Durmishi: Grupet e interesit nuk mund ta na ndalin, nga java e ardhshme fillon sanimi i gropave në rrugët e kryeqytetit

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, në një konferencë për media tha se kjo drejtori në buxhetin e saj për vitin 2015 ka afro 8 milionë euro që janë planifikuar për investime kapitale, si dhe afro 10 milionë euro buxhet që është bartuar nga viti paraprak për projekte të cilat tanimë veçse janë kontraktuar.
“Në fund të vitit 2014, ne si drejtori, kemi nënshkruar 28 kontrata, pra për 28 projekte për pjesën më të madhe të të cilave tashmë kanë filluar të ekzekutohen punimet. Kemi filluar procedurat procedurat e prokurimit për shumicën e projekteve të tjera të cilat janë të planifikuara edhe në Planin e Veprimit, edhe në planin e prokurimit për vitin 2015. Ky vit me të drejtë do të quhet si vit i infrastrukturës sepse kemi në buxhet rreth 18 milionë euro, të cilat janë të dedikuara për projektet e infrastrukturës në Komunën e Prishtinës”, tha Durimishi.
Durmishi tha se janë duke u zhvilluar në vazhdimësi takime me donatorë potencial, në mënyrë që të sigurohen edhe donacione për projekte të tjera, pasi që nevojat e Komunës së Prishtinës sa i përket investimeve infrastrukturore janë të shumta dhe nuk mund të realizohen me buxhetin që është në dispozicion.
Në këtë konferencë për media, drejtori Durmishi foli edhe për shqetësimin e qytetarëve të Prishtinës lidhur me sanimin e gropave në qytet. Ai tha se qytetarët me të drejtë shqetësohen ngaqë gjendja nuk është e mirë nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.
“Më lejoni të sqarojë për opinionin se pse ka ardhur deri tek kjo gjendje. Kontrata për sanimin e gropave është kontratë kornizë një vjeçare dhe ka përfunduar në dhjetor të vitit 2014. Ne menjëherë i kemi filluar procedurat e prokurimit për ta nënshkruar një kontratë të re për vitin 2015. Të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe me datën 9 mars 2015, ka qenë dita e fundit e ankesave. Çuditërisht, me datë 9 mars, kur ishte dita e fundit e ankesave, në ora 15:55, vetëm 5 minuta para se të përfundojë orari, një kompani nga Gjilani, “El Bau”, ankohet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe detyrohemi që t’i ndërpresim procedurat derisa të shqyrtohet ankesa”, tha Durmishi.
Ai u tha se ankesa e kësaj kompanie është krejtësisht politike, në interes të grupeve të caktuara politike, të cilët nuk e kanë në interesim rregullimin e rrugëve të Prishtinës, por qëllim kryesor e kanë pengimin e qeverisjes së Komunës së Prishtinës me qëllim që mos t’i realizojë projektet e saj.
Këtë pretendim Durmishi e mbështeste në faktin se kjo kompani ka qenë një nga gjashtë kompanitë që kanë ofertuar, ndërsa është renditur e 5 – ta me radhë, sa i përket çmimit, ndërsa nuk i ka plotësuar as kriteret që janë paraparë me tender. Sipas tij, kriter kryesor për tenderin e sanimit e gropave dhe rregullimin e rrugëve në qytet ka qenë i paraparë që kompania fituese ta ketë bazën e saj të asfaltit.
“Ky operator që është ankuar ka marrë një interpretim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) se ky kriter është diskriminues për një grup të operatorëve ekonomik. Dhe unë këtë dua ta sqarojë se parimisht nuk ka kriter i cili nuk është diskriminues për ndonjë operator ekonomik. Secili kriter është diskriminues në vete. Dhe interpretimi i KRPP-së sa është i pabazuar, është i ndikuar edhe politikisht sepse nëse duam t’ia mundësojmë secilit operator ekonomik të konkurrojë dhe të merr punë vetëm për shkak se e ka çmimin më të lirë, atëherë nuk ka nevojë që të ketë kritere”, tha Durmishi.
Ai tha se derisa Komuna e Prishtinës tash e një muaj mbetet në pritje të përgjigjes nga OSHP – së, Drejtoria e Infrastrukturës është duke i konsideruar alternativat e tjera që nga java e ardhshme të fillojë me rregullimin dhe sanimin e gropave në qytet.