Dukagjin Gorani drejt formimit të një partie politike

Publicisti Dukagjin Gorani bashkë me disa figura të jetës publike në vend, po e shqyrtojnë mundësinë e themelimit të një partie të re politike. Gorani e ka pranuar këtë, por ka thënë se kjo iniciativë është tek nivel të ideve pa diçka konkrete.
Në një të ardhme jo të largët, vendit mund t’i shtohet një subjekt i ri politik, i drejtuar nga njerëz me përvojë të gjatë në politikë, por nga ajo pjesa e politikës në prapaskenë.
Lajmi.net ka mësuar nga disa burime, se publicisti Dukagjin Gorani, për një kohë edhe këshilltar i ish kryeministrit Hashim Thaçi, bashkë me disa personalitete të jetës publike në vend, kryesisht nga shoqëria civile, po zhvillojnë idenë e themelimit të një partie politike.
Gorani i kontaktuar nga lajmi.net, ka pranuar që të flas për këtë iniciativë të tijnë dhe të disa miqve të tij, duke thënë se ajo momentalisht është vetëm në nivel të takimeve dhe diskutimeve mes miqve dhe kolegëve.
Por ai nuk e ka mohuar interesimin për pjesëmarrje drejtpërdrejtë në politikë, si mundësi për të nxitur ndryshime pozitive në vend.
Në intervistën e shkurtër për lajmi.net, Gorani tërthorazi ka lënë të kuptohet, se dëshira e tij është që kjo iniciativë të realizohet gjatë këtij viti.
Në cilën fazë ndodhet kjo iniciativë juaja për ta themeluar një subjekt të ri politik?
Gorani: Paj, ndodhet në nivel të takimeve të rëndomta mes miqve dhe kolegëve. S’është gjë dramatike apo me rëndësi mediale – është një proces diskutimesh, mes shumë diskutimeve të tjera, që zhvillohen vazhdimisht në Prishtinë e nëpër Kosovë ndërmjet individëve të interesuar për angazhim politik. Nuk ka diçka të pazakontë këtu. Më vjen mirë që në Kosovë ka ende njerëz të interesuar që të angazhohen për ndryshim shoqëror. S’do mend, njëra ndër mënyrat e prodhimit të këtij ndryshimi është pjesëmarrja në arenën politike. Çdokush ka të drejtë në pjesëmarrje politike.
Pse një subjekt të ri politik, dhe jo angazhimi në ndonjërën nga partitë politike që sot janë aktive në vend?
Gorani: Mos e merrni këtë punë kaq seriozisht. Unë takohem me miq dhe kolegë çdo ditë. Duke qenë se i takoj moshës së mesme, është shumë normale që situata politike e zë një hapësirë të madhe në bisedat e përditshme. Jo rrallëherë diskutohet për profilin dhe orientimin programor të ndonjë partie ‘ideale’ për Kosovën e vitit 2015. Vërtet, çfarë do të duhej të ishte një e tillë, në rrafshin programor dhe ideologjik? Për çfarë partie, lëvizje apo fryme politike ka nevojë shoqëria jonë, sot? Përgjigjet dhe persiatjet në këto pyetje janë nga më të ndryshmet. Dikush preferon entitete të djathta, dikush liberale të qendrës, dikush të majtë progresive, etj. Ajo që e shoh të rëndësishme është fakti që, së paku, ka ende njerëz që i diskutojnë këto gjëra me seriozitet dhe kompetencë profesionale e morale. Mendoj se kjo është shpresëdhënëse, marrë parasysh se percepcioni mbizotërues për gjendjen e shoqërisë sonë është ai i një apatie morale dhe zhgënjimi total politik.
Çfarë po mendoni t’i ofroni elektoratit dhe skenës politike të vendit me këtë subjekt politik?
Gorani: Ju po më pyetni kinse tashmë kemi themeluar një parti të re. Larg është kjo punë. Sado që njerëzit janë të interesuar për ndryshim, angazhimi partiak është punë e rëndë. Së paku, është punë e rëndë për rrethin tim i cili nuk përbëhet nga biznesmenë, korporata të mëdha apo fondacione ndërkombëtare. Për gazetarë, aktivistë joqeveritarë, ekspertë fushash dhe profesorë universitetesh angazhimi partiak nënkupton sakrificë të madhe personale, financiare e profesionale.
Nuk dyshoj se ata do të ishin vërtet të aftë në zanatin e politikës, mirëpo vështirë e kanë të vendosin t’i hyjnë kësaj pune, të shumtën për shkak të sfidave personale ekonomike. Nëse angazhoheni politikisht si aktivist partiak nuk do të keni mundësi të punoni punë tjetër. E, nëse duhet të mbani edhe familje, atëherë telashet do të jenë të papërballueshme për ju. Aktiviteti partiak nuk shpaguhet financiarisht.
Sa për profilin e mundshëm të ndonjë subjekti politik ku do ta shihja veten edhe unë… për këtë mund të flasim vetëm nga këndvështrimi i dëshirave. Kështu, mendoj se ka nevojë për një entitet i cili, ideologjikisht, do t’i përkiste një të majte moderne dhe progresive – i cili do ta definonte rolin e shtetit si rregullator dhe mbrojtës të të drejtave dhe mundësive sociale të qytetarëve. Kosova është vend shumë i varfër e i pazhvilluar, andaj aparati i saj shtetëror duhet ta ketë këtë rol: të mbrojtjes së të drejtave të të gjithëve dhe të promovimit të zhvillimit të përbashkët. Aktualisht, nuk e ka këtë rol. Shteti jonë sot është mbrojtës dhe financues i një grupi të korporatave dhe të intereseve të grupeve partiake të ndërlidhura me to.
A ka hapësirë skena politike e Kosovës për subjekte të reja, kur shpesh dëgjojmë të thuhet se Kosova është një vend i vogël për një numër kaq të madh të partive politike?
Gorani: Partitë politike vijnë e shkojnë, nuk janë të përhershme. E përhershme është shoqëria, por ajo vazhdimisht ndryshon. Gjatë historisë, ndodhë që mentaliteti i shoqërisë të ndryshojë më shpejtë se sa ai i pushtetit dhe i partive që e përbëjnë atë. Në situatë të tillë, konflikti mes shoqërisë dhe pushtetit është i pashmangshëm. Mendoj që kjo është situata e jonë sot. Partitë, sidomos ato në pushtet, kanë koncept më të pazhvilluar politik se sa qytetari i rëndomtë. Nëse kësaj i shtohet edhe kultura e zhvatjes e korrupsionit, e kuptojmë arsyen e gjithë kësaj pakënaqësie. Për ta evituar konfliktin, duhet reformim i domsdoshëm i mendësisë dhe kulturës politike. E, kjo bëhet me angazhim të ri partiak. Tashmë jam bindur se partitë aktuale nuk janë në gjendje të reformohen.
Përveç jush, a mund të na përmendni edhe ndonjë emër nga skena publike që ka shprehur gatishmëri t’u bashkëngjitet në këtë iniciativë?
Gorani: Jo, meqë e gjithë kjo punë ndodhet në nivel të diskutimeve dhe debatimeve me shumë miq e kolegë. Madje, shpeshherë as që e njohin njëri-tjetrin porse ndajnë bindje të njëjta për shoqërinë, shtetin, politikën. Po e përsëris, s’është kjo ndonjë gjë e madhe; njerëzit takohen e bisedojnë. Këtu, nuk e mohoj dëshirën time për t’u angazhuar politikisht përmes ndonjë subjekti që do t’i kishte kriteret që i përmenda më herët. Madje, mendoj se në situatën që kemi, një angazhim i tillë është obligim – jo vetëm dëshirë. Ai duhet të përjetohet si obligim meqë gjendjen tonë duhet ta përmirësojmë vet. Nuk na e përmirëson tjetri. E, ky përmirësim dhe ndryshimi shoqëror dosido ia fillon me angazhim politik.
Nëse veç arrini që ta kurorëzoni këtë iniciativë, a planifikoni që të garoni fillimisht në zgjedhjet lokale, apo do t’i prisni ato nacionale, pasi për kohën kur duhet të mbahen ato, të parat në rend janë ato lokale? 
Gorani: Thashë edhe më herët: larg është kjo punë. Prej bisedave e deri te aktiviteti i strukturuar politik ka dallim shumë të madh. S’do mend, idealisht, një subjekt i tillë do të garonte patjetër në të gjitha nivelet zgjedhore. Kjo nënkuptohet. Mirëpo, është tepër herët për ta biseduar një gjë të tillë. Sot, fare më shumë më intereson ta kuptoj se sa është i madh numri i njerëzve të cilët janë të interesuar për aktivitet politik e partiak. Fare më shumë më intereson nëse në qarqet e profesionistëve dhe intelektualëve të rinj angazhimi politik përjetohet si një domosdoshmëri e kohës. Besoj se njerëzit janë produkte të rrethanave, sidomos nëpër shoqëritë si ne. Mbase, më me dëshirë do të merreshim me punë të tjera, mirëpo kohët dhe rrethanat i imponojnë prioritetet shoqërore. Sot, është koha që shtetin ta rikthejmë nga zaptimi, ashtu që ai t’i shërbejë kërkesave tona për një shoqëri të drejtë dhe të sigurtë. Rikthimi i tij është proces politik, nga kjo s’und të ikim.
Shumica e subjekteve kryesore politike në vend, vetën e kanë deklaruar si të djathta. Subjekti që ju keni iniciuar, çfarë orientimi pritet të ketë?
Gorani: Besoj që shkurtimisht u përgjigja më herët në këtë. Botëvështrimet e mia ideologjike më vendosin në spektrin e të majtës progresive – të një socialdemokracie bashkëkohore. Aty do ta shihja aktivitetin tim, brenda një subjekti që do të ishte liberal në artikulimin e kontekstit tonë kulturor, historik dhe ideologjik por që do të ishte radikal në kërkesat për drejtësi sociale, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit. Kaq.