Drejtori Aliu në teren, premton përkrahje për fermerë

 

Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi, Nasuf Aliu, me bashkëpunëtorë, ka vizituar qumështoren “ALDI”, në fshatin Frashër të Mitrovicës, e cila është njëra nga qumështoret e para të licencuara në Kosovë.
Ishte kjo vizita e parë e tij në terren, pas ardhjes në postin e drejtorit në fillim të këtij muaji. Ai tha se kjo është vizita e tij e parë në një fermë vendore në këtë komunë, dhe në të ardhmen do të vazhdoj me vizita të tjera me qëllim të njohjes dhe familjarizimit me prodhuesit vendor Komunën e Mitrovicës.
“Po ashtu, dua të shoh nevojat e fermerëve dhe të mundohemi t’i mbështesim në punën e tyre. Ky është edhe synim dhe përpjekje maksimale edhe e kryetarit të komunës, në mënyrë që të ketë gjenerim të  vendeve të punës dhe të fuqizohet ekonomia komunale”, nënvizoj drejtori Aliu.
Gjatë qëndrimit në Qumështoren “ALDI”, ai është njohur nga pronari i fermës, Gani Durmishi, me punën që po bëhet në këtë fermë dhe planet e saj për të ardhmen.
“Si qumështore jemi licencuar nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2004, dhe nga atëherë vazhdojmë prodhimin e disa produkteve të qumështit, si jogurt, djathë, krem djathi dhe qumësht të pasterilizuar”, tha Durmishi.
Sipas tij, aktualisht në këtë qumështore punojnë 10 punëtorë, ndërkaq qumështorja ka 50 kooperantë, gjegjësisht 50 ekonomi familjare, nga të cilat merr qumështin për prodhim të produkteve të tjera, i cili para se të futet në prodhim i nënshtrohet analizave të Agjencisë së Veterinarisë së Kosovës.
“Aktualisht kemi kapacitet për përpunimin e 4 000 litra qumësht në ditë, varësisht nga kërkesat. Mirëpo, në të ardhmen pritet ta zgjerojmë përpunimin deri në 10.000 litra qumësht”, theksoj Durmishi.
Pronari Durmishi tashmë ka zgjeruar hapësirën e objektit të qumështores dhe fal një projekti në vlerë prej 325 000 euro, prej të cilave 166.000 euro është zotuar t’i sigurojë Ministria e Bujqësisë, marsi i këtij viti pritet të jetë fillimi i prodhimeve me kapacitet të shtuar të kësaj qumështoreje.
Zgjerimi i fermës pa dyshim që do të reflektoj si në punësimin e njerëzve, ashtu edhe në shtimin e numrit të kooperantëve, nga 50 sa janë sot, në 100 sish.
Prodhimet e kësaj qumështoreje, përveç në Mitrovicë, mund t’i gjesh edhe në komunat tjera të Kosovës, si në Vushtrri, Skenderaj, Drenas, Prishtinë, etj. Me produkte të qumështit nga kjo fermë kryesisht furnizohen marketet, qendrat e mëdha dhe qebaptoret.

023.JPG

022.JPG