Drenasi pritet të bëhet me ngrohtore të qytetit

Në takimin e mbajtur me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Komunën e Drenasit u shqyrtuan hapat për realizimin konkret të projektit që do të realizohet përmes formës së partneritetit publiko-privat për ndërtimin e ngrohtores së qytetit të Komunës së Drenasit.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, z. Skender Hasi tha se është prioritet i Komunës së Drenasit dhe në përputhje me Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal për periudhën 2015-2019 si dhe me masat e parashikuara për zbatimin e planit nacional të veprimit për efiçiencë të energjisë duke shfrytëzuar potencialet e burimeve të ripërtërishme që disponon Republika e Kosovës realizimi i këtij projekti. Projektin e mbështeti edhe menaxheri i NewCo Ferronikeli, Ioanis Moutafis, i cili u zotua se do të mbështes këtë projekt, duke ruajtur funksionimin normal të procesit të punës së kësaj kompanie.

Sekretari i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, z. Nazmi Zenelaj tha se ministria është e gatshme për ta realizuar këtë projekt të rëndësishëm dhe së shpejti do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në mes të palëve në interes të këtij projekti dhe do të fillojmë menjëherë studimin e planit të fizibilitetit nga ekspert të kësaj fushe. Sipas z. Hasi, projekti i ngrohtores së qytetit është një iniciativë shumë e qëlluar dhe më shfrytëzimin e ujit termik të shkritores së Ferronikelit, qytetarëve të Drenasit, institucioneve publike, bizneseve private dhe të gjithë konsumatorëve të tjerë që do të kyçën në këtë rrjet shpërndarës do të ju sigurohet një ngrohje më cilësore dhe me një kosto me të ulët për të gjithë konsumatorët shfrytëzues. Vlen të potencohet se me realizmin e këtij projekti do të kemi edhe një ambient më të pastër të Komunës sonë si dhe do të ruhen resurset pyjore të Komunës. /drenicapress/