Drenasi me ngrohtore të qytetit

Kryetari i Komunës së Drenasit z.Nexhat Demaku ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ndërmarrjes së Ferronikelit për realizimin e projektit në ngrohtoren qendrore të qytetit.

Pas disa takimeve të zhvilluara nga Kryetari Demaku me dy ministrit, asaj të Zhvillimit Ekonomik dhe të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe me kompaninë e Ferronikelit është arritur nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për zhvillimin e projektit të Ngrohjes Qendrore të qytetit të Drenasit.

Përmes këtij Memorandumi, palët marrin përsipër angazhimin e përbashkët për mbështetjen e projektit duke shfrytëzuar energjinë e pashfrytëzuar të shkritores nga procesi industrial i përpunimit të minerales në shkritoren e ndërmarrjes së Ferronikelit, në pajtim me kriteret e përcaktuara nga palët sa i përket kostos që shkakton ky shfrytëzim, duke garantuar që shkritores të mos i shkaktohet asnjë pengesë në funksionimin e saj.

Ky projekt është prioritet i kamotshëm i Komunës së Drenasit që nga vitet e 80-ta dhe tani është në përputhje edhe me Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal për periudhën 2015-2019 si dhe me masat e parashikuara për zbatimin e planit nacional të veprimit për efiçiencë të energjisë duke shfrytëzuar potencialet e burimeve të ripërtërishme që disponon Republika e Kosovës.

Sekretari i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, z. Nazmi Zenelaj tha se ministria është e gatshme për ta realizuar këtë projekt të rëndësishëm dhe do të fillojmë menjëherë studimin e planit të fizibilitetit nga ekspert të kësaj fushe. Projekti i ngrohtores së qytetit është një iniciativë shumë e qëlluar dhe më shfrytëzimin e ujit termik të shkritores së Ferronikelit, qytetarëve të Drenasit, institucioneve publike, bizneseve private dhe të gjithë konsumatorëve të tjerë që do të kyçën në këtë rrjet shpërndarës do të ju sigurohet një ngrohje më cilësore dhe me një kosto me të ulët për të gjithë konsumatorët shfrytëzues.

Vlen të potencohet se me realizmin e këtij projekti do të kemi edhe një ambient më të pastër të Komunës sonë si dhe do të ruhen resurset pyjore të Komunës. /drenicapress/