesit të bujqësisë shqiptare, duke arritur edhe eksporte në Kosovë. Kivi kultivohet në vend sidomos në zonën Lushnjë – Fier, në rajonin Tiranë – Durrës, por edhe në Vaun e Dejës dhe Pogradec.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, fermerët shqiptarë po thyejnë rekorde duke e tregtuar kivin edhe me çmime më të ulëta sidomos në krahasim me importet. Kivi i prodhuar në Shqipëri është më kokërrvogël se cilësia e parë e frutit të importuar, por vlerat janë të njëjtat dhe mbi të gjitha ky frut nuk është i trajtuar me solucione për t’i zgjatur jetën në transport nga vendet e origjinës përtej oqeanit deri në tregjet e Shqipërisë. Suksese i kultivimit të kivit bazohet në dy aspekte, thjeshtësia në rritje dhe aftësia e bimës për të mos kapë asnjë sëmundje dhe të garantojë prodhim. Kivi quhet pema e milionerëve dhe e njerëzve dembelë. AgroWeb.org ju tregon se kivi rritet me fidanë që gjenden pothuajse në të gjitha fidanishtet në vend dhe formësohet si hardhia e rrushit, pra në zhvillim të lartë dhe horizontal.

Shqiptarët janë njohur me kivin pas rënies së komunizmit, ku shumë e ngatërruan me pataten.

“Kam pasur shansin e mirë që jam njohur me kivin në fillm të viteve ‘90. Në Shqipëri kivi ka qenë krejt i panjohur, por e vërteta është që disa bimë me kivi kanë qenë mbjellë gjatë viteve 70 në kopshtin eksperimental të Institutit të Kërkimit Bujqësor në Lushnjë”, shpjegon eksperti i Hortikulturës, Gjovalin Gjeloshi.

Askush nuk e di me saktësi pse ato pemë që u mbollën në vitin 1970 nuk u përhapën në vend, por AgroWeb.org raporton se u desh të kalonin 20 vjet që ta mund ta shijonim këtë frut. “Ndoshta ishte zona e Lushnjës që nuk mundësoi që kjo bimë të zhvillohej më tej”, thotë Gjeloshi, i cili konsiderohet si nga të parët që ka kultivuar frutin e kivit në Shqipëri në fillimin e viteve 1990.

Por që të mbjellësh kivi nuk nevojitet aspak të kesh një fermë. Ndoc Mulaj na e dëshmon këtë, duke mbjellë kivi në kopshtin e shtëpisë së tij. “Klima për rritjen e kivit është e shkëlqyer dhe unë i ftoj të gjithë që ta mbjellin nga veriu i vendit në jug”. Në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare mbi sasinë e prodhuar të kivit, megjithatë burime të AgroWeb.org tregojnë se llogaritet të jenë mbjellë rreth 40-70 hektarë me kivi që prodhojnë afro 1000 tonë fruta. Një shifër e ulët po të mendosh dhe kërkesën e lartë të tregut për këtë produkt, i cili është shumë herë më i lirë se kivi i importit. Rritja e cilësisë dhe varieteteve të ndryshme, do ta bënte kivin shqiptar më konkurues. Shumë tregëtarë shpesh e nxjerrin në treg të papjekur ose të pjekur shumë, duke bërë që konsumatorët të shkojnë drejt produkteve të importit. Ofrimi i një produkti cilësisht të mirë, i shtyn konsumatorët që ta riblejnë produktin. Fakti që ky frut është kaq i pasur me vitaminë C, magnez dhe kalium dhe fakti që ndihmon në luftën ndaj një sërë sëmundjesh, e bën atë tejet të kërkuar nga konsumatorët.
© Agroweb.org