Drenasit i duhet një qeverisje lokale e modelit gjerman: profesionale, efikase, transparente dhe llogaridhënëse

OPINION NGA XHAVIT DRENORI  / “Zgjedhjet të vetme nuk e bëjnë demokracinë”, kishte thënë Presidenti i SHBA-së, Barak Obama në Universitetin e Kairos në vitin 2009, duke dashur të aludoj në faktin se demokracia është shumë më shumë se vetëm zgjedhja në mënyrë të lirë dhe fer e përfaqësuesve të popoullit. Në fakt zgjedhjet përbëjnë vetëm njërin nga shumë elementet përbërëse të demokracisë.

 Me ligjin aktual për Vetëqeverisje Lokale, Kryetarët e Komunave në tërë territorin e Republikës së Kosovës ushtrojnë kompetenca të mëdha në qeverisjen lokale.

Kryetari i Komunës udhëheq ekzekutivin e Komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyrë administrimin financiar të Komunës; emëron dhe mund të shkarkojë Nënkryetarin, Drejtorët e Drejtorive Komunale etj.

 Në fakt të vetmit Anëtarë të Komunës të cilët gjithashtu zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe të cilët pas zgjedhjes, Kryetari nuk mund ti emëroj ose shkarkoj, janë Anëtarët e Kuvendi Komunal.

 Por çka bëjnë Anëtarët e Kuvendeve Komunale në Kosovë?

Me të njëjtin ligj aktual në fuqi, i lartpërmenduri, Ligji për Vetëqeverisje Lokale, e definon Kuvendin Komunal si Organin më të lartë në Komunë. Në fakt, Kuvendeve Komunale u janë definuar përgjegjësi që kanë të bëjnë me miratimin e vendimeve dhe akteve tjera nënligjore, si: Statutin e Komunës, Rregullorën e Punës, miratimin e buxhetit dhe planeve investuese, themelimin e Komiteteve të përhershme, trupave tjerë këshillues etj.

 Si qëndron puna e funksionimit efikas të qeverisjes lokale në Komunën e Drenasit, respektivisht koordinimi i dy Organeve kryesore të Komunës, Kuvendin Komunal dhe Kryetarin ose Ekzekutivin në funksion të qeverisjes së mirë?   Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje në vazhdim do ofroj një krahasim të organizimit dhe funksionimit të qeverisjes lokale me një komunë në Gjermani, konkretisht me atë të Memmingen-it (Landi i Bajernit) në Gjermani dhe Komunës së Drenasit në Kosovë.

 Baza ligjore na e mundëson këtë krahasim, mëqe në të dyja Komunat reciproke, Kryetarët dhe Anëtarët e Kuvendeve Komunale zgjidhen direkt nga qytetarët e Komunave përkatëse me lista të ndara. Edhe detyrat dhe përgjegjësitë (kompetencat) janë të definuara për të dyja vendet me shumë pak ndryshime.

 Ndryshimi kryesor në bazën ligjore qëndron në faktin se në Komunën e Memmingenit Kryetarët dhe Anëtarët e Kuvendeve Komunale marrin mandat gjashtë vjeçar në krahasim me të përzgjedhurit në Kosovë, ku mandatin e marrin për katër vite.

 Në të dyja Komunat, Kryetarët e Komunave reciproke janë zgjedhur që në raundin e parë, në Memmingen me 52,5%, përderisa në Drenas me 63,44%. Ndryshimi qendron në faktin se Kryetari i Komunës së Memmingen-it vjen nga Partia e dytë fituese e vendeve në Kuvendin Komunal dhe atë me diferencën 29,5% nga partia e parë (CDU), dhe 20,5% nga partia, nga e cila vjen Kryetari i Komunës (SPD). Në Drenas edhe në Kuvendin Komunal kemi një pasqyrë gati të njëjtë sikurse  tek zgjedhja e Kryetarit. Partia e parë për nga numri i vendeve në Kuvendin Komunal është me 64,07% (PDK) karshi partisë së dytë fituese me 15,30% (IQD).

 Siç u cek më lartë, me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale Kryetari i Komunës në Drenas (respektivisht Kryetarët e të gjitha Komunave në Republikën e Kosovës), kanë të drejtë të emërojnë dhe shkarkojnë Zëvendësin e tij/saj dhe të gjithë Drejtorët e Drejtorive Komunale.

 Mbi cilat kritere janë zgjedhur Drejtorët e Drejtorive në Drenas dhe si përzgjidhen ata në Komunën e Memmingen-it?

 Mëqe Ligji për Vetëqeverisje Lokale ja lejon këtë mundësi Kryetarëve të Komunave në Kosovë, këtë edhe e ka shfrytëzuar Kryetari i Komunës së Drenasit duke emëruar për Drejtorë figura të larta të strukturës së partisë (hierarkisë në Drenas) e në disa dikasterë edhe pa njohuritë dhe përvojën e nevojshme.

 Në anën tjetër në Komunën e Memmingen-it, Drejtorë të këtyre Drejtorive përzgjidhen me konkurs të hapur, ekspert të lëmisë së caktuar, të cilët nuk lejohet të jenë zyrtarisht pjesë e ndonjë subjekti politik.

 Profesionalizmi i të përzgjedhurve në Drejtoritë përkatëse Komunale dhe e gjithë adminsitratës në Komunat përkatëse ndërlidhet direkt edhe me efikasitetin në punën e tyre.

 Në anën tjetër, si qëndron puna me Kuvendet Komunale të Komunave gjegjëse?

Çka bëjnë Anëtarët e këtyre Kuvendeve për ti përfaqësuar qytetarët e Komunave përkatëse?

 Në Komunën e Drenasit gjatë vitit 2014 (kjo legjislaturë) përveç pjesëmarrjes në mbledhje të Kuvendit për të debatuar dhe miratuar propozim – vendimet qe sillen nga Ekzekutivi, asnjë vendim me propozim nga ndonjë Anëtar i Kuvendit Komunal nuk është inicuar apo aprovuar në Kuvend. Në anën tjetër për të përmbushur obligim ligjor, Kuvendi Komunal në Drenas ka themeluar dy Komitetet e përhershme me 13 Anëtar të Kuvendit Komunal dhe dy Komisione me 6 Anëtar të Kuvendit Komunal. Në total i bie që numri i aktiviteteve në trupa të tillë të themeluara në Kuvendin Komunal në Drenas dhe në përbërje të Anëtarëve të Kuvendit Komunal është 19 (në to janë 16 Anëtar, me qe tre Anëtar janë të angazhuar në dy trupa të tilla). Kjo i bie që nga 31 Anëtar, sa i ka Kuvendi Komunal, vetëm 16 nga ta janë të angazhuar në këto trupa këshilluese. Është e rëndësishme të potencohet se për përzgjedhje në këto  trupa këshilluese nuk është marrë për buzë përgatitje profesionale dhe për të gjitha këto angazhime nuk kanë fare zëvendësues.

 Po si qendron puna në Kuvendin Komunal të Memmingen-it?

 Për dallim nga Drenasi, në Komunën e Memmingenit, respektivisht Kuvendi Komunal atje ka themeluar 11 Komitete të përhershme me plot 100 angazhime të Anëtarëve të Kuvendit Komunal në to. Për secilin prej tyre janë emëruar edhe zëvendësuesit e tyre. Gjatë përzgjedhjes në këto Komitete është marrë për bazë njohuria profesionale. Për më shumë në Komunën e Memmingen-it janë themeluar edhe 17 trupa tjera këshilluese (Komisione, Këshilla) me 74 angazhime të Anëtarëve të Kuvendit Komunal në to (për secilin edhe zëvendësues). Në total i bie që nga 41 Anëtarët e Kuvendit Komunal sa janë në Memmingen, ata kanë plot 174 angazhime në këto trupa këshilluese (dhe po aq zëvendësues).

 Për dallim me Drenasin, Memmingeni ka angazhuar Anëtarët e Kuvendit Komunal në së paku 3 dhe maksimumi në 7 trupa këshilluese (Komitete/Komisione/Këshilla) dhe po aq  edhe zevendësues.

Kjo deshifrohet në faktin se në Memmingen për secilën sferë të jetës se qytetarëve atje, Kuvendi ka trupë këshilluese. Në anën tjetër monitorimi apo kontrollimi i punës së Kryetarit dhe ekipës së tij është shumë i rreptë dhe i vazhdueshëm me gjithë këto trupa këshilluese.

(Informatat janë për vitin 2014, për legjislaturat aktuale në Komunat përkatëse).

 Është e rëndësishme të potencohet që në të dyja Komunat përkatëse, Anëtarët e Kuvendeve Komunale paguhen me honorarë për punën e tyre në Kuvend dhe trupa këshilluese. Në të dyja Komunat kjo pagesë është minimale për standardin e vendeve përkatëse.

 Çka duhet të ndryshojë urgjentisht në qeverisjen aktuale në Komunën e Drenasit në funksion të rritjes së efikasitetit në rezultate, duke përfituar nga mënyra e funksionimit të qeverisjes lokale në Memmingen?

 E para: i rekomandohet Kryetarit të Komunës që urgjentisht të rishikoj ekipin e tij ekzekutive (Drejtorët e Drejtorive Komunale) dukë emëruar ekspert të lëmive përkatëse (Nuk është vështirë të gjinden në Drenas, duka pasur parasysh që PDK-ja gëzon përkrahje thuajse absolute të qytetarëve në Drenas. Drejtoret nuk do duhej të përzgjidhen patjetër nga hierarkia e lartë e partisë).

E dyta: i rekomandohet Kuvendit Komunal të themelojë trupa këshilluese me Anëtar të Kuvendit Komunal për se cilën fushë veprimtari të Ekzekutivit, me qellim të monitorimit apo kontrollimit të vazhdueshëm të punës së Kryetarit dhe ekipit të tij.

(Brenda bazës ligjore ka mundësi të paguhen me honorarë Anëtaret e këtyre trupave këshilluese).

 E treta: rekomandohet që urgjentisht të gjendet një formë e pagesës me honorar për  Kryetarët e Bashkësive lokale (Administratorë të fshatrave dhe lagjeve Urbane) në funksion  të kyçjes së tyre në çdo projekt që realizohet në lokacionin e tyre, me qellim të monitorimit të këtyre projekteve. Në të kaluarën kemi pasur probleme të mëdha me cilësinë e punëve të kryera nga Komuna në tëren.

 E katërta: i rekomandohet Kryetarit që të përzgjedhë nga administrata komunale një ekspert i cili do merrej vetëm me përcjelljen e donacioneve/subvencioneve nga Institucione apo Organizata të ndryshme në Kosovë dhe i cili më pas me ekipin e tij do përpilonte projektet adekuate për to.

 E pesta: i rekomandohet Kryetarit dhe Kuvendit Komunal që të ngris një trupë të kombinuar nga Ekzekutivi dhe Anëtarët e Kuvendit Komunal për të lidhur kontakte me Komunat si motra në vende të ndryshme (sidomos në shtetet perëndimore) me qellim të lidhjes së kontakteve, bashkëpunimit e deri të binjakëzimi me këto Komuna në funksion të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në çdo lëmi. Mos të harrojmë, jemi një demokraci e re dhe përvoja e gjatë e Komunave në perëndim do na ndihmonte shumë në rritjen e efikasitetit në qeverisje lokale.

Në rast të “përqafimit” të këtyre ndryshimeve në Komunën e Drenasit, këto do ishin rezultatet:

  1. Do rritej efikasiteti i qeverisjes lokale.

Në vitin 2014 nga buxheti i ndarë prej 3,531,234.64 € për investime kapitale, vetëm  2,811,207.80 € ishin shpenzuar. Në përqindje i bie: buxheti i realizuar në investimet kapitale është 79.61%. Pra sado që Komuna e Drenasit përballet me infrastrukturë të dobët sidomos në vendet rurale, kjo mbetje buxhetore (suficit) është tepër shqetësuese.  Pastaj cilësia e realizimit të shumës tjetër ka lëne shumë për të dëshiruar.

Pra, me një ekip profesionistësh në ekipin e Kryetarit dhe me një monitorimi të vazhdueshëm të punës së Ekzekutivit nga trupat këshilluese në përbërje të Anëtarëve të Kuvendit Komunal, ky defekt aq i madh me suficitin buxhetor nuk do të ndodhte.

  1. Do zvogëlohej “distanca e pa nevojshme” ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Qytetarët në masë të madhe janë të shkëputur nga komunikimet me përfaqësues të tyre në Komunë. (Në dy takimet e vitit të kaluar të Kryetarit me qytetarë, në njërin takim nuk kishte pasur fare qytetarë prezent). Qytetarët e Drenasit kanë humbur edhe besimin në përfaqësues. Rasti i fundit, dhënja e pronave në shfrytëzim pa pasur fare bashkëbisedim me banorët e lokacioneve afër këtyre pronave komunale, ka bëre që pas vendimit të Kuvendit, qytetarët të fillojnë mbledhjen e nënshkrimeve për të kërkuar shfuqizim të atij vendimi me arsyetimin, që ai vendim është në dëm të banorëve të atyre lokacioneve.

Pra vendime të tilla në të ardhmen do bëheshin në koordinimin me komunitetin, të cilëve ju shërbejmë.

Dy rezultatet e lartshënuara do të gjeneronin patjetër edhe “dy gurë themelet e demokracisë” transparencën dhe llogaridhënien e vazhdueshme të të zgjedhurve karshi qytetarëve.  Të mbesim me shpresë që ky hulumtim krahasues të merret parasysh nga personat përgjegjës dhe të iniciohen ndryshimet më se të nevojshme në qeverisjen lokale në Drenas.

 Xhavit Drenori

Anëtar i Kuvendit Komunal në Drenas

(PhD Kandidat në qeverisje të mirë)