Drenicë, ushtari i FSK-së një bujk model (FOTO)

Nga Shkëlzen Rrecaj

Bujqësia konsiderohet prej sektorëve të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një vendi, megjithëse zhvillimi i saj mbetet një sfidë shumë më e madhe jo vetëm në raport me sektorë të tjerë të ekonomisë, por edhe sa i përket standardeve të cilat Kosova duhet t’i përmbushë nëse dëshiron të bëhet pjesë e Evropës së zhvilluar.

Kohëve të fundit në Kosovë vërehet një rritje e interesimit për t’iu rikthyer këtij sektori, megjithëse kushtet për t’u marrë seriozisht me të janë akoma larg. Sfidat e fermerëve janë të mëdha duke filluar nga çmimi jo i mirë dhe i favorshëm për dhe mungesa e eksportit në tregun ndërkombëtarë.

Edhe përkundër shumë problemeve kohëve të fundit vihet re një trend i ri në sektorin e bujqësisë. Lavërtaria po i lëshon udhë pemëtarisë, kryesisht përmes kultivimit të: dredhëzës, mjedrës, boronicës dhe mollës. Këtu po bëhen investime të mëdha dhe leverdia duket të jetë më e madhe se te lavërtaria. Por, nuk mungojnë as kultivuesit e perimeve siç janë: domatja, speci, kastraveci, sallata e gjelbër etj.

Astrit Sylani, nga fshati Llaushë Komuna e Skenderajt, është një fermerë model se si nuk duhet dorëzuar para shumë sfidave dhe problemeve me kultivimin e perimeve dhe shitjen e tyre.

Astriti edhe përkundër që është ushtar i FSK-së, ai gjen kohë që t’i përkushtohet punimit të tokës.

Fermeri nga Llausha është kultivues i domates, specit dhe dredhëzës. Në serat e tij ai prej 8 ari ka kultivuar domate të varietetit “Viva F1”, ndërsa speca sumbork “Superior” prej 15 ari, kurse 50 ari ka të kultivuar dredhëz të varietetit “Alba”.

I pyetur se cila se çfarë e shtyri të merret me bujqësi? Astriti u përgjigj: “Arsyeja që unë të merrem me bujqësi është pasi që ka leverdi të mirë dhe mendoj se të merresh me bujqësi është edhe një vetë punësim i mirë.”

Këtë e vërteton edhe Astriti pasi në gjithë punën që bënë të angazhuar si punëtor ka anëtarët e familjes.

Të gjitha prodhimet ai i shet në tregun edhe me shumicë edhe me pakicë.

“Shitja bëhet edhe me shumicë dhe me pakicë, me shumicë bëj shitje vetëm 30 për qind dhe me pakicë bëj shitje deri në 70 për qind të produkteve.”

Astriti është i kënaqur me punën që bënë, dëshira, vullneti nuk i mungojnë gjatë kryerjes së punës dhe nga gjithë ajo çfarë bënë është i kënaqur si me shitje ashtu edhe me çmimin e tregut.

 

“Po me shitje mirë nuk është edhe keq çmimi është i mirë. Po sivjet çmimi si është tani, është shumë i mirë besoj do jetë çmim i volitshëm. Po me mbjelljen këtyre produkteve jam i kënaqur. Po kam menduar ta zgjeroj prodhimtarin më shumë në vitin e ardhshëm. Me fitimin jam i kënaqur shumë ka një fitim të mirë të merresh me bujqësi.”

Si çdo punë që kërkon edhe bujqësia kërkon kujdes dhe një angazhim më të madh.

“Po punë kërkon por si çdo punë tjetër edhe bujqësia kërkon së pari të kesh vullnet të merresh me bujqësi dhe nëse ke vështirësi ia mund vullneti dhe ia del mirë.”

Të jesh ushtar i Kosovës dhe ta punosh tokën është një shembull i mirë për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojn në zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin e vendit është për çdo lëvdatë./Gazeta Bujku